Ekipi mbrojtës i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një mocioni të dërguar gjykatësit të procedurës paraprake, ka treguar se janë tetë dëshmitarë ndërkombëtarë që planifikon të ftojë në gjykimin pranë Dhomave të Specializuara në Hagë. Mbrojtja po kërkon që dëshmitë e këtyre dëshmitarëve të mund të “ruhen” para se të nisjes së gjykimit.
Thaçi, si ish-udhëheqës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bashkë me ish-eprorët e tjerë: Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.
Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Në listën e prezantuar të dëshmitarëve përfshihen: Wesly Clark, William Walker, Bernard Kouchner, Daan, W. Everts, Michael Durkee, Jock Covey dhe Steve Bennett.
Në këtë listë është edhe një dëshmitar i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, emri dhe të dhënat e të cilit janë të redaktuara.
Kush janë dëshmitarët e mbrojtjes?
Clark, 77 vjeç, ka qenë komandant suprem i NATO-s në Evropë dhe komandant i komandës evropiane të Shteteve të Bashkuara nga viti 1997 deri në maj të vitit 2000.
Kouchner, që po ashtu është në listën e dëshmitarëve që mbrojtja synon të thërrasë, ka qenë përfaqësues i posaçëm i sekretarit të Përgjithshëm në misionin e UNMIK-ut nga korriku i vitit 1999 deri në janar të vitit 2001.
Walker ka qenë drejtues i Misionit Monitorues të OJB-së për Kosovën nga tetori i vitit 1998 deri në mesin e qershorit të vitit 1999.
Bennett ka qenë drejtor i Departamentit për politika të edukimit dhe Zhvillimit në OSBE nga viti 1996 deri më 2006.
Covey ka qenë zëvendësdrejtues i UNMIK-ut nga viti 1999 deri më 2001.
Durkee ka qenë këshilltar politik i Clarkut nga viti 1998 deri më 1999. Ndërkaq, Everts ka drejtuar zyrën e OSBE-së në Tiranë dhe më pas atë në Prishtinë më 1999.
“Tetë dëshmitarët gjatë kohës për të cilën është ngritur aktakuza, kanë qenë diplomatë të lartë ndërkombëtarë, administratorë, figura ushtarake në pozita të larta në NATO, në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë [OSBE], në Kombet e Bashkuara, në Administratën e Përkohshme të OKB-së në Kosovë [UNMIK] dhe në Misionin për Monitorim në Kosovë. Që të gjithë kanë pasur ndërveprime me Thaçin, si në aspektin profesional, por në disa raste edhe në atë personal”, thuhet në mocionin e mbrojtjes.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë një paraqitjeje para Dhomave të Specializuara në Hagë. Fotografi nga arkivi.