28.5 C
Tirana
23 / 07 / 2024

Gra si ti/ Anila Paparisto, zysha e përjetshme që zbulon shëndetin e lumenjve nëpërmjet insekteve

Kur të gjithë iknin nga Shqipëria më 1997, një biologe që sapo kishte mbaruar specializimin në Belgjikë, u kthye në vendin ë saj. Donte të ndërtonte karrierën e saj këtu dhe pasionin e saj për gjërat e padukshme sic i quan, ta ndante me shumë të tjerë, sidomos të rinj e të reja. Anila Paparisto, biologia që zbulon shëndetin e lumenjve nga insektet që rriten në to, që beson se çdo njeri mund të bëhet natyralist, vazhdon prej 24 vitesh të frymëzojë breza të tërë studentësh, por edhe çdokënd që e njeh me dashurinë që ka për shkencën, atdheun e natyrën.

Zysh Anila, ju keni një profil profesional që është praktikisht një jetë e tërë në shkencë. Keni 24 vjet përvojë në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor. Jeni lektore që nga viti 1994 ne lëndën e Zoologjisë Intervertebrore dhe Didaktikë Mësimdhënie në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Keni marrë titullin ‘profesor’ në vitin 2011 dhe prej 2013 jeni anëtare e Akademisë së Shkencave. Në vitin 2011 jeni anëtare e ‘Rrjetit të Grave në Shkencë’. Nga viti 1995 jeni anëtare e Shoqatës së Biologëve Shqiptarë. Ndërkohë para dy vitesh, jeni anëtare e Rrjetit të Grave Shqiptare në STEM. Keni autorësuar më shumë se 80 artikuj shkencor, 10 libra të botuar. Një karrierë e jashtëzakonshme do të thoja, shumë dinamike dhe natyrshëm lind një pyetje: Cfarë e furnizon gjithë këtë pasion tuajin për Biologjinë?

Me thënë të drejtën nuk i kisha numëruar ndonjëherë dhe nuk i kisha dëgjuar të renditura, sepse unë në jetën time nuk është se i kam peshuar të gjitha këto gjëra për të kuptuar që ato kanë rënduar. Për mua këto gjëra kanë ardhur në mënyrë të natyrshme, kanë ardhur si pjesë e dëshirës dhe pasionit që për mua është pjesë e jetës. Biologjia më ka tërhequr që kur kam qënë e vogël, më ka tërhequr natyra. Mbaj mend që një herë kur kam qenë në klasë të 7-të, na dhanë një detyrë për të shkruajtur një hartim me temën “Cfarë dëshiron të bëhesh”, dhe unë shkruajta në hartimin tim që ajo që më frymëzon dhe më pëlqen është natyra kështu që do dëshiroja të merresha me natyrën. Mbase në klasë të 7-të nuk isha aq e pjekur sa për të kuptuar se biologjia do të ishte jeta ime dhe e ardhmja, megjithatë mendoj që është dicka që ka ardhur natyrshëm.

Më pëlqen natyra, më frymëzon me faktin, sepse duke e parë dhe studiuar atë gjej ekuilibra, por gjej njëkohësisht zgjidhje, të cilat nëqoftëse ne njerëzit do të dimë t’i shohim edhe t’i ndjejmë, mjafton që t’i kopjojmë edhe do të jemi të suksesshëm. Kështu që kjo më bën që të jem e apasionuar pas natyrës dhe të mos e mendoj se është një kohë e gjatë që unë merrem me karrierën apo me kontributet e mia, pasi këto i bëj me shumë dëshirë. 

Ju keni kryer një master për Biologjinë molekulare dhe Bioteknologjinë në Universitetin e Brukselit, pra keni pasur një lloj mundësie edhe për të vazhduar karrierën tuaj jashtë vendit. Pse vendosët të ktheheni në Shqipëri dhe për më tepër një vit si 1997 që ka qënë një vit i vështirë për të gjithë ne? Me gjithë mundësitë e pakta që ofronte vendi ynë në këtë fushë asokohe, cfarë ju bëri të ktheheni e të krijonit karrierën tuaj këtu?

