Bruce Lee mund të ketë vdekur për shkak se pinte ujë më shumë seç duhet. Ky është përfundimi në të cilin kanë dalë doktorët rreth 50 vite pas shuarjes së legjendës së arteve marciale.
Lee ndërroi jetë në verën e vitit 1973, në moshën 32-vjeçare, në Hong-Kong. Autopsia tregoi se ylli i Hollivudit vdiq si pasojë e ënjtjes së trurit, që kishte ardhur për shkak të qetësuesve që merrte.
Vdekja e tij e parakohshme bëri që të dilnin edhe zëra se ishte vrarë nga mafia kineze, se ishte helmuar nga një e dashur xheloze apo edhe se ishte viktimë e një mallkimi. Një tjetër teori ka qenë edhe vdekja nga vapa.
Por, një grup ekspertësh nxjerrin një tjetër përfundim ditët e sotme: Bruce Lee ka vdekur nga hiponatremia.
“Ne mendojmë se pamundësia e veshkave për të nxjerrë ujin e tepërt ka vrarë Bruce Lee-në”, lexohet në Clinical Kidney Journal.