26.5 C
Tirana
09 / 07 / 2025

Si të (mos) plakesh vetëm në Shqipëri

Nga Valbona Sulçe 

19 tetori është një ditë me diell, por në Korçë është zyrtarisht dimër. Qyteti i famshëm juglindor i Shqipërisë, qyteti i kalldrëmeve dhe kërnackave apo lakrorit me dy petë, e di që duhet t’i bëjë llogaritë mirë me të ftohtin, ndaj çdo familje merr masa që në fillim për dru zjarri. Në mënyrë të vecantë këtë e dinë pensionistët , si Joana, Niko, Jani apo Dallendyshe, të cilët i gjej të ulur jashtë në oborrin e një restoranti. Këta janë një grup të moshuarish që kanë ardhur të festojnë një ditëlindje. Nuk e njohin njëri- tjetrin, jetojnë në lagje të ndryshme të Korçës, por i ka bërë bashkë programi i Rrjetave të Sigurisë. Një projekt nga Dorcas Aid international për të mbështetur të moshuarit e vetmuar dhe në nevojë në Qarkun e Korçës. Janë gjithsej 355 të moshuar nga mosha 58 deri 90 vjec , që mbështeten prej 5 vitesh me ndihma ushqimore, medikamente dhe aktivitete sociale.

“Ditëlindjet janë një prej aktiviteteve që ne organizojmë me këtë grup,- shpjegon Viola Cekani, Menaxhere programi prane Dorcas Albania. “Sepse nuk mjafton vetëm ndihma materiale dhe medikamentet, janë të moshuar që kanë nevojë të ndihen gjallë, të ndjejnë që dikush kujdeset për ta. Zonja e ditëlindjes është e ve, jeton me vajzën e saj, dhe nuk është në gjendje të mirë ekonomike. Dje i bëmë surprizë në shtëpi me nxënësit e shkollës që e uruan për ditëlindje, sot po ia festojmë me të moshuarit e tjerë.”

Dallandyshja qëndron në fillim të tavolinës, e veshur me të zeza. Në fytyrë ka një trishtim që nuk ia heq dot as gëzimi i ditëlindjes. “Hera e fundit që kam festuar ditëlindjen ka qenë kur kisha burrin gjallë, para 30 vitesh,” thotë. “Zoti i bekoftë djemtë dhe vajzat e Dorcas-it, sidomos Gëzkën (Gëzimin) shoferin, për ndihmën që më japin. Me pensionin tim prej 8000 lekësh në muaj, është shumë e vështirë të mbijetoj. Kam për të paguar qeranë, ujin, dritat.Të paktën kam ushqimet e hequra. Këtë vit më sollën dhe dru zjarri. Zoti e sheh zemrën e njerëzve ndaj më solli këta njerëz pranë.”

Atmosfera e gëzuar e fillimit, nuk mban gjatë. Secili prej këtyre të moshuarve që janë sot këtu kanë histori familjare të trishta. Ka prej tyre që jetojnë vetëm si Niko dhe Jani, sepse u kanë vdekur bashkëshortët dhe fëmijët. Psh Jani, ka punuar dikur kaldaist, i kanë vdekur tre fëmijë dhe gruaja. Tani ka 3 nipër jetimë, për të cilët duhet të kujdeset ai. Tapicieri Niko, jeton vetëm që kur i ka vdekur gruaja, vajzat i janë martuar. “Paraditja kalon njëfarësoj, po pasditja nuk shtyhet,” thotë me një shprehje të vuajtur në fytyrë. Në lagjen time ka më shumë gra vetëm, iu kanë vdekur burrat.”

Ndërsa për Joanën, jeta është dyfish e vështirë. E martuar që 15 vjeç nga Mokra, me baba të alkolizuar, bashkëshorti gjithashtu i alkolizuar, i biri sot ndodhet në burg në Greqi. “Nuk më flet djali, thotë Joana, dhe sytë i mbushen me lot. Më bën me faj sikur e futa unë në burg.” Joana, ashtu si dhe të tjerët ka nostalgji për kohën para demokracisë. ” Të varfër ishim atëherë, po kishte dashuri. Tani nuk të shikon njëri me sy. Unë jam e sëmurë, ” dhe nxjerr një pompë frymëmarrjeje pasi nuk ndihet mirë. “Nuk e mendoja se jeta ime do ishte kështu kur të plakesha. Mamaja më vdiq kur isha 6 muajshe dhe unë vendosa që do kisha 6 fëmijë, secili me nga dy fëmijë, një çupkë e një djalkë. Në shtëpinë e vjehrrës ku jetoja kishim një tavolinë të madhe dhe unë do ta mbushja plot me fëmijë e gëzim. Në fakt, tani jetoj vetëm këtu, në shtëpi me qera, me gjëra të falura nga gratë që u shërbeja. Kam frikë të vdes natën se dera është është e mbyllur. Po të paktën kam Dorcas-in. Ata nuk do më lënë (të vdes vetëm.)”