Për të qenë e sinqertë edhe unë e kam menduar këtë gjë, që në një kohë ku të gjithë shokët dhe shoqet e mia lanë Shqipërinë edhe zgjodhën që të jetojnë larg saj, unë zgjodha që të kthehesha. Zgjodha që të kthehesha, por nuk është se u mendova, pasi u largova nga Shqipëria për të bërë masterin me idenë dhe dëshirën për tu kthyer. Asnjëherë nuk e kam menduar të largohem nga Shqipëria, nuk e di pse. Pavarësisht problemeve që ka pasur vendi ynë, fakti që kam dhënë kontribut dhe kam ndjerë peshën dhe kthimin mbrapsht të kontributit që kam dhënë, gjithmonë më ka motivuar për të ecur përpara. Do të thosha që jam ndjerë mirë gjithmonë në vendin tim, pavarësisht nga problemet që ka. Në mënyrë të sinqertë do të thosha që ka ditë që nuk ndjehem mirë, por analiza e asaj cfarë mund të bëj, më ndihmon përsëri që të gjej forca për të ecur përpara. Kështu që jam kthyer me shumë dëshirë, nuk e kam kthyer asnjëherë kokën mbrapsht, edhe vazhdoj të jem këtu, sepse jo vetëm që më pëlqen, por njëkohësisht edhe më motivon. Kudo që të isha, nuk mendoj se do të kisha mundësinë të jepja të njëjtin kontribut që mendoj se kam dhënë për vendin tim, kështu që mendoj se kam bërë një zgjedhje të mirë.

Ju prej vitit 2014 jeni anëtare e Komisionit Shtetëror të Akreditimeve për arsimin e lartë. Keni qënë për një mandat 2008-2012 zëvendës dekane arsimore dhe kërkimit Shkencave të Natyrës. Nga viti 2005 jeni eksperte për zhvillimin e kurrikulës dhe aktualisht jeni zëvendës rektore e Universitetit të Tiranës. Si e shihni sistemin arsimor në Shqipëri në fushën e shkencës? A është i përputhshëm me simotrat e tjera në botë, duke patur parasysh që shkenca flet me një gjuhë të përbashkët kudo?

Atëherë, të flasësh për kërkimin në Shqipëri është një fushë shumë e madhe dhe e gjerë, edhe kuptohet që kërkimi ka sfidat e veta. Në një vend si Shqipëria , në të cilin problemet ekonomike janë të shumta, këto probleme reflektohen jo vetëm ne institucionet e arsimit të lartë, por edhe në institucionet kërkimore, të cilët pavarësisht nga formimi i njerzve që vijnë e punojnë në to, shpesh herë është e vështirë të japin kontribute të mëdha dhe të rëndësishme, sepse mungojnë mjetet dhe financimet. Megjithatë unë do të thosha që në vitet e fundit ka ndryshuar situata. Në Universitetin e Tiranës, numri i projekteve të cilët stafet tona akademike fitojnë, jo vetëm në nivelin kombëtar por edhe në atë ndërkombëtar, është rritur. Përshembull, për fondin e Zhan Mone-së, Universiteti i Tiranës aplikoi me 8 projekte dhe fitoi me 6 prej tyre. Kjo do të thotë që jo vetëm trajnimi i njerëzve, por njëkohësisht edhe hapja e tyre, dhe autonomia që ligji i ka dhënë insititucioneve të arsimit të lartë për të ngritur fonde, ose përfshirja e kërkimit shkencor si kusht për të ecur në karrierat akademike, i ka shtyrë njerëzit për të kuptuar se shqiptarët janë të aftë që jo vetëm të kërkojnë, por edhe të japin kontribute të rëndësishme edhe në nivel ndërkombëtar.

A janë kontributet tona të krahasueshmë me ato që jep bota? Sigurisht që jo, sepse një vend i vogël, në të cilin mbështetja financiare për kërkimin është duke u rritur pak nga pak, nuk mund të ketë kontribute të krahasueshme. Por unë do të thosha që në vendin tonë ne kemi mundësinë për të dhënë kontribute mbi njohjen e vendit, sepse kërkimi nuk është thjesht për të krijuar konceptet e reja, por edhe të njohësh vendin tënd. Kështuqë ka shumë botime, të cilat vijnë me të dhëna nga Shqipëria që janë jo vetëm të mirëpritura në arenën ndërkombëtare, por edhe të botuara në revista “faktor impakti” dhe krahas tyre ka edhe kontribute që shkojnë përtej njohjes së dijes që ne na nevojitet për të ecur përpara në vendin tonë. Kështu që unë do të thosha që ne kemi të gjitha mundësitë që duke njohur hapësirat por njëkohësisht edhe duke i shfrytëzuar këto hapësira, ta cojmë kërkimin përpara në Shqipëri.

