Detaje të reja janë zbuluar nga provat e siguruara deri më tani për dy rusët dhe një ukrainas të dyshuar se u dërguan nga Rusia me mision spiunazhi në vendin tonë.
Gazetari Top Channel Muhamed Veliu, ka parë fotot e disa prej objekteve të gjetura në makinën e tyre tashmë të administruar në cilësinë e provës.
Krahas 1 fisheku 5.56 mm, 6.000 dollarëve disa telefonave celularë, janë sekuestruar edhe tre lingota ari. Gjetja e tre lingotave të arit ka hapur një pistë të re hetimi.
Atë se kush është personi apo personat në Shqipëri që Rusia ishte e gatshme t’i paguante me ar për informacionin që do të jepte për objektet strategjike dhe bazat ushtarake ne Shqipëri.
Top Channel ka mësuar se pesha e tyre është 10, 20 dhe 100 gram ar.
Pavarësisht se në dukje pesha është modeste, vlera e tyre në tregun e sotëm të shtrenjtuar të metalit të verdhë shkon në më shumë se 12 mijë euro.
Por më shumë se sa vlera, është forma që ka shtuar dyshimet, se në rrjetin e agjentëve rusë, mund të ketë rënë, një peshk i madh shqiptar.
Lingotat e arit janë të pa-identifikueshme, lehtësisht të transformueshme në forma të tjera dhe mjaft të kërkuara ne tregun e zi, së bashku me diamantet, për shkak të lehtësisë së transportit të tyre.
Kjo ka bërë që autoritetet hetimore t’i kushtojnë vëmendje lingotave, që ndryshe nga paratë cash, duket të jenë kërkuar specifikisht nga burimi, i cili do të tradhtonte shtetin shqiptar dhe shiste sekretet e tij.
Sipas këtij përshkrimi, burimi duket të jetë i nivelit të lartë, njohës i mirë i informacioneve të klasifikuara dhe me përvojë në fushën e agjenturës sekrete.
Hetimi ndaj dy rusëve dhe një ukrainasi është fokusuar tek interesi i tyre i posaçëm ndaj digave dhe baseneve ujore, përfshirë dhe Bovillën, që është basen uji i pijshëm për Tiranën, ndërkohë që një prej tre të arrestuarve sllavë, kishte profesionin kimist.
Sulmet me qëllim prekjen e një popullate të gjerë, nuk janë vetëm subjekt filmash me spiunë. Vetëm një vit e pak më parë, dy serbë u zbuluan pranë puseve të Deçanit në Kosovë, ku 1500 vetë u helmuan.
Arsyeja mbetet mister, por lidhja me dy serbët pranë puseve të ujit mbetet dyshimi kryesor.
/JavaNews