29.8 C
Tirana
10 / 09 / 2026

Gjyqi ndaj Thaçit për pengim të drejtësisë hyn në fazën përfundimtare, sot nisin deklaratat në Hagë

Gjyqi ndaj Hashim Thaçit dhe katër të akuzuarve të tjerë për pengim të drejtësisë hyn sot në fazën e deklaratave përfundimtare në Hagë. Seanca nis në orën 09:30, ndërsa deklaratat përmbyllëse do të vazhdojnë edhe më 11 dhe 14 shtator.

Çështja lidhet me atë që dyshohet se ka ndodhur gjatë kohës që Thaçi ndodhej në paraburgim. Sipas akuzës, nga korriku deri në nëntor 2023, ai u dha Bashkim Smakajt, Isni Kilajt dhe Fadil Fazliut informacione konfidenciale për dëshmitarë të Prokurorisë.

Prokuroria pretendon se Thaçi, së bashku me ta dhe persona të tjerë që nuk janë të akuzuar në këtë çështje, tentoi të ndikonte në dëshmitë e disa dëshmitarëve.

Në këtë dosje është edhe Hajredin Kuçi. Pretendohet se Thaçi u mor vesh me të që të kontaktonte dëshmitarë të Prokurorisë në gjyqin për krime lufte ndaj Thaçit dhe të tjerëve, edhe pse një urdhër gjykate nuk lejonte kontakte të tilla jashtë kushteve të përcaktuara. Kuçi dyshohet se kontaktoi me nismën e tij edhe një dëshmitar tjetër.

Thaçi përballet me 11 akuza, tri prej tyre për tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrës dhe tetë për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.

Smakaj, Kilaj dhe Fazliu kanë nga dy akuza secili, ndërsa Kuçi ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës. Të pestë janë deklaruar të pafajshëm.

Gjyqi nisi më 27 shkurt 2026. Prokuroria mbylli paraqitjen e provave më 13 mars, ndërsa ekipet e Mbrojtjes e përfunduan këtë fazë deri më 30 korrik.

Kilaj, Smakaj dhe Fazliu janë aktualisht të liruar me kusht. Kilaj u lirua në dhjetor 2025, ndërsa Smakaj dhe Fazliu në shkurt 2026.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x