Ndryshimi i ndihmës sipas nevojave

Projekti i Rrjetave të Sigurisë Komunitare lindi nga programi i sponsorizimit për të moshuarit që Dorcas po zbatonte që nga mesi i viteve 2000. Një familje në Hollandë dërgonte një sasi fikse parash për të ndihmuar për një vit një të moshuar të vetmuar në Shqipëri që ishte në vështirësi ekonomike. Kjo shumë ishte e mjaftueshme për një pako me miell, vaj, oriz, makarona, sheqer dhe djath me vlere 2000 leke dhe u çohej çdo 2 muaj përfituesve. Në fillim ishin 45 vetë, sot 355.

Përvec pakove ushqimore, Dorcas ndihmon edhe me nevoja të tjera bazë. Organizata mban një fond të vogël për ilaçe dhe së fundmi, edhe dru për ngrohje. Në rastin e Aksinjas, e cila është rritur në shtëpinë e fëmijëve, Dorcas pagoi borxhin e saj të ujësjellësit. Aksinja është e pamartuar dhe jeton në një apartament të vockël që e ndan me dy persona të tjerë dhe 4 macet e saj.

“Nuk kisha ujë 8 vjet, sepse nuk kisha ta paguaja. Me ndihmën ekonomike që merrja 2,000 lek nuk me dilte,” thotë ajo. “Dorcas pagoi borxhin dhe tani kam ujë. Më dhanë dhe sobë dhe dru për dimër, disa djem nga Hollanda më ndihmuan ti fusja brenda. Sa të mirë ishin!”

Aksinja është një forcë e natyrës. Lëviz me biçikletë në moshën 63 vjecare, megjithëse check-up i fundit organizauar nga Dorcas, i nxorri disa probleme me diabetin. Aksinja është shumë aktive dhe në aktivitetet e tjera të Dorcas-it si psh vizitat në muzeume, etj.

Në vitin 2017, programi ndryshoi. Donatori ua bëri të qartë që për ta bërë të qëndrueshëm, duhet të fillonin ta mbanin vetë programin. “Vitin e pare na dhanë buxhet për 12 muaj, vitin e dytë për 11 muaj, pastaj për 10 muaj. Këto dy muaj duhet ti ngrinim vetë fondet,” tregon Ilia Dishnica, drejtor i Dorcas Albania. Dhe lindi Kova Blu , një inisiativë e mbledhjes së ndihmave ushqimore nga komuniteti. “Po ecte mirë, pastaj pllakosi kriza dhe bizneset u rrudhën, me të njëjtën sasi parash, mbushim vetëm 2 të tretën e kovës.” Dorcas organizoi Kovën Blu edhe në Tropojë para dy vitesh, ku prej 2001-it po punojnë në agroturizëm, me të rinjtë dhe ka shpresë që të cojë Rrjetat e Sigurisë për të moshuarit edhe atje së shpejti.

Vullnetarët e vazhduan edhe këtë vit fushatën Kova Blu. Ata besojnë se pas 30 vitesh mbështetjeje nga të huajt, është koha që komuniteti të investojë për të mbështetur të moshuarit në nevojë. Sepse nevojat e tyre janë më të mëdha sesa organizata mund të ofrojë. Psh, ata kanë nevojë për ngrohje, duke qenë Korça një qytet me dimra të ftohtë- më mirë pa bukë se pa dru zjarri, thonë ata- dhe Dorcas nuk mund ta sigurojë atë, përveçse në raste të vecanta. Ndaj Dorcas këmbëngul që nevojitet ndërhyrja e autoriteteve lokale.