Ne CV tuaj thuhet se fusha e eksperitës është “Endemologji, Taksonomi, Biodiversitet Makrointervertebror si biointegrues në lumenj”, më pas fusha e studimit bëhet pak më e thjeshtë “Insektet”. A mund të më shpjegoni më thjesht se cfarë janë këto fusha që unë përmenda më sipër, cfarë kanë të vecantë insektet dhe si lidhen ata me përditshmërinë tonë?

Më përpara ju thatë që unë kam mbaruar Biologjinë, më pas kam studiuar në Bruksel për Biologji Molekulare Bioteknologji dhe kur jam rikthyer në Shqipëri në vitin e famshëm ’97, në Universitet kërkova që të punoj në fushën e Biologjisë dhe Bioteknologjisë dhe më thanë që dëshira jote është e bukur, por nuk është momenti që të bësh një gjë të tillë, pasi që të japësh një kontribut në këto fusha kërkon një mbështetje laboratorike, por njëkohësisht edhe kite, të cilat në atë moment nuk ishin në dispozicion. Më thanë që e vetmja gjë që kemi në dispozicion është që të merresh me studimin e insekteve. Për të qënë e sinqertë nuk është se insektet ishin pasioni im dhe nuk e kisha menduar ndonjëherë. Ëndrra ime që të shkoja në Biologji ishte të punoja në Gjenetikë, në Biologji Molekulare, të jepja kontributin për të ndryshuar sjelljen e shoqërisë kundrejt sëmundjeve, të ushqyerit. Pra, koncepte që më kishin tërhequr gjatë gjithë kohës. Kështu që asnjëherë s’e kisha menduar që edhe insektet mund të ishin aq të rëndësishëm sa unë t’u dedikoja jetën time. Megjithatë duke qënë pragmatiste, thashë duke qënë se unë kam vendosur të kthehem e të punoj, pse jo, le ti njoh dhe insektet. Njohja e parë që kam pasur me insektet ka qenë me morrat e bimëve. Afidet janë insekte interesante që mbase gjithësecili prej jush i ka parë, në trëndafila janë, insektet e vogla të gjelbërta. Nuk ishte shumë e kollajshme ,sepse që ti studioje duhet të përgatisje preparate mikroskopike, ndaj nuk e gjeta veten brenda dhe i thashë profesorit tim, Kastriot Misja, që nuk më pëlqen. Po mirë më tha, atëherë hajde të studiojmë koleopterët. Koleopterët janë flatrafortë ku futet edhe nusepashka, kacadrei. Dhe kur i pashë thashë ‘’ok, këto ngjajnë më interesantë’’. Megjithatë prapë nuk isha e ndërgjegjshme për punën e madhe që duhet të bëja, sepse janë rreth 800 mijë lloje koleopterësh. Në Shqipëri studimi i këtij grupi ka qënë i bazuar në pjesën më të madhe të kohës në një numër shumë të kufizuar studiuesish të vendit, por njëkohësisht edhe të huaj. Kështu  që puna që mora përsipër të kryeja ishte jashtëzakonisht shumë e madhe. Megjithatë, brenda 3-4 vitesh unë arrita të koleksionoja në bregdetin shqiptar rreth 100 lloje të reja për Shqipërinë, dhe besoj kushdo tjetër që do ta vazhdojë këtë punë ka jashtëzakonisht mundësi për të gjetur lloje të reja. Pasi Shqipëria, pavarësisht se është një vend i vogël ka një diversitet shumë të madh të habitateve, por njëkohësisht ka dhe habitate të paprekura akoma. Kjo bën që shumëllojshmëria e llojeve të botës së gjallë të jetë e mahnitshme. Njëkohësisht, duke i ruajtur këto lloje që shpesh herë janë lloje endemike, ose lloje që janë të rrezikuara në botë, të përfaqësojë një pikë në glob, e cila merr rëndësi përtej rëndësisë kombëtare. Kështu që koleopterët u bën pasioni im dhe duke i studiuar për herë të parë në jetën time, pavarësisht se kisha studiuar biologji, biologji