Për herë të parë në histori… Kokat e shtetit të Shteteve të Bashkuara, Kinës dhe Rusisë do të ulen përballë njëri-tjetrit në një takim që mund të përcaktojë fatin e botës dhe të rendit ndërkombëtar. Pas Shtëpisë së Bardhë, edhe qeveria në Pekin konfirmoi organizimin e rëndësishëm në datën 19 nëntor, këtë të enjte, në Shenzhen, qytet që nuk është shkelur kurrë nga një lider i SHBA-së.
“Ky do të jetë takimi i parë ballë për ballë në histori midis krerëve të shteteve të Kinës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. Ata do të shkëmbejnë pikëpamje të thella mbi ruajtjen e paqes botërore dhe promovimin e stabilitetit strategjik në marrëdhëniet midis fuqive të mëdha, gjë që është me rëndësi të jashtëzakonshme. Kina, Rusia dhe SHBA-të janë të gjitha anëtare themeluese të Kombeve të Bashkuara dhe anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së; historikisht, të tre vendet kanë luftuar krah për krah për të fituar luftën antifashiste në botë”, tha Mao Ning, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme të Kinës.
Ministria e jashtme e Kinës mban mister temat që pritet të diskutohen në takimin historik të liderëve në kuadër të samitit APEC. Por fjala që dominoi deklaratën e zëdhënëses, ishte “paqe botërore”.
“Në situatën aktuale, të tre vendet mbajnë një përgjegjësi të rëndësishme për të bashkëpunuar në adresimin e sfidave globale dhe për të promovuar paqen dhe stabilitetin botëror. Forcimi i komunikimit midis Kinës, Rusisë dhe SHBA-së, menaxhimi i dallimeve dhe stabilizimi i marrëdhënieve është në interes të të tre vendeve, përmbush pritjet e bashkësisë ndërkombëtare dhe ndihmon në stabilizimin e situatës globale dhe në avancimin e dialogut dhe bashkëpunimit”, shtoi Ning.
Ekspertët theksojnë se kjo është një referencë e qartë se përveç rendit botëror, në Shenzhen, do të flitet për fundin e luftës në Ukrainë, konfliktin me Iranin dhe situatën në Lindjen e Mesme, por gjithashtu edhe ekonomia globale. Lideri i Kinës, Xi Jinping, priti në vizita zyrtare më herët gjatë këtij viti, si presidentin Trump, ashtu edhe Putinin në Pekin.
- Seanca për parashkrimin e dënimit me 2 vite burg, GJKKO rrëzon kërkesën e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla - 16/11/2026
- Tryeza historike ku vendoset për botën. Kina konfirmon takimin Trump, Putin dhe Xi Jinping, mister temat - 16/11/2026
- 3 përmbysje të mëdha elektorale në Shqipëri – a do ketë një të katërt? - 16/11/2026