Pas rikonstruksionit të urës në hyrje të qytetit të Maliqit vendosen edhe portat e kësaj ure. Kryetari i bashkisë Gëzim Topçiu bën me dije se portat kanë dy funksione. Në stinën e dimrit ato do të shërbejnë për të shmangur përmbytjet në fushën e Maliqit, ndërsa në periudhën e verës me uljen e portave do të krijohen rezerva ujore për sistemin e vaditjes së tokave bujqësore.
Sipas Topçiut duke qënë se një pjesë e mirë e tokave të kësaj fushe janë torfike krijimi i kësaj rezerve ujore shërben për sistemin vaditës me infiltrim.
Shqetësimi që ngre kryebashkiaku Gëzim Topçiu ka të bëjë me mbylljen nga fermerët të kanaleve të dyta dhe të treta që shërbejnë në dimër për kullimin e tokave dhe në verë për vaditje.
Për këtë kryebashkiaku ka kërkuar mirëkuptimin e fermerëve për rikthimin në funksion të këtyre kanaleve.
Me vendosjen e portave por dhe rikonstruksionin e plotë të kësaj ure, pas më shumë se 60 vitesh mungesë investimesh, edhe për Topçiun kjo urë pritet të kthehet në një objekt i vizitueshëm për vizitorët.
Ky është një investim i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile për të garantuar eleminimin e përmbytjeve dhe rritjen e sipërfaqes së ujitur në kohën e verës në fushën e Maliqit.