Drejtoresha e Shërbimeve Sociale në Bashkinë Korçë, Mariana Jorgji, thotë se të moshuarit mbështeten brenda mundësive njerëzore dhe buxhetore të bashkisë. Psh, 200 të moshuar marrin shërbim cdo ditë në 4 qendrat ditore që u trashëguan nga Dorcas dhe tani menaxhohen nga Qarku. Si politikë për të përmirësuar jetën e të moshuarve, Bashkia Korçë përmend Kartën e Pensionistit, i cili prej vitesh ofron disa shërbime falas si psh shërbimin e transportit urban, ndjekjen e ndeshjeve në stadium dhe në pallatin e sportit, ulje të çmimit të biletës në teatër në masën 50%, ulje në masën 20%- – 50% në disa shërbime si në njësi tregtimi, apo shërbimesh të nevojshme për moshën e tretë, disa shërbime e analiza mjekësore falas nga klinika në qytetin tonë. Për vitin 2022 parashikohet që këtë kartë e kanë përdorur 800 të moshuar.

Aksinja nuk është një prej tyre. Ajo nuk ka dijeni për Kartën e Pensionistit, nuk e përdor transportin publik dhe nuk frekuenton qendrën ditore pasi ndodhet larg banesës së saj.

Të moshuarit në fshat

Të moshuarit që jeojnë në fshat nuk e përdorin dot Kartën e Pensionistit. Ndërsa banorët e qytetit kanë mundësi të mbështeten në disa shërbime, strukturat e kohezionit social në fshatra janë edhe më të dobëta. Varfëria është ulur këmbëkryq dhe vetëdijësimi i komunitetit për nevojat e njerëzve të vetmuar është shumë i ulët.

Në Qarkun e Korçës jetojnë 220 mijë banorë, të organizuar në 6 bashki. Tre nga këto bashki, nuk ofrojnë asnjë shërbim për të moshuarit, sipas një analize të shërbimeve sociale në nivel lokal kryer nga UNDP. Një studim i ILO-s në 2021 e konfirmon këtë situatë, duke vlerësuar se për 100 mijë të moshuar në nevojë për kujdes afatgjatë në Shqipëri, vetëm 1.6% e tyre marrin shërbime sociale. Me Korçën në vend të parë në renditjen e qarqeve me shërbime për 4.2% të të moshuarve, mund të imagjinosh çfarë bëhet në qarqet e tjera.

Studimi i ILO-s nënvizon gjithashtu se të moshuarit që jetojnë vetëm dhe në zona të largëta- afësisht 46 përqind e popullsisë mbi 65 vjec- janë shumë më vulnerabël. “Nuk kanë anëtarë familjeje që të kujdesen për ta, nuk kanë qasje në shërbimet formale të kujdesit afatgjatë, qofshin këto shërbime rezidenciale, shërbime në shtëpi apo shërbime komunitare. Të moshuarit në zonat rurale përballen edhe me pensione më të ulëta, akses të kufizuar në programet e shëndetësisë ose mbrojtjes sociale, thotë studimi.

Kjo është arsyeja pse ndihma e Dorcasit me Rrjetat e Sigurisë fokusohet në fshatra dhe zona të largëta. 2/3 e listës jetojnë jashtë qytetit të Korçës, në Devoll, Pustec, Maliq, Gjonomadh, Shtyllë, etj. “Po mundohemi të mobilizojmë komunitetet në fshatra për të vendosur kontakte me ata që jetojnë pranë të moshuarve të vetmuar, duke i bërë thirrje njerzillëkut dhe detyrës qytetare, po është shumë e vështirë, ” thotë Ilia.

Ilia thotë që në qytet edhe mund të kuptohet pse nuk ka vëmendje. “Po në fshat , me 100 banorë, nuk janë në gjendje të mbajnë 2-3 të moshuar? Unë këtë nuk e pranoj dhe nuk e kuptoj dot,” revoltohet ai. “Duhet filluar nga shkolla, sepse edukimi për moshën e tretë çalon.” Një ish mësues i anglishtes, Ilia tregon se gjatë kohës së monizmit ai u fliste vazhdimisht fëmijëve për kujdesin ndaj moshës së tretë që nga sjellja në autobus, ndihma ndaj të pamundurve, etj, ndërsa sot mësuesit janë indiferentë ndaj kësaj. “Mjaftohen me programin mësimor dhe kaq. 30 vjet kulturë individualiste, asnjë investim nuk është bërë,” thotë me dëshpërim Ilia.

