Me rastin e festave të 7 dhe 8 Marsit shkolla 9-vjeçare “Misto Shumeli” në fshatin Kodër të Tepelenës organizoi një aktivitet nën praninë e mësuesve, nxënësve, banorëve të zonës si dhe të autoriteteve lokale. Mësuesi njëherazi dhe ish drejtuesi i kësaj shkolle Altin K.Shumeli duke përshëndetur në këtë aktivitet festiv mësuesit, prindërit dhe nxënësit, duke uruar ndërkaq gëzuar festën e Mësuesit dhe të Nënës. Shumeli gjatë përshëndetjes së tij iu referua historikut të çeljes së shkollës në këtë fshat ku u hap për herë të parë në vitin 1968.Nga kjo zonë me tradita atdhetare por mbi të gjitha me etje dhe dëshirë për dituri kanë dalë mësues dhe edukatorë të cilët kanë kontribuar duke rritur dhe edukuar shumë breza nxënësish ndër vite si: Dallëndyshe Kadhe, Shpresa Abazi, Margarita Jorgo, Perikli Suli, Lindita Bushi, Altin K. Shumeli, Miranda Kadhe, Valbona Kadhe, Marjeta Shumeli.
Fshatin Kodër e nderojnë dhe personalitetet që kanë spikatur dhe spikasin në profesionet e tyre ndër vite, konsideruar e cilësuar dhe si krenaria e saj si: Altin M. Shumeli jurist, Bilush Abazi oficer, Enver Abazi agronom, Leonidha Shumeli zooteknik, Vangjel Shumeli gazetar, Sevo Miçi stomatolog. Emrin këtij fshati i japin akoma më shumë nderim dhe mësuesit që punojnë aktualisht në qytete të tjera të vendit si: Arjan Shumeli, Valbona Topulli (Shumeli) dhe Klodjana Kadhe. Këto emra tregojnë se Kodra, ky gjerdan në zemër të Golikut ende përcjell brez pas brezi dëshirën për arsimim dhe vullnetin për të kontribuar në shërbim të komunitetit që ata aderojnë, jetojnë dhe ushtrojnë aktivitetin e tyre. Kjo e tregon dhe vargu i një prej poezive kushtuar fshatit:
“Kodra, një i bukur fshat
Nxori djem me shkollë të lartë
Kodër pinë në gurrën tënde
Fjala jote u dha mendje”
Më pas aktiviteti vijoi me këngë, valle e recitime dedikuar dy qenieve më humane për fëmijët, Nënës dhe Mësuesit, nga nxënësit e kësaj shkolle përgatitur nga mësueset Rudina Dervishi, Tefta Dulemata si dhe edukatorja Majlinda Kasneci. Në këtë event momenti kulminant ishin këngët dhe poezitë kushtuar pishtarit të arsimit, njeriut që shkolla e fshatit Kodër tashmë i mban emrin Pr.Dr.Misto Shumeli rënë në aksidentin tragjik të Llogarasë në 22 Nëntor të vitit 1989. Vargjet e recituara kushtuar atij krijoi emocione të panumërta tek të pranishmit të cilët nuk ndaluan së duartrokituri duke ngrohur kështu atmosferën në këtë aktivitet modest por të realizuar me shumë përkushtim dhe dashuri nga mësueset e kësaj instance të arsimit 9 vjeçar. Ky moment ishte i veçantë pasi kujtimi i profesor Mistos u përjetësua në një ditë kaq të shenjtë siç është 7 Marsi, dita kushtuar heronjve të heshtur që për ndriçimin e shoqërisë sakrifikonin veten e tyre dhe familjet me ditë dhe orë të tëra.
Ky program i zhvilluar krejt ndryshe nga nxënësit të përgatitur nga mësueset e tyre kanë sjellë për ato të cilat i kanë bërë jo vetëm ti duartrokasin, por edhe të derdhin lot duke ngjallur kështu emocione dhe mallëngjim pafund.




- Ndarja nga jeta e Nanos, ish-kryeministri grek: Ishte një udhëheqës i tranzicionit, një mik dhe një urë për Ballkanin - 01/11/2025
- Spiropali në Universitetin e Kopenhagenit: Integrimi në BE, jo arratisje nga vendi, por ndërtimi i një Shqipërie të drejtë - 01/11/2025
- Post mortum: Fatos Nano nuk është një ish - 01/11/2025