Gjykata ka caktuar masën e sigurisë 45 ditë arrest me burg për tre të arrestuarit në Portin e Durrësit, ku u kap 33.5 kg kokainë në kontejnerin e ‘BanaKing’. Gjykata ka lënë në burg punonjësit e skanerit në port, Alban Naziraj e Artur Sevdaraj, si edhe administratorin Petrit Demisha.
Ndaj tyre rëndon akuza për veprat penale “Trafikimi të lëndëve narkotike” dhe “Falsifikim kompjuterik”.
Petrit Demisha kishte si detyrë që të priste ngarkesën me banane në Port, brenda së cilës ishte dhe sasia e kokainës. E ndërsa pjesë e këtij grupi ishin bërë edhe 2 punonjës të skanerit në Port, Alban Naziraj 48 vjeç (operator skaneri) si edhe Artur Sevdaraj 48 vjeç (imazhier skaneri). Këto të fundit në bashkëpunim me njëri tjetrin ia dolën që të nxirrnin të pastër në skaner kontejnerin ku ishte sasia e drogës. Mirëpo, anti-droga shqiptare kishte pasur informacione për sasinë e drogës që kishte mbërritur, për këtë arsye bëri kontrolle fizike me qen, ku arritën të zbulonin kokainë e fshehur në 31 pako në 2 arka bananesh të ‘BanaKing’. Pronari i kompanisë Zico Sh.A Trifon Murataj është ende në kërkim.