22.5 C
Tirana
05 / 10 / 2024

Zgjidhjen kërkojeni te ligji!

Nga Av. Ledio Alite

Në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, ekziston një nen, numër 3, ku thuhet se dinjiteti i njeriut është një nga bazat e këtij shteti, i cili ka për detyrë ta respektojë e ta mbrojë.

Ekziston gjithashtu dhe një nen tjetër, numër 49, ku thuhet se secili ka të drejtë të fitojë mjetet e jetesës së tij me punë të ligjshme. 

Apo një tjetër, numër 53, ku thuhet se kushdo ka të drejtë të martohet dhe të ketë familje, duke gëzuar mbrojtjen e veçantë të shtetit.

Më tej, vijojnë dispozitat e tjera më pak thelbësore, siç janë ato për Kuvendin, Këshillin e Ministrave, Avokatin e Popullit etj.

Këtë trekëndësh kushtetues, dinjitet-punë-familje, e hulumtova online. Dhe çfarë pashë? Linku i parë, “Ulen martesat dhe lindjet, shtohen divorcet në Evropë, kryeson Italia, Spanja, Franca”. Linku i dytë, “Shumë amerikanë mendojnë se ekonomia është e manipuluar”. Linku i tretë: “Shqiptarët drejt pakësimit dhe plakjes së popullsisë me ritme të shpejta”. Linku i katërt: “Mungesë e fuqisë punëtore në Shqipëri”. Linku i pestë: “Edhe punonjësit e huaj largohen nga Shqipëria”. Linku i gjashtë: “Çfarë po ndodh me çmimet e apartamenteve në Tiranë?”. Linku i shtatë: “Të rinjtë nuk mbyllin dot muajin me shpenzime bazike”. Linku i tetë: “Rriten dhe rriten çmimet”. Linku i nëntë: “E reja jeton me macen”. Linku i dhjetë: “Dhe le të këndojë qyqja mbi këtë gërrmadhë”. Pyes veten, asnjë lajm shpresëdhënës nuk gjen algoritmi për këtë trekëndësh, praktikisht trekëndëshin e jetës?

Kemi dëgjuar teori të ndryshme nga profesorë të shquar, opinione se fashizmi është kudo, se ky nuk është kapitalizëm por tekno-feudalizëm, se bota është në një spirale shumë të vështirë. Por mua më pëlqen të mendoj praktikisht, dhe arsyetimi mban një erë, atë të Luftës Botërore. Praktikisht në këtë çmendinokraci, pra pushtetin e çmendurisë (etikoj kështu për shkak të paradokseve të llahtarshme që ekzistojnë në përditëshmëri), lind nevoja të deduktojmë se kjo që po jetojmë në fakt është një kohë lufte, e cila konsiston në një element kryesor: “Hijen”, “Të padukshmen”, “Pasigurinë”.

Kështu, nëse do ecnim me këtë arsyetim, sigurisht do duhej ta çonim më tej në prizmin e drejtë, atë ligjor, për të mos i bërë dispozitat kushtetuese të përmendura më lart fjalë kashte, se nuk janë. Përkundrazi, janë vullneti i shqiptarëve, këtij populli që po jeton në këto kohëra e që dëgjon për plane mbi ekonominë, por jo për ekonominë e tij.

Duke qenë se nuk kemi një parashikim të veçantë për këtë lloj situate të jashtëzakonshme, pasi Kushtetuta parashikon vetëm masa të jashtëzakonshme lidhur me rrethana konkrete, të dukshme, me pasoja të sigurta, elasticiteti i vetëm gjendet në instrumentin e Referendumit. Si formë e vetëvendosjes, nëse aplikohet me ligj të veçantë siç dhe është detyrim kushtetues për shtetin (e papranueshme absenca), ndoshta do të bëjë më të prekshëm debatin publik, duke e larguar më shumë përgjegjësinë e shtetit për të garantuar dinjitet-punë-familje (një mision që po dështon dita ditës), dhe duke e afruar atë në duart e njerëzve. Ndoshta, me këtë mekanizëm do të mundemi të zgjohemi nga gjumi për t’u angazhuar të gjithë në çështje publike me karakter ekonomik (ku fillon dhe mbaron halli), në mënyrë që këtë qoshen tonë të vogël të globit, ta kthejmë në një pit-stop të garës së çmendur në botë. Dhe nëse nuk e arrijmë, mos ia hedhim më fajin të tjerëve, por të paktën të dështojmë krenarë.

Nuk do ishte keq, por pyetja është: Kush do ta bëjë? Dhe me kë do ta bëjë?

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x