molekulare, e kisha kuptuar se c’do të thoshte molekulë ose atom në ndërtimin e një substance, e një organi prapë nuk më kishte shkuar në mendje për të kuptuar se insektet paraqesin një diversitet brenda ndërtimit të tyre që është i mahnitshëm. Ngjyrat, format, fakti se si ndryshojnë nga njeri-tjetri për një gjemb apo për një qime, për një pikë, për faktin që pikat janë në formën e një grope ose në formën e një gunge që asnjeri nuk e shikon kur e merr një insekt në dorë, më bëri të kuptoj që natyra është aq shumë e pafundme, edhe njëkohësisht aq e mencme për të gjetur zgjidhje të mbijetesës. Sidomos të mbijetesës, pasi insektet jetojnë në cdo lloj habitati apo mjedisi. Kudo ku të vesh dorën ka insekte të përshtatura për të jetuar në atë lloj mjedisi. Kjo gjë më frymëzoi dhe më dha një dimension të ri në jetë, një dimension për të vlerësuar botën mikro, atë që nuk e shohim. Dhe për të kuptuar që vendimet nuk duhen marrë vetëm bazuar në atë që shohim, po edhe duke vlerësuar gjithmonë atë që ne si qenie njerëzore nuk e shohim dot me shqisat tona. Kështu që insektet erdhën në një mënyrë rastësore në jetën time, por më pas u shndërrua në pasionin tim dhe tashmë dy grupet kryesore me të cilat unë punoj janë Odonata (Pilivesa) dhe Lepidopterët (Fluturat). Janë dy grupe shumë simpatike. Shqipëria ka rreth 70 lloje odonatash, ndërkohë që Europa ka 160 lloje. Pra, në Shqipëri gjenden rreth gjysmat e llojeve të odonatave të Europës, dhe kjo gjë e bën edhe më sfiduese mbrojtjen e habitateve. Kemi rreth 206 lloje fluturash dhe për të dy këto grupe, kontributi im është jo vetëm në grumbullimin, studimin, identifikimin dhe pasurimit të muzeut të Shkencave të Natyrës me koleksion të këtyre individëve, që mendoj, shpresoj dhe uroj do jenë një pasuri e rëndësishme për brezat që do të vijnë, jo vetëm për t’i parë dhe njohur se cilat janë llojet që kanë ekzistuar në Shqipëri, por edhe të kuptuar dhe krahasuar se si kanë ndikuar dhe do të ndikojnë ndryshimet klimatike biodiversitetin e vendit tonë. Njëkohësisht edhe për të ofruar një kontribut të mbetur për të ardhmen, duke prodhuar ato që ne i quajmë në shkencë monografi, të cilat janë studime ku në mënyrë të përmbledhur studiuesi flet për një grup të caktuar duke e përshkruar atë, jo vetëm me të dhëna mbi ciklin e jetës, mënyrën se si jetojnë, faktorët që i dëmtojnë, të ardhmen e këtyre grupeve në raport me ndryshimet që ndodhin, por njëkohësisht duke evidentuar me harta vëndet në të cilat këto lloje janë gjetur. Monografia e Odonata-ve tashmë është botuar, me mbështetje të AKSH-it, ndërkohë që është bërë pjesë edhe e faqes së Universitetit të Tiranës, të Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Ndërkohë me një grup kolegësh nga Belgjika jemi duke punuar për të përfunduar faqen interaktive online për fluturat e Shqipërisë. Kam nje grup kolegësh të apasionuar pas Shqipërisë, të cilët po ndihmojnë jo vetëm mua por cdo njeri tjetër që është i interesuar për fluturat e Shqipërisë. Për të kuptuar se cilat janë fluturat e Shqipërisë, ku gjenden ato, cili është statusi i tyre i rrezikimit. Kjo faqje po shoqërohet me të dhënat e fluturave, me fotografitë e tyre dhe me habitatet, të cilat janë ekstremisht interesante, për cdo njerin që do ketë dëshirën për ti studiuar dhe për ti parë.