Empatia mund të jetë e lindur, po edhe mund të mësohet. Mësohet duke i vënë njerëzit në kontakt me njëri tjetrin. Fëmijet reagojnë më mirë kur shohin njerëz në nevojë dhe duan të ndihmojnë. Psh, në fshat një në cdo dy shtëpi është e pabanuar, ndërsa edhe mundësitë për rrjetëzim janë më të vogla. “Ka familje që nuk kanë as telefon, jo më smart. Mund të kenë telefona shtëpie, po kursejnë se paguajnë faturat e tjera.” tregon Artenida, vullnetare te Dorcas. E megjithatë, Artemisa është habitur nga dashuria që ata japin. “Mund të jenë trokë, po nuk të nxjerrin kurrë nga shtëpia pa qerasur, çfarë të kenë. Janë shumë të dashur. Ndërkohë që ke njerëz të pasur dhe nuk të japin gjë.”

Që investimi tek fëmijët është një aset për shoqërinë, e shohim të pasqyruar tek Elisi, vullnetarin e Dorcas-it. ” Kam qene ne klasë të trete ose të katërt kur vija dhe luaja këtu në oborrin e Dorcasit, sepse qendra ofronte dhe shërbime për fëmijët. Më pas në shkolla, kanë ardhur na kanë folur për solidaritetin, për ndihmën ndaj të moshuarve. Sot jam 19 vjeç dhe jam vullnetar sepse besoj që cdo gjë kthehet, sic kanë bërë ata për ne, duhet të bëjmë dhe ne për ata. 1 orë mbase për ty nuk është asgjë, për një të moshuar është shumë. është jeta.”

Dorcas e ka vënë theksin tek moshimi aktiv, duke ofruar për të moshuarit veprimtari që vënë në lëvizje potencialin e tyre. “Ne i shohima ata si asete, jo si njerëz në nevojë.” thotë Vjola. Psh një nga gratë e programit, pikturon xhamat e lokaleve për festat e Fundvitit ose zbukurimet e Pemës së Krishtlindjeve. Gjitahshtu ajo punon veshje me shtiza dhe i shet. Të tjerë në fshat kanë krijuar pemtore për të cilat kujdesen të marrin prodhime gjatë gjithë vitit. Në Shtyllë u kanë blerë pula të gjenerojnë të ardhura për ekonominë familjare.Kampionatet e dominosë janë një aktivitet tjetër për burrat që e kanë cuar deri në Memaliaj, një qytet afër Tepelenës, jashtë qarkut të Korçës. Një zotëri i moshuar qepi çanta, të cilat i qëndisi vajza e një moshuari tjetër dhe i shitën. Qendrat e Formimit Profesional mund t’i angazhojnë si trajnerë, por problem është mosha e madhe dhe gjendja e tyre shëndetësore. Shumica janë të pamundur për të lëvizur.

Ata që ikin e ata që mbeten

Plakja e popullsisë dhe emigrimi i moshës për punë po bëhet një problem në Shqipëri. Shifrat e fundit nga INSTAT tregojnë se mosha mesatare është rritur në dy dekadat e fundit nga 33.2 vjeç në 38.2 vjeç, ndërkohë që popullsia ka pësuar rënie që nga viti 1990 në 2.8 milion- një rënie prej 15% sipas vlerësimit të OKB-së. Demografët e lidhin arsyen kryesore të kësaj rënieje me emigrimin e moshës riprodhuese. Në 2021, popullsia shënoi rënie shqetësuese prej 1.3%. Emigrimi jo vetëm largon kapitalin njerëzor që duhet për ekonominë e vendit, por dobëson edhe sistemin e pensioneve.

UNFPA ka paralajmëruar për pasojat e plakjes së popullsisë që në vitin 2017, kur u krye studimi i fundit demografik dhe shëndetësor.” Ne e pamë prirjen e plakjes së popullsisë në atë periudhë pasi nivelet e lindshmërisë ranë përtej ripërtërirjes demografike- që është aftësia e popullatës për t’i rezistuar dhe për të marrë veten nga ndryshimet strukturore, thotë Elsona Agolli, menaxhere programi pranë UNFPA-së. Për Shqipërinë, ky prag është 2.1 fëmijë për familje, tani kjo shifër është 1.3.

