18.8 C
Tirana
16 / 11 / 2026

3 përmbysje të mëdha elektorale në Shqipëri – a do ketë një të katërt?

Nga Eduard Zaloshnja

Në vitet 1920-38, u zhvilluan në Shqipëri zgjedhje gjoja demokratike, në një vend me popullsi 90% analfabete.
Në vitet 1945-90, u zhvilluan në Shqipëri zgjedhje gjoja demokratike, në një vend me popullsi 99% të frikësuar.
Më 1992, ndodhi përmbysja e parë e madhe elektorale në Shqipëri – 2/3 e pjesëmarrësve në zgjedhje votuan kundër partisë që kishte qenë pothuaj për gjysëm shekulli në pushtet!
Më 1997, ndodhi përmbysja e dytë e madhe elektorale në Shqipëri – 2/3 e pjesëmarrësve në zgjedhje votuan kundër partisë që, duke qenë në pushtet, kishte mbikqyrur katastrofën më të madhe financiare të popullsisë shqiptare – skemat piramidale!
Më 2013, ndodhi përmbysja e tretë e madhe elektorale në Shqipëri – 3/5 e pjesëmarrësve në zgjedhje votuan kundër partisë që kishte mbikqyrur tragjedinë e Gërdecit dhe vrasjet e disa qytetarëve me duar në xhepa në bulevardin e Tiranës (në sytë e kamerave televizive).
Aktualisht po diskutohet nëpër televizione, portale dhe rrjete sociale, nëse do të ketë një përmbysje të katërt elektorale. Sepse kjo partia që është tani në pushtet ka 13 vjet që e ushtron atë, dhe ka bërë shumë zullume deri më sot.
Po cilët ka përballë?
Kryeopozitar është një plak 82-vjeçar, të cilin shqiptarët e kanë rrëzuar dy herë nga pushteti me votë plebishitare. Opozitarët e tjerë të vegjël e provuan veten në zgjedhjet e fundit parlamentare, por morën vetëm nga 1.5% deri në 4% të votave në rang kombëtar.
Pra, shpresa mbetet te protestuesit bulevardorë. Po cilët janë ata? Çfarë programi kanë? Dhe si do ta realizojnë atë?
Një protestuese bulevardore i ka dhënë së fundmi përgjigje “shterruese” këtyre pyetjeve përmes një pankarte të varur në qafë (që nuk është e hijshme ta shfaq në këtë shkrim, për shkak të gjuhës së ndyrë të përdorur prej saj). Me fjalë të zbutura, filozofia protestore bulevardore në atë pankartë përkthehet kështu: “Le të ikë Rama, dhe pastaj kismet, të bëhet ç’të bëhet”…

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x