Ju thatë që merrem me bio-indikator, pasi insektet janë bio-indikatorë të ndotjes së ujërave në lumenj, ose në liqene, dhe kjo është prapë një fushë e rëndësishme e kërkimit. Pothuajse jo vetëm unë, por në skuadër, sepse duhet kuptuar që studimet nuk bëhen asnjëherë vetëm. Ka studentë të cilët marrin pjesë në këto skuadra, ka kolegë, të cilët kanë qënë studentë,  por sot janë profesorë, shkencëtar e studiues. Ne jemi një skuadër, e cila prej më shumë se 15 viteve tashmë, merret me studimin e insekteve si bio-indikator të ndotjes në lumenj. Insektet jetojnë në fazën larvare në ujin e lumenjve, edhe ti mjafton t’i marrësh me anë të një rrjete të thjeshtë mostra dhe në laborator të shikosh se cilat janë grupet kryesore të insekteve. Shkencëtarë e studiues nëpër botë kanë gjetur një korelacion midis familjes apo gjinisë të një grupi të caktuar dhe një numri i cili tregon vlerën që ky grup ka në raport me ndotjen. Pra, sa e suporton ose jo ndotjen. Kështu që duke bërë një përafrim matematikor ti arrin të kuptosh brenda një kohe shumë të shkurtër dhe pa shpenzime të mëdha se cila është gjendja shëndetësore e lumit. Në momentin që biologu zbulon që gjendja e lumit është përkeqësuar, atëherë thërret në ndihmë kimistë dhe fizikantë të cilët bëjnë analiza. Këto analiza kushtojnë dhe kjo është një mënyrë se si sot në botë, por edhe në Shqipëri, është gjetur për të monitoruar shëndetin e lumenjve dhe jo vetëm nga specialistë, por edhe nga njerëz të thjeshtë të apasionuar. Kështu që një nga synimet e mia, duke qënë se merrem jo vetëm me biologji dhe studimin e insekteve, por merrem dhe me edukimin e mësuesve të rinj, është formimi i këtyre moduleve kurrikulare që mësuesit të formojnë nxënësit e tyre për t’u bërë natyralistë ose për t’u bërë njerëz, të cilët e duan natyrën edhe ndihmojnë në monitorimin e saj. Pasi është e vështirë për mua që jam në Tiranë të gjendem në çdo pikë çdo ditë. Ndërkohë që një mësues ose një nxënës që ndodhet në territorin e vet, afër një habitati të rëndësishëm, por të largët nga vendi ku unë jetoj, mund ta grumbullojë informacionin në kohë. Kjo është mënyra ose rruga të cilën kam përzgjedhur tashmë dhe kam menduar që mënyra më e mirë për ta përhapur dijen është midis pushtetit të dijes dhe fjalës që mësuesi ka për të formuar nxënësit e vet. Kam zgjedhur këtë rrugë, pra po shkoj tek mësuesit sepse po i formoj, mësuesit do të shkojnë tek nxënësit dhe njëkohësisht duke i ndihmuar me module që i tregojnë këtyre njerzve që mund të jenë monitoruesit e ardhshëm se si mund të vlerësojnë gjendjen e ujërave dhe lumenjve në Shqipëri. Kjo bëhet drejt idesë për të formuar një rrjetë në nivelin kombëtar me monitorues, me njerëz të zakonshëm të apasionuar që mund ta bëjnë një gjë të tillë. Përvec kësaj, po me mbështetjen e AKSH-it këtë vit, kemi fituar përsëri një projekt tjetër, cili do të mundësojë jo vetëm ëebsajtin e fluturave, por edhe atë të odonatave të Shqipërisë, të cilat janë gjithashtu një indikator i rëndësishëm i ndotjes në lumenj.

Ndërkohë jemi munduar që ta shtrijmë punën duke bashkëpunuar me kolegët, të cilët janë ekspertë në fushën e IT dhe Informatikës, që të gjithë këtë punë që kemi bërë me bioindikatorët, kemi krijuar një program, në të cilin nëqoftëse ti i vendos familjen e mostrës që gjen në një lumë të caktuar, ky app kalkulon vet dhe të jep vlerën e ndotjes që ka. Nuk janë punë të mëdha, janë punë të vogla, të cilat për ne janë shumë të rëndësishme. Jam e bindur që nëse të gjitha këto do të shkojnë në vendin e duhur, atëherë vlera e tyre do të jetë shumë më e madhe sesa vlera e një kërkimi, vlera e një kontributi të një departamenti apo universiteti. Pasi nëse shteti shqiptar i vlerëson këto kontribute, mendoj që edhe të dhënat që shteti ka për të marrë vendime për ndryshime apo edhe zhvillime, do të bënin që këto ndryshime dhe zhvillime të ishin shumë më të mirëpritura për mjedisin, për të ardhmen dhe për cdo njeri që dëshiron që e ardhmja të jetë më e sigurtë sesa sot.