Agolli vëren gjithashtu se popullsia mbi 65 vjec pothuaj është dyfishuar në pak vite dhe tani përbën 15.% përqind të popullsisë, shkaktuar sidomos nga emigrimi i moshës aktive 15-49 vjec.

“E humbëm momentin atëherë, por jemi optimistë se sërish mund ta përmirësojmë situatën,” thotë ajo.

Edhe Korça është një qytet që po plaket me shpejtësi. Shifrat thonë se për vitin 2022 kishte normën më të ulët të lindshmërisë dhe atë më të lartë të vdekjeve. Artemisa dhe Elisi thonë se Korça është kthyer në një qytet të moshuarish pasi të rinjtë po ikin. “Shoqja ime iku në Itali dhe punon shitëse, pavarësisht se ka përfunduar shkollën e lartë për sociologji. Rrogat janë shumë të ulëta këtu. Pensionet po ashtu. Ka njerëz që jetojnë me 40 mijë lekë në muaj, që janë fare pak.” Korça ka një traditë emigrimi të hershëm që në vitet 20, kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas rënies së komunizmit, njerëzit filluan të emigronin sërish kryesisht në Greqi, ndërsa vitet e fundit ka një rritje të emigrimit sërish drejt SHBA-së ose Kanadasë. Elda Zavalani, farmaciste, psh emigroi në Kanada në vitin 2000 dhe u kthye në vitin 2005, sepse kishte prindërit vetëm. “Ka lagje të tëra që kanë mbetur vetëm me të moshuar, psh lagjet e vjetra, po ndryshe nga vendet e zhvilluara ne nuk kemi një sistem mbrojtës për ta. vërtet fëmijët mund t’i mbështesin me para, po nuk ka njerëz që t’u shërbejne, të ndjejnë që po kujdesen për ta.”, thotë Zavalani, e cila është një prej bashkëpunëtoreve të Dorcasit në programin e rrjetave të sigurisë.

Ndihmë pwr të Vetmuarit

Zj Agolli konstaton një vëmendje të shtuar të Qeverisë për urgjencën e ndihmës ndaj të moshuarve, megjithëse nuk ka një departament të vecantë për ta në Ministrinë e Linjës. Kjo qasje reflektohet edhe në nivelin lokal, ku një administrator shoqëror është përgjegjës për të gjitha shtresat. UNFPA po ndihmon qeverinë të zbatojë Planin Kombetar të Moshimit 2020-2024, miratuar në vitin 2019. Plani parashikon që të ndërtojë 10 qendra të moshuarish, të ofrojë 50 mijë vizita në familje dhe të ngrejë kapacitetet e pushtetit lokal për t’i shërbyer më mirë të moshuarve. Ndërsa jemi në mes të gjysmës së planit, nuk ka ende një analizë se çfarë është arritur nga objektivat. Studimi i ILO-s vëren se ” edhe nëse të objektivat do të arrihen, boshllëqe të rëndësishme mund të vazhdojnë të mbesin.”

Këtë vit, UNFPA filloi të punonte me 17 bashki- Korça nuk është në listë- për të përmirësuar shërbimet për të moshuarit. Qasja është e ngjashme me atë që zbaton Dorcas: kohezion mes brezave dhe ndihmë ndaj të moshuarve për të mbetur aktive. Strategjia e UNFPA-së parashikon propozime si incentivizimi i të moshuarve për t’u kujdesur për të vegjlit, kalimi i shërbimeve te të tretët për të moshuarit si psh OJF, të cilat trajnojnë vullnetarë për të plotësuar nevoja të veçanta të të moshuarve.

Gëzim Tushi, një sociolog i njohur dhe funksionar me përvojë të gjatë në Shërbimin Social Shtetëror, thotë se “paradigma e njohur sipas të cilës, kur shoqëria plaket, shërbimet sociale duhet të rinovohen, akoma nuk është bërë efektive.” Pa mohuar progresin që është bërë në krijimin e një strukture mbrojtëse për moshën e tretë, prof Tushi nënvizon se tani nevojitet më tepër ritëm nga ana e pushtetit vendor, sidomos “për të bërë vlerësime reale të nevojave që kanë të moshuarit në komunitet dhe mbi këtë bazë edhe të ndërhyjnë me të gjitha format: që nga kujdesi mobil dhe i personalizuar në shtëpi, shërbime të strukturuara në komunitet apo përmes krijimit të qëndrave ditorë apo rezidenciale për të moshuarit e komunitetit që janë nën juridiksionin e bashkive përkatëse.”

