35 C
Tirana
03 / 09 / 2026

Tirana në ngërçin e Veliajt, Kume: Ligji u shkel nga palët, shkarkimi tani nuk do ta zgjidhte krizën e kryeqytetit

Kryeqyteti po vuan pasojat e shkeljes së ligjit nga të gjitha palët.

Rasti i Erion Veliajt në analizën e ish kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume tregon një lojë të zhvilluar në funksion të interesave politike të momentit.

“Rast shume i dukshëm për mos respektimin e kërkesave të shtetit ligjor. E ke të shkruar në ligj sesi veprohet në një situatë të tillë , nuk e ke zbatuar, ke bërë sikur e ke zbatuar, opozitë dhe mazhorancë. E ke bërë vetëm për sa kohë qe ke menduar se të vlen politikisht por jo se do që të rregullosh atë për të cilën flet dhe deklarohesh: qeverisjen normale të komunitetit të kryeqytetit të vendit, që normale mund të jetë vetëm kur qeveriset nga ai që ka mandatin e zgjedhur”, u shpreh eksperti zgjedhor Kristaq Kume.

Deklaratat se Kushtetuesja riktheu në detyrë kryetarin e shkarkuar nuk janë të drejta sipas Kumes. Eksperti argumenton se Gjykata ka rrëzuar mënyrën e ndërprerjes së kontratës me kryebashkiakun, ku Këshilli Bashkiak nuk dëgjoi Erion Veliaj në mbledhje dhe qeveria nuk ju referua nenit 115 në Kushtetutë.

“Ligji për vetëqeverisjen vendore i cili parashikon fillimin e procedurave për ndërprerjen e mandatit kur nuk je prezent në punë, zyrë për 3 muaj. Këtë nuk e trajtoj Gjykata Kushtetuese, nuk e hodhi poshtë, nuk u mor me ligjin. Mungesa 3 mujore është shkelje e rëndë e ligjit, gjë që do të thotë atë që e bëri jo mirë dhe jo në rregull  Këshilli Bashkiak dhe Këshilli i Ministrave duhet ta ribënte”, u shpreh Kume.

Por sot kur bashkia e Tiranës drejtohet nga qelia pasi Erion Veliaj shfuqizoi kompetencat e deleguara te nënkryetarja Anuela Ristani, zbatimi i ligjit do të ishte pa vlerë pasi ngërçi nuk do të zgjidhej.

“Nëqoftëse mblidhet sot Këshilli Bashkiak dhe zhvillon procedurën e ligjshme  duke e dëgjuar Veliajn. Më pas merr vendimin për ta shkarkuar, ja dërgon Këshillit të Ministrave, i cili do kohën e vet për ta trajtuar. Duhet pastaj të mblidhet Gjykata Kushtetuese. E gjitha kjo patjetër që kërkon kohë… Vërtet zoti Veliaj nuk mund ta gëzojë më n.q.s vendoset shkarkimi, por askush tjetër nuk mund të zgjidhet në vend të tij sepse vakanca e krijuar 6 muaj përpara ditës së zgjedhjeve të ardhshme nuk kërkon plotësim nëpërmjet një procesi zgjedhor”, tha eksperti.

E vetmja zgjidhje sipas Kristaq Kumes do të jetë vendimi i Gjykatës së Lartë që duhet të specifikojë në rast të lehtësimit të masës në arrest shtëpie, se kush do të jetë përgjegjës për takimin me Veliajn për drejtimin e bashkisë së Tiranës, deri në pritje të zgjedhjeve të reja lokale.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x