Nga Ledio Alite
Europa nuk do të ndërtohet menjëherë, apo sipas një plani të vetëm. Do të ndërtohet mbi arritje konkrete të cilat fillimisht krijojnë solidaritetin e faktuar, shkruante dikur babai themelues i projektit Europian Robert Schuman. Sot, shtetet anëtare të Bashkimit Europian (“BE”) kujdesen dhe punojnë për të siguruar mbrojtjen e nevojshme ligjore në hapësirat që ligji i BE mbulon, një punë për të cilën janë angazhuar kur kanë miratuar Nenin 19 të Traktatit mbi Bashkimin Europian (“TBE”).
Siç njihet tashmë, Polonia përbën në ditët e sotme një hapësirë ku debati juridik i së drejtës europiane është përplasur. Kushdo që dëshiron t’i zgjidhë konfliktet e tyre brenda dhe përmes ligjit të BE-së përpara një gjykate atje, pra në Poloni, duhet të presë që të përfundojë jo para një gjyqtari të pavarur, por para një idhtari të qeverisë. Dhe çdo gjyqtar i pavarur që nxjerr konkluzione nga paligjshmëria e kësaj gjendjeje, e që ndoshta e referon në Luksemburg, duhet të presë masa disiplinore, apo privim nga puna dhe mjetet e jetesës. Me politikën e saj gjyqësore, Polonia nuk po shkel vetëm të drejtat e gjyqtarëve dhe subjekteve ligjore në Poloni, por edhe detyrimet e saj sipas nenit 19 të TBE.
E megjithatë Këshilli i Europës, si dhe Presidentja e Komisionit, kanë mbajtur qëndrimin se shkeljet nga Polonia në të vërtetë nuk janë shkelje të ligjit në fund të fundit. Dhe Komisioni e ka mbështetur këtë me shumicë. Me vendimin e tij të 17 qershorit për të zhbllokuar me kusht fondet e rikuperimit të miliardave për Poloninë, Këshilli e ka kthyer detyrimin e nenit 19 të TBE thjesht në indiferencën e rradhës.
Dhe ndodhi që më 28 Gusht, katër shoqata, midis tyre ajo e gjyqtarëve europianë, provuan dhe ngritën padi për anulim kundër vendimit të 17 qershorit të Këshillit të Europës përpara Gjykatës Europiane të Drejtësisë (“GJED”). Ky proces do të jetë një nga më emocionuesët dhe potencialisht me pasoja për normat kushtetuese të Bashkimit Europian.
Nëse ky veprim nga këto shoqata do të jetë i pranueshëm është një pyetje e ndërlikuar dhe nuk është aspak e vështirë të argumentohet kundër tij. Për të ngritur padi për anulim kundër një vendimi zbatues të Këshillit, duhet që Paditësi të ndikohet “drejtpërdrejt dhe individualisht” prej tij (neni 263 (4) i Traktatit mbi Funksionimin e BE). Ashtu siç në të njëjtën frymë parashikohet dhe në Kushtetutën tonë, pra atë të Shqipërisë, në Nenin 134 të saj. Kuptohet se gjykatat europiane e kanë të vështirë të përballojnë procese me padi nga të gjitha llojet e palëve të dëmtuara nga tregu sa herë që BE bën diçka që dëmton liritë apo biznesin e tyre. Kjo është arsyeja pse GJED-ja e ka interpretuar termin “individ” jashtëzakonisht ngushtë për 60 vjet. Sipas saj, njeriu duhet të ndikohet nga akti juridik i supozuar i paligjshëm në një mënyrë të krahasueshme specifike sikur t’i drejtohej drejtpërdrejt atij. Për të gjithë të tjerët, sado fort të goditen, portat e Luksemburgut mbeten të mbyllura.
Në rrethana të caktuara, kjo mund të çojë në boshllëqe të mbrojtjes ligjore, prandaj 20 vjet më parë GJED dhe Avokati i Përgjithshëm Francis Jacobs u përpoqën t’i jepnin frymëmarrje dhe hapësirë kësaj lirie. Në fund të fundit, qasja në mjete juridike garantohet nga Karta e të Drejtave Themelore në nenin 47. Por megjithatë, GJED-ja u tërhoq përsëri nga këto nisma, ku kanë mbetur që atëherë. Deri më sot.
Çfarë mund ta bindë GJED-në këtë herë që të konsiderojë të pranueshme ankesat e shoqatave të gjyqtarëve?
GJED-ja me sa duket do ta gjejë argumentin bindës vetëm nëse e shikon situatën jo vetëm në aspektin e ligjit procedural, por edhe në aspektin e politikës kushtetuese. Në fakt, është detyra e Komisionit, si rojtar i Traktateve, të sigurojë që rendi juridik europian të zbatohet. Për sa kohë që e bën këtë punë, ka kuptim të mos inkurajohen shoqatat dhe individët për ta bërë të tyren detyrën e zbatimit të ligjit europian. Megjithatë, në gjendjen që nuk e realizon më këtë detyrë, për shkak të varësive dhe ambicieve politike, mund të bëhet e besueshme që, si të thuash, të socializohet kjo punë deri në një pikë të caktuar sa: shoqëria europiane të jetë në gjendje t’i marrë gjërat në duart e veta. Në fund të fundit, po flasim për nenin 2, vlerat themelore të Unionit, ose shqip, Bashkimit.
Çfarë i vlen kjo opinionit publik dhe/ose atij juridik në Shqipëri, një vendi shumë pranë anëtarësimit në Bashkimin Europian?
Duke e shtrirë analizën për analogji, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në Nenin 134 ka parashikuar se Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje ndër të tjerë me kerkësë të organizatave ose individëve, vetëm për çështje që lidhen me interesat e tyre. Natyrshëm shtrohet pyetja: Kur njëshoqëri si ajo europiane është skeptike për organet e saj rojtare të normave siç është Komisioni Europian, po shoqëria shqiptare a mund të ndihet në të njëjtin pozicion për rolin e organeve të saj të zgjedhura?
Edhe pse portat e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë nuk janë aq të larta sa portat e Luksemburgut, pra GJED, mbeten të vetmet porta mbrojtëse sot të interesit të sovranit, i cili i ka garantuar vetë liritë e tij në Kushtetutë.
Evolucioni që Shoqata Europiane e Gjyqtarëve kërkon në portat e Luksemburgut, në rrafshin e sotëm tonin do të kuptohej sikur organizatat ose individët vetë të vinin në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për pretendime mbi shkelje të Kushtetutës të cilat sot nuk i prekin drejtpërdrejt, por duke cenuar dikë apo disa, kjo rrugë nesër mund të orientohet drejt tyre.
Pra, nisma e gjyqtarëve europianë është një lajm shprese, një moment reflektimi që kërkon vëmendje, për të patur nesër më shumë liri dhe vetëvendosje, duke e trajtuar më se fundmi interesin individual edhe si institut të së drejtës publike.
Thënë shkurt: “Një për të gjithë, dhe të gjithë për një”.
- 21 Janari në SPAK, Berisha: Garda ka zbatuar ligjin e vendosur nga mazhoranca socialiste - 03/11/2025
- Leskaj i paraqet Berishës dorëheqjen si drejtues politik i Vlorës: Për një PD më të fortë duhet një… - 03/11/2025
- “Përjetoi përndjekje dhe burgosje, por u rikthye me bindjen për pajtim”, ish-kryeministri grek kujton bisedat me Nanon: Më fliste shpesh për… - 01/11/2025