Më shumë se 80 tregtarë në pazarin industrial të qytetit të Pogradecit punojnë në kushte të vështira. Pjesa më e madhe e tyre ushtrojnë çdo ditë aktivitetin si tregtarë të rrobave të përdorura në ish-godinën e ndërmarrjes së përpunimit të drurit, pa kushtet e duhura higjeno-sanitare. Kjo për shkak të mungesës së investimeve nga ana e pronarëve të kësaj godine.
Tregtarët prej 20 vitesh punojnë këtu për të siguruar të ardhura për familjet e tyre. Ata i kërkojnë bashkisë ndërtimin e një tregu të përshtatshëm ashtu siç e kanë edhe qytete të tjera.
Kryetari i Bashkisë së Pogradecit Ilir Xhakolli, e pranon gjendjen e vështirë të këtij tregu, por nga ana tjetër ka bërë me dije se falë një investimi të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, së shpejti do të fillojë ndërtimi i tregut të ri agro-industiral, ku sipas kryebashkiakut, do të punojnë në kushte komode më shumë se 300 tregtarë.
Vetëm në tregun ekzistues punojnë më shumë se 80 tregtarë, ndërkohë që në kushte akoma më të vështira janë edhe tregtarët e fruta-perimeve, të cilët detyrohen të tregtojnë në qiell të hapur në trotuare, duke shpresuar që edhe ata të strehohen në tregun e ri, që pritet të ndërtohet së shpejti.
