Panairi i Librit hap dyert nesër në Tiranë. Shkrimtaren dhe aktoren e dashur Anissa Markarian, mund ta gjeni në dy stenda të këtij panairi dhe përveç librave të saj, edhe Anissën, mund ta takoni në panair.
Vetë Anissa e ka bërë të ditur lajmin me anë të një postimi në profilin e saj në facebook:
“Me përpikërinë e të ftuarve, që trokasin në prag në çastin kur u përmendet emri, librat lanë vatrën e furrtarit e morën udhën drejt gostisë së madhe – mund t’i shijoni që nesër, në Panairin e Librit Tiranë, 13 – 17 nëntor 2024.
Përmbledhja me tregime “Më përfytyrohesh…” dhe romani “Fshesarja e Republikës” janë dy bashkëpunime të para me dy shtëpi botuese, Shtëpia e Librit dhe Albas, sa të ndryshme në përmasat, aq edhe të ngjashme në qasjen respektuese ndaj dorëshkrimit.
U shpreh mirënjohjen time dhe u uroj një Panair me xixa!
Me botuesin Gjergj Erebara na lidh arti kinematografik dhe miqësia familjare. Është djali i vogël i regjisorit tim të parë, të gjithëditurit Gëzim Erebara, bir i mikut të shtrenjtë të tim eti, fisnikut Sulë Erebara. Bashkë me librin e ri, në stendën Shtëpia e Librit do të gjeni edhe romanin “15 ditë prilli” dhe librin autobiografik “Shtëpia te Selvia”.
Me botuesen Rita Filipi (Petro) jemi moshatare. Ajo te “Qemal Stafa”, unë te “Sami Frashëri”… Përtej arritjeve si autore, i admiroj forcën e karakterit, përkushtimin profesional dhe dashurinë për jetën. Redaktimin e librit ia besoi të papërtueshmes Dorina Basha, që e falenderoj nga zemra për punën e përkorë që ka bërë.
Një falenderim të veçantë për botuesen time historike, znj Brikena Çabej, që më shoqëroi hap pas hapi gjatë procesit krijues.
Së fundi, dy fjalë për ballinat.
Imazhi i ballinës së librit “Më përfytyrohesh…”, frymëzuar nga tema e tregimit me të njëjtin titull, është realizuar nga Jessica Keidjian, mbesa ime armene, nisur nga portreti pastel që mjeshtri Vangjush Koca W Art më pikturoi në vitin 1989.
Imazhi në ballinën e romanit “Fshesarja e Republikës” përfaqëson vashëzën-sorkadhe të përfytyrimeve të mia fëminore, qafëhollë e sygështenjë, që me kalimin e viteve m’u bë motër, shoqe, bijë dhe… betejë. Do ta kuptoni edhe më mirë kur të njihni Vezulloren, personazhin kryesor të librit.
Tryeza është gati, miq,
Jeni të mirëpritur!
Autorja
A.M.© E martë, 12 nëntor 2024 – vigjilje Panairi. Për lexuesit që dëshirojnë të më takojnë, do të jem e pranishme pranë stendave të dy shtëpive botuesve gjer të shtunën paradite.“
- Papa Françesku shenjtëron adoleshentin italian si apostull kibernetik/ Ishte vetëm 15 vjeç kur vdiq nga leucemia - 21/11/2024
- Ish-drejtori i Policisë së Shkodrës padit për shpifje deputetin Gazment Bardhi - 21/11/2024
- VIDEO/ Vermoshi dhe Thethi “vishen” me të bardha, dëbora mbulon zonat malore - 21/11/2024