Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë deklaroi se do të pezullohet bojkoti i mësimit, teksa pedagogët do të rikthehen në auditore.
Përmes një deklarate për mediat, bëhet e ditur se pedagogët do të vazhdojnë protestat me të gjitha format demokratike dhe institucionale, përfshirë protestat kombëtare universitare periodike.
Ndërkohë, Protesta Kombëtare Universitare e radhës do të zhvillohet më 8 Nëntor 2022, ora 11.00, përpara Korpusit Qëndror të UPT.
Pedagogët janë në protestë që prej 5 tetorit, ndërsa prej 17 tetorit shumica e tyre bojkotuan mësimin.
Kërkesa kryesore e tyre është rritja e pagës prej 50 për qind, me një rritje të menjëhershme prej 30 për qind, ndërsa pjesa tjetër prej 20 për qind të nisë vitin që vjen.
Pas bojkotimit të nisjes së vitit akademik, Qeveria shqiptare miratoi vendimin për rritjen prej 7 për qind të pagës së pedagogëve dhe kërkoi që një tjetër rritje prej 8 për qind të garantohet nga universitetet.