Sa gjëra të bukura që po bëni! Nuk mendoj që mund ta thotë dikush më bukur që shkenca apo artikulli shkencor është i rëndësishëm, por ta marrësh shkencën e ta cosh tek njerëzit për t’u treguar se sa e rëndësishme është për jetën e tyre dhe se si mund të ndryshojë të ardhmen. Uroj që programi për natyralistët të mos jetë vetëm për fëmijët, por edhe për njerëzit që nuk janë të këtyre fushave, por që vendosin që ti kthehen natyrës.Meqënëse jemi duke folur për temën e ndryshimeve klimatike, për biodiversitetin, ju jeni cituar në një mesazh të shpërndarë në një fushatë të bërë nga Kombet e Bashkuara “Pa gratë dhe kontributin e tyre nuk mund të ketë të ardhme të planetit”. Do të na e shpjegoni shkurtimisht këtë?

Sigurisht! Ju flisni dhe unë u emocionove në faktin që nuk e mendoj që asnjë njeri në këtë planet e mendon ndryshe. Pasi gratë jo vetëm që përbëjne pak më shumë se gjysmën e popullsisë së këtij planeti, por njëkohësisht përfaqësojnë rezervuarin e mendimit, të një vizioni që cdo mendim i tyre përmban në vetvete paqen në rradhë të parë, dëshirën për të investuar në mënyrë të qëndrueshme, edhe njëkohësisht respektin për atë që nuk jam unë, pra për atë që është afër meje. Kjo vjen në mënyrë të natyrshme të gruaja, pasi ajo lind dhe rrit fëmijë, kështu që duke lindur dhe rritur fëmijë, ajo mendon që çdo veprim që bën të jetë jo vetëm për sot, po edhe për nesër. Ta bëj jo vetëm për vete, por edhe për atë që ka lindur. Ta bëj që ai/ajo që ka lindur, të jetojë në një botë po aq të bukur sa do doja të jetoja dhe unë. Kështu,që këto instikte natyrore të gjinisë femërore, sigurisht që janë pasuri dhe vlera për të gjithë planetin. Dhe nëse planeti nuk do ta vlerësonte atë që natyra ia ka dhënë në kromozome gjinisë femërore, unë mendoj që do të ishte e pamundur që planeti të siguronte një të ardhme të sigurtë për të ardhmen. Pra, gratë janë të mencme ashtu sikundër dhe burrat. Gratë janë punëtore ashtu sikundër dhe burrat. Gratë janë krijuese ashtu sikundër dhe burrat. Por nëqoftëse shoqëria nuk do ta vlerësonte këtë peshë të tyre, unë jam e bindur që cfarëdolloj vendimi që do të merrnim, nuk do të ishte i duhuri, i dobishmi dhe nuk do të ishte ai që do t’i jepte një të ardhme të qëndrueshme edhe për brezat e tjerë planetit tonë. Gruaja është personazhi i cili ka marrë përsipër, vazhdon të marrë, dhe besoj se do të marrë gjatë gjithë kohës cfarëdolloj pengese që i del përpara duke mos u penguar, por duke gjetur rrugën për ta kapërcyer. E si e tillë, nëse ke guxim të bësh dicka të tillë, ku ka më mirë. Cdo gjë që të del përpara në nivelin e shoqërisë, në nivelin e vendimarrjes këtë guxim do, që të mos pengohesh po të gjesh rrugën për ti kapërcyer ato pengesa dhe mendoj që gruaja e bën këtë në mënyrë të shkëlqyeshme.

Shumë mesazh i bukur. Ne ju kemi njohur si shkencëtare, si zysh, si drejtuese, si eksperte e arsimit të lartë dhe si promotore e lidhjes së rëndësishme që njeriu duhet të ketë me natyrën. Nga ky diskutim  nxjerr mesazhin që duhet të rikthehemi te natyra dhe duhet të mundohemi të kopjojmë sadopak ekuilibrat e natyrës në jetën tonë, pasi do të shpëtonim nga hallet dhe shqetësimet që i fusim vetes. Jemi kuriozë të njohim si është Anila përtej kuadrit të ekspertes së punës. Si është jeta juaj, pasionet tuaja, familja, hobit që keni? Cfarë bëni jashtë kuadrit rregullator të punës suaj dhe pasionit brenda punës suaj?

