Zjarri në landfillin e Elbasanit vijon prej pesë ditësh. Edhe pse intensiteti vërehet të ketë rënë disi, zjarri ka lënë pas ndotje të madhe të ajrit dhe rrezik serioz për shëndetin e komunitetit përreth. Pavarësisht përpjekjeve intensive për shuarjen e flakëve dhe ndërprerjen e djegies në thellësi, vatrat vijojnë të jenë aktive.
Mbi 20 mijë metër kub dhera janë hedhur deri tani, por mungesa e materialit ka vënë në vështirësi ekipin në operacion. Gjatë natës së fundit, rreth 50 kamionë me dhera janë sjellë nga Tirana për të përballuar emergjencën. Aktualisht po punojnë 30 forca, ndërsa aty ndodhen dhe 7 mjete zjarrfikëse, të cilët po punojnë për normalizimin e situatës.
Në përballje me situatën e krijuar, Prefekti i Qarkut Elbasan, Ilir Bejtja, thirri në një takim urgjent kryetarët e 7 bashkive të qarkut. Megjithatë, në sallë ishte i pranishëm vetëm kryebashkiaku i Librazhdit, ndërsa përfaqësuesit e tjerë ishin zëvendësuar nga stafet e tyre. Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të Shtabit të Emergjencave Civile dhe Kolonel Vladimir Nasufi.
Prefekti Bejtja ngriti shqetësimin për përmasat që po merr ndotja nga zjarri, ndaj kërkoi të përdorej çdo mjet financiar që bashkitë kanë në dispozicion për krijimin e bazave teknike dhe ndërhyrje të menjëhershme në raste të tilla.
Nga ana tjetër, Kolonel Vladimir Nasufi evidentoi mangësitë në menaxhimin e zjarrit që në fazat e para. Si ekspert, vlerësoi se operacioni duhet të drejtohet nga një person i vetëm.
Tymit të dendur dhe ndotjes së ajrit u janë ekspozuar për ditë me radhë qindra banorë. Pasojat mjedisore dhe shëndetësore janë të pashmangshme.
- Frika nga gjumi post- elekt. - 09/07/2025
- Banorët në Theth përplasen me policinë: Nuk kemi bërë asnjë krim, shteti po na masakron! - 09/07/2025
- Një plagë që ende kullon gjak - 09/07/2025