Kristina Selmani, 21 vjeç nga Korça, është drejt përfundimit të Shkollës së Mesme Profesionale të Ndërtimit. E lindur dhe rritur në Greqi, deri në moshën 12 vjeçare, kur u kthye në Korçë, asaj iu desh të rifillonte filloren, të cilën pavarësisht vështirësive ia doli ta përfundojë. Mësoi shqipen dhe krijoi shoqëri të re. Pas përfundimi të shkollës, ajo vendosi të mos i vazhdojë studimet, por të punojë.
Kristina ka zgjedhur të studiojnë ndërtimtari, një profesion që zakonisht preferohet nga djemtë. Megjithatë, kjo rrethanë nuk e ndali atë për të ecur me vendosmëri drejt ëndrrës së saj për t’u bërë Inxhiniere Ndërtimi.
“Jeta ime nuk ka qenë shumë e zakonshme, por kam zgjedhur t’i bëj gjërat sipas kohës sime. Studimet i rinisa në moshën 19-vjeçare”. Kristina tregon se gjatë kohës që vazhdonte studimet në Shkollën e Mesme Profesionale të Ndërtimit në Korçë, ajo u bë nënë.
“Vendosa të mos i ndërpres studimet, falë edhe mbështetjes së madhe të familjarëve të mi dhe të bashkëshortit. Gjatë vitit të dytë, teksa vazhdoja studimet, zbrisja edhe poshtë te vajza ime për ta ushqyer”.
Kristina thotë se kjo ka qenë një përvojë e vështirë, por edhe shumë e bukur, sepse gjeti mbështetje edhe nga mësuesit, drejtuesit e shkollës dhe nga nxënësit e tjerë. Arsyeja e këmbënguljes së saj për ta përmbyllur me sukses shkollimin profesional është sepse ajo synon që edhe studimet universitare t’i ndjekë në të njëjtin profesion. Zgjedhja e Kristinës mbështetet në disa përparësi tashmë të provuara të arsimit profesional në Shqipëri.
Anila Nanaj, e cila është Drejtore e Shkollës Ekonomike Teknike në Tiranë, shpjegon se ndonëse zgjedhja mes arsimit të mesëm të përgjithshëm dhe atij profesional, duket sikur qëndron në favor të të parit, në fakt, është arsimi profesional ai që mundëson që të rinjtë të kenë mundësi që të orientohen më herët drejt tregut të punës.
Nga ana tjetër, sipas drejtueses së shkollës profesionale, ky formim i mesëm u mundëson nxënëse që duan të ndjekin studimet universitare në të njëjtën degë, që të jenë më të përgatitur se bashkëmoshatarët që kanë kryer shkollën e mesme të përgjithshme kur konkurrojnë për t’u pranuar në universitet. Ata e kanë gjithashtu më të lehtë ndjekjen e studimeve të larta dhe kanë përparësi në përmbylljen e tyre me sukses, falë arsimimit të mëparshëm që kanë ndjekur.
“Në çdo ekonomi në zhvillim, sikundër është ekonomia shqiptare, arsimi profesional është çelësi që hap rrugën e një zhvillimi të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm”, thekson Nanaj.
Ky është edhe rasti i Kristinës. Zgjedhja e një drejtimi të profilizuar në shkollën e mesme i jep asaj përparësi ndaj të tjerëve për të vazhduar universitetin për Inxhinieri Ndërtimi. Gjithashtu, shkollat profesionale në Shqipëri, ofrojnë automatikisht gjysmë burse për vajzat që regjistrohen, si edhe bursë të plotë për nxënësit e shkëlqyer.
“Kjo shkollë ka qenë si një shtëpi e dytë për mua dhe jam shumë e lumtur që nuk e ndërpreva, por ndoqa ëndrrën time për t’u shkolluar dhe për t’u diplomuar. Pavarësisht se nuk ka shumë femra në këtë profesion, unë vendosa të realizoj ëndrrën time”, thotë Kristina.
“Unë dua ta vazhdoj këtë rrugë dhe të ndjek studimet e larta për Inxhinieri Ndërtimi. Do doja shumë që të rinjtë dhe të rejat, veçanërisht vajzat, duke ditur se ato nuk kanë asnjë limit, të arsimohen në një shkollë profesionale”, thekson ajo.
- Erion Braçe kap mat qytetarin me parkim pa leje në Tiranë: Pse ju merr lekët banorëve? (DEBATI ME VIDEO) - 12/08/2025
- Izraeli vret gazetarin e shquar të Al Jazeera-s dhe katër kolegë të tij në Gaza - 11/08/2025
- LOGU I BJESHKEVE/ Malësorja Aurora Lumaj nga Vukli i Kelmendit shpallet “Miss Bjeshka 2025”, kurorëzohet nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj - 11/08/2025