Anila është grua, është mama, është shoqe, është mike, është punëtore. Atehere, jeta ime është një jetë e cila është formatuar duke vendosur në bazë punën edhe dëshirën për të ndihmuar dhe për tju gjendur pranë të gjithë njerzve që njoh dhe nuk njoh. Për mua cdo njeri që më vjen përballë dhe më kërkon ndihmë, unë atë që mundem e jap. Jam mama, kam dy goca. Gocat e mia janë rritur e tashmë janë bërë dhe më të mëdha se mua. Megjithatë ato jo githmonë mendojnë që mamaja e tyre i përmbush të gjitha kriteret dhe standartet, kështu që i mirëpres shpesh herë qortimet e tyre; faktin që ato mendojnë ndonjëherë ndryshe nga mua dhe kjo më ka bërë të kuptoj që është shumë e rëndësishme të tolerosh, të mirëkuptosh, dhe të kuptosh që jo çdo gjë që ti mendon është e vlefshme dhe e rëndësishme dhe për të tjerët që të rrethojnë ty.  Kështu që në këtë jetën time kam zhvilluar nivelin e tolerancës, nivelin e respektit, jam munduar që të kuptoj fëmijët e mi, por njëkohësisht edhe të kërkoj falje prej tyre, sepse jo gjithmonë cdo gjë që kam bërë ka qenë e bukur, e mirë apo funksionale. Përballja më e madhe me gabimet e mia është me fëmijët e mi. Jam e lumtur që janë rritur dy vajza të mira dhe të bukura, të cilat kanë edhe ato pasionet e tyre, por edhe mama e tyre ka pasione. Midis pasioneve, njëri është kërcimi. Më pëlqen shumë të eci, më pëlqen të eksploroj edhe më pëlqen të ndërtoj, nga hici të ndërtoj dicka duke përdorur cdo gjë që kam vërdallë. E bëj edhe me rrobat e mia, duke i ndryshuar e duke i dhënë një frymë të re. Gjë që e ka trashëguar dhe goca ime e vogël, edhe asaj i pëlqen të ndërtojë. Po kam dhe pasione të tjera: nuk më pëlqen të gatuaj. Mundohem që të gatuaj e prodhoj gjëra cilësore për fëmijët. Mbase fakti që mua nuk më pëlqen të gatuaj ka qënë dhe pozitiv, pasi gocat e mia janë mësuar të hanë gjëra të thjeshta, por të shëndetshme, jo shumë të skuqura, jo shumë sheqer, pra ashtu sikundër natyra i ka bërë produktet e saj. Pasioni im është edhe të lexoj dhe të eksploroj njohuri të ndryshmë nga ato që di dhe njoh. Më pëlqen shumë historia, më pëlqen të kuptoj prej saj. Më pëlqen tjetër të kem shokë e miq, të organizoj festa për ta, të ndihmoj shoqet kur shkojnë të blejnë në dyqan dhe jam shumë e lumtur kur ato blejnë fustanin e bukur që mua më pëlqen shumë dhe jam e lumtur që ato e kanë blerë. Unë jam një njeri i thjeshtë, nuk jam e komplikuar. Mendoj që sa më i thjeshtë të jesh dhe sa më pranë çdo njeriu që të vjen në jetë, aq më bukur është. Pasi cdo njeri që takojmë është një fat. Në 7 miliardë njerëz që ka në botë, cdo mik që kemi, cdo pjesë e jetës së dikujt tjetër  që bëhet pjesë e jetës sonë është një fat, pasi nga cdo takim i tillë ne mund të mësojmë, mund të rritemi, mund të ndryshojmë.  Duhen respektuar të gjitha këto eksperienca të vogla, të gjitha këto dëshira, pasione që na vijnë në mënyrë rastësore dhe që ne mund t’i ndihmojmë duke dhënë fryte të dobishme për gjithësecilin. Por nëse nuk jemi të kujdesshëm mund t’i shkatërrojmë e t’i prishim, dhe kjo nuk do të ishte e dëmshme vetëm për ne, por për gjithë ekzistencën e jetës, dashurisë dhe dëshirës për jetën. Parimi im është të vlerësoj cdo gjë që më vjen dhe të ofroj në ato pak caste apo momente apo edhe në një kohë të gjatë atë cka unë do dëshiroja që dikush të ma ofronte mua.

Podcastin e plotë mund ta shikoni këtu

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x