34.4 C
Tirana
05 / 09 / 2026

“Zgjidhja nuk është përplasja e institucioneve”- Pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ministri Gogu: Të martën e zgjidhim konfliktin në Kuvend, plotësojmë boshllëkun ligjor

E marta e 8 shtatorit do jetë dita ku konflikti institucional mes Magjistratëve dhe Ekzekutivit do të marrë zgjidhje ligjore nga Parlamenti.

Ministri i Drejtësisë Toni Gogu në një deklaratë për mediat sot (5 shtator) ka bërë me dije se boshllëku ligjor që ekziston në lidhje me pagat e gjyqtarëve do të plotësohet në Kuvend ditën e martë, kur edhe nis sesioni i ri parlamentar.

“Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi, në mungesë të formulës dhe autorizimin ligjor. Ministri e Financave nuk mund të zbatojë vendimin e GJK ndaj kjo mospërputhje duhet të plotësohet tërësisht aty ku Kushtetuesja e ka caktuar të zbatohet. Në ligj nuk duhet asnjë ekuivok ndaj të martën ky boshllëk ligjor do të plotësohet, me nisjen e sesionit të ri parlamentar”, tha Gogu mes të tjerash.

Më tej ai sqaroi se zgjidhje nuk është përplasja e institucioneve.

“Zgjidhja nuk është përplasja e institucioneve, por në Kuvend në ditët e ardhme, që pritet të një ditë të ngarkuara pune”, tha ai.

Gogu thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve është i detyrueshëm për t’u zbatuar, por aktualisht mungon baza ligjore për formulën e pagës.

Ai shtoi se boshllëku do të plotësohet në sesionin e ri parlamentar, duke theksuar se zgjidhja duhet të vijë nga Kuvendi dhe jo nga përplasja mes institucioneve.

Fjala e ministrit Toni Gogu:

Paraja publike është para e qytetarëve, jo e qeverisë. Çdo qindarkë e buxhetit të shtetit duhet të ketë autorizim ligjor për t’u shpenzuar. Ky është parimi më i rëndësishëm për të gjithë, vlen për të gjithë njësoj. Këtë përgjegjshmëri që qytetarët presin nga ne, do ta mbrojmë pa asnjë hezitim.

Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të zbatueshme, janë të detyrueshme për t’u zbatuar, nuk negociohen, nuk relativizohen. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve është i detyrueshëm për t’u zbatuar nga çdo institucion.

Zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe përgjegjshmëria për zbatimin e buxhetit kërkojnë autorizim të qartë ligjor për ta zbatuar. Këtu na është krijuar edhe problemi. Është boshllëku ligjor shkaku i gjithë situatës në të cilën ne ndodhemi sot.

Nuk kemi arritur këtu se dikush kërkoi më shumë dhe dikush kërkoi më pak. Kemi arritur sepse na mungon baza ligjore për formulën e pagës së magjistratit, të cilën Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi. Në mungesë të autorizimit ligjor, Ministria e Financave është në pamundësi për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ky boshllëk ligjor do të plotësohet në Kuvend, në sesionin e ri parlamentar. Detyra ime është që kjo të bëhet sa më shpejt dhe në përputhje të plotë me përgjegjshmërinë ndaj buxhetit.

Zgjidhja nuk është që institucionet të përplasen, por zgjidhja është në Kuvend, në ditët në vijim. Ky do të jetë drejtimi ynë, kjo do të jetë edhe detyra ime në rolin e ministrit të Drejtësisë, për ta zgjidhur këtë mosmarrëveshje”.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x