Mira Pirdeni, aktiviste e njohur për moshën e tretë dhe drejtuese e organizatës së parë për moshimin aktiv ASAG , e vë gjithashtu theksin tek mungesa e politikave të përshtatshme për moshën e tretë. “Shqipëria është një vend me një tranzicion të zgjatur, i cili ka prekur negativisht të moshuarit. Strukturat politike dhe shoqërore kanë anashkaluar problemin e të moshuarve duke e bërë atë një problem kronik, megjithëse zhvillimet demokratike kanë ofruar mundësi. Varfëria e të moshuarve është shkaktuar nga pensionet joadekuate, mungesa e qasjes në shërbime dhe diskriminimi për të qenë aktiv në moshim.” Zj Pirdeni thotë se shembujt kanë treguar se kombinimi i vullnetit politik, inovacionit dhe përfshirjes në komunitet, varfëria është dicka që mund të kapërcehet. Ajo këmbëngul që bashkitë të prioritizojnë të moshuarit në buxhetet e tyre, sepse ka një nevojë emergjente për të ofruar mekanizma të tjerë për ta përtej familjes, sipas modelit të qyteteve miqësore me të moshuarit që nxisin ndërvepimin dhe mirëkuptimin midis brezave.

Përvoja e Dorcasit me projektin e Rrjetave të Sigurisë tregon se kur ka vullnet nga ana e pushtetit lokal, rrugëzgjidhja gjendet. Psh Në fshat, Dorcasi ka rreth 2/3 e të moshuarve. Vjola thotë se me Bashkinë Maliq kanë vendosur një bashkëpunim të mirë, duke nënvizuar qasjen personale të drejtuesve. “Kemi ndërtuar disa shtëpi me 50% financim, kemi hapur një qendër ditore, bizneset janë të gatshme të ndihmojnë, sepse kryetari i bashkisë e vlerëson këtë që po bëjmë.”

Të sigurosh asistencë për nevojat e përditshme si psh të përgatisësh ushqimin, bësh pazaret ose të shkosh te mjeku mund të jenë hapat e parë drejt trajtimit të problemit themelor të vetmisë së të moshuarve , sipas një studimi nga UNFPA in Europën Lindore dhe Azinë Qendrore. Sondazhi i bërë në 6 vende nuk gjeti lidhje midis niveleve të mbështetjes emocionale dhe vetmisë, i cili mund të sjellë një rrezik të lartë mortaliteti për të moshuarit si duhanpirja ose obeziteti, thotë UNFPA. Kjo do të thotë që në këtë popullatë, sigurimi i mbështetjes së përditshme bazike për të moshuarit do të ishte më efektive në trajtimin e vetmisë.

Këta ekspertë po sugjerojnë praktikisht atë që po bën Dorcas. Organizata po synon ta çojë modelin e vet në Veri të Shqipërisë, por këmbëngul që duhet të përfshihen bashkitë, sepse burimet e tyre njerëzore janë të kufizuara. “Një OJF nuk mund të sigurojë qëndrueshmërinë e shërbimeve, thotë Cekani.

Të sigurosh mbështetje të rregullt do të thotë të kesh njerëz. Me një ekip prej 4 vetësh dhe 14 vullnetarësh, Dorcas mund të sigurojë vizita një herë në 2 muaj tek 355 të moshuarit që ndihmon, por mbështetje duhet çdo ditë dhe për shumë të tjerë. Lista e tyre e pritjes është e gjatë dhe përfshin të moshuar me nevoja të ngutshme. Një problem tjetër është mungesa e të dhënave të sakta për të moshuarit e vetmuar në Shqipëri.

Organizata bën thirrje për më shumë bashkëpunim, jo vetëm me bashkitë, por edhe me institucionet fetare shkollat, farmacistët, infermierët dhe komunitetet në përgjithësi për të ndërtuar rrjeta më të gjera sigurie, që t’u japë cdo të moshuari jetën që meriton.

Sic thotë Elda Zavalani, “shpesh, ajo që mund të bëjmë, është ajo çka duhet të bëjmë.”

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x