29.6 C
Tirana
27 / 06 / 2026

Vaksina ndaj Covid mbron edhe zemrën, studimi: Ul ndjeshëm rrezikun për infarkt dhe goditje në tru

Një studim i ri ka zbuluar se vaksina e përditësuar kundër Covid-19 nuk mbron vetëm nga infeksioni, por lidhet edhe me një ulje të ndjeshme të rrezikut për infarkt, goditje në tru dhe komplikacione të tjera serioze kardiovaskulare.

Sipas kërkimit, të publikuar në revistën shkencore JAMA Internal Medicine, personat e vaksinuar kishin afro 38% më pak rrezik për të përjetuar ngjarje të rënda kardiovaskulare të lidhura me infektimin nga Covid-19.

Studiuesit analizuan të dhënat e afro 1 milion të moshuarve amerikanë gjatë viteve 2024–2025. Ata krahasuan personat që kishin marrë vetëm vaksinën sezonale të gripit me ata që ishin vaksinuar si kundër gripit, ashtu edhe kundër Covid-19.

Pas një ndjekjeje mesatare prej tetë muajsh, rezultoi se grupi i vaksinuar kundër Covid kishte 37.7% më pak rrezik për infarkt, goditje në tru ose komplikacione të tjera serioze të zemrës pas infektimit me virusin.

Përfitimet u vunë re veçanërisht tek personat mbi 75 vjeç dhe ata që kishin sëmundje bashkëshoqëruese, si diabeti, sëmundjet kardiovaskulare apo problemet kronike të mushkërive. Sipas autorëve të studimit, vaksina duket se ofron mbrojtje edhe për persona që mund të jenë infektuar me Covid-19 pa e kuptuar.

Studimi evidentoi gjithashtu se personat e vaksinuar kishin rreth 6% më pak rrezik për sëmundje serioze të zemrës në përgjithësi, edhe kur ato nuk lidhen drejtpërdrejt me Covid-19. Po ashtu, u vu re një ulje prej rreth 7% e shtrimeve në spital dhe e vdekjeve nga të gjitha shkaqet.

Llogaritjet e studiuesve tregojnë se për çdo 10 mijë persona të vaksinuar, mund të shmangen mesatarisht 23 ngjarje të mëdha kardiovaskulare, 30 shtrime në spital dhe 16 vdekje.

Megjithatë, autorët theksojnë se rezultatet duhen interpretuar me kujdes, pasi studimi është kryer kryesisht tek të moshuar amerikanë, shumica meshkuj.

Ekspertët rikujtojnë se vaksinat kundër Covid-19 janë shoqëruar në raste shumë të rralla me miokardit dhe perikardit, por këto komplikacione zakonisht janë të lehta, ndërsa përfitimet e vaksinimit vazhdojnë të konsiderohen dukshëm më të mëdha se rreziqet e mundshme.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x