Nga Adriatik Doçi
Dhëndri zëhollë i Sali Berishës, Jamarbër Malltezi, i pandehur për korrupsion dhe pastrim parash, krahas kompanive të sekustruara me kërkesë të SPAK për pastrim parash, ka hapur edhe dy biznese për ‘kauza mjedisore’, duke ngritur dyshime për një tjetër skemë përfitimi në emër të mbrojtjes së natyrës. Në shkurt të vitit 2017, Malltezi, i cili ka nisur të publikojë edhe kujtime nga burgu, është regjistruar si person fizik me nipt (L71407002O), me objekt përkthime, redaktime gjuhësore si dhe konsulencë në fushën e menaxhimit të projekteve, vlerësimit dhe auditimit mjedisor.
Aktivitetin në dy fusha që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën e ka pezulluar në maj 2028, duke e aktivizuar sërish në shkurt 2020. Nuk ka të dhëna të aksesueshme për veprimtarinë financiare. Mungojnë çdo vit bilancet. Si kontakt është shënuar adresa e e-mailit të Studio Pustina, (info.studiopustina@yahoo.com), pjesë e dosjes së SPAK-ut për skemën e mashtrimit dhe pastrimit të parave nga Jamarbër Malltezi me kulla dhe mbi pronë publike të tjetërsuar, duke përdorur pushtetin e vjehrrit.
Sipas dosjes së SPAK ka qenë pikërisht një bllok i zi dhe kompjuteri i Studio Pustinës që kanë nxjerrë zbuluar mashtrimin me kontratën për blerjen e kompanisë Homeplan“ nga Jamarbër Malltezi me 35 % dhe Xhimi Begeja me 25 %, ndërsa Fatmir Bektashi do t’i mbeteshin 40% të aksioneve. Jamarbër Malltezi ka arkëtuar nga Homeplan miliona euro divident sikur ka qenë ortak që nga viti 2014. Dokumenti i kontratës në fakt është shkruar dhe nënshkruar më 21 shtator 2018. Dokumenti është përpiluar nga Laura Pustina, noterja e Familjes Berisha, e cila është motra e financieres Andia Pustina, e pandehur për pastrim parash për dosjen e ish Klubit Partizani.
Në tetor të vitit 2008, kur Berisha ishte në pushtet, dhëndri i tij Jamabër Malltezi themelon kompaninë ‘Mjedisi dhe Zhvillimi i Qendrueshem’, bashkë me Ardian Shehun dhe Lirim Selfon, me nipt K82210001R. Lirim Selfo është njohje e dhëndrit zëhollë. Selfo ka marrë pjesë në hartimin e planit rregullues të Tiranës në vitin 2013, plan i mbrojtur nga Malltezi, kur Bashkia e Tiranës drejtohej nga Lulzim Basha. Përmes planit, i rrëzuar më pas nga socialistët, Malltezi dyshohet se diktoi njollat e ndërtimit në kryeqytet.
Ndërkaq, Ardian Shehu, sipas dosjes së SPAK, ka shërbyer si kamuflim i një skeme korrupsioni të Jamarbër Malltezit, i cili u merrte pagesa kompanive investitore si haraç në këmbim të VKM-ve të vjehrrit kryeministër. Bëhet fjalë për rastin e Hidrocentralit të Ashtës dhe të tjerë hidrocentrale që pasi merrnin licenca nga VKM-të e kryeministrit, shpiknin punë dhe pagesa për dhëndrin Jamarbër Malltezi për vite me radhë, duke kaluar mijëra euro në llogaritë e tij personale në banka të ndryshme të Tiranës.
Kompania Mjedisi dhe Zhvillimi i Qendrueshëm nga Malltezi, Delfo dhe Shehu u themelua në 7 tetor 2008. Më 17 tetor 2008, Sali Berisha, asokohe kryeministër, miraton një VKM për ndërtimin, pronësinë, shfrytëzimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e projektit të një hidrocentrali të ri në Ashtë, Bushat të Shkodrës nga kompania Österreichische Elektrizitätsëirtschafts-Aktiengesellschaft.
Më pas kompania përfituese ka kontraktuar Jamarbër Malltezin për vlerësimin dhe ndikimin në mjedis të hidrocentralit të Ashtës. Nga viti 2008 deri në vitin 2013, Ardian Shehu, në emrin e kompanisë së hidrocentralit, ka kaluar 81 595 euro në llogari të Jamarbër Malltezit. Ky i fundit ka marrë para gjoja si ekspert i ndikimit në mjedis edhe nga kompania e hidrocentralit të Devollit, nga Mati Hidropower Plant, një bashkim hidrocentralesh më të vogla etj., për të cilat Berisha ka miratuar VKM.
Mjedisi dhe Zhvillimi i Qendrueshëm shpk, me ortak Jamarbër Malltezin, është çrregjistruar në prill 2009. Është tejet i dyshimtë fakti që Malltezi e themeloi kompaninë 10 ditë para se Berisha të firmoste VKM-në për hidrocentralin e Ashtës, por nuk dihet nëse dhëndri ka përfituar të ardhura të tjera nga kjo kompani nga klientët e qeverisë së vjehrrit, krahas shumave që i kalonte në llogari Adrian Shehu.
‘Kontributin Patriotik’
Jamarbër Malltezi do të mbahet mend për një term të ri dhe marifet në sofistikimin e korrupsionit dhe pastrimit të parave. Bëhet fjalë për ‘Kontributin Patriotik’, i reflektuar në dosjen e SPAK-ut. ‘Kontributi Patriotik’ është një kod zhvatje, skemë korrupsioni, pastrimi parash dhe përdorimi të pushtetit për pasurimin e Familjes.
Përmes ‘Kontributit Patriotik’, dividentit dhe konsulencës fiktive, dhëndri Malltezi fitoi 5.4 milionë euro si trashëgimtar i pretenduar i 114 m2 tokë. Kompania “Homeplan”, e cila ndërtoi kullat në pronën publike të tjetërsuar nga qeveria Berisha, edhe pse deri në 2018 ishte 100 % në pronësi Fatmir Bektashit, shpërndante pagesa për Jamarbër Malltezin, të shënuara herë si ‘Kontribut Patriotik’, herë si divident dhe herë për konsulencë.
Fatmir Bektashi, i cili sipas dosjes së SPAK ka shërbyer si bankomat i dhëndrit zëhollë, është pronar me 100 % të aksioneve edhe i kompanisë Kontakt. Kompania Kontakt ka në pronësi bashkimin e kompanive Kontakt shpk & Magnet Imo shpk. Jamarbër Malltezi, nën akuzë nga SPAK bashkë me Bektashin për korrupsion dhe pastrim parash, është pronar me 50 % të aksioneve të kompanisë Kontakt shpk & Magnet Imo shpk. Kompania Kontakt shpk vijon të marrë leje për kulla nga Farka deri në Drilon.



- Dita e 84-t e protestës/ Marshimi nis me tension, një pjesë e protestuesve nuk e ndjekin. Tubuesja: Nuk u lejova as të shprehja mbështetjen për këtë lëvizje - 22/08/2026
- Ditëlindja e Madonna në Korfuz “përplas” politikën greke/ Sulmi i deputetes: Nuk jemi plantacion. Ministri: Na solli reklamë miliona euroshe - 22/08/2026
- Arjani dhe arnat-at e rrjetit - 22/08/2026