17.5 C
Tirana
27 / 07 / 2024

Sot në Tiranë Samiti Ballkani Perëndimor–BE, i pranishëm komisioneri Varhei. Masat e marra dhe rrugët e bllokuara

Mbahet këtë të enjte (29 shkurt) në Tiranë Samiti Ballkani Perëndimor-Bashkimi Europian ku në fokus kryesor do të jetë integrimi i rajonit dhe zbatimi i planit të rritjes ekonomike.  Në këtë Samit do marrin pjesë liderë të Bashkimit Europian si edhe zyrtarë të lartë të Brukselit.

Në Samitin që nis në orën 9:30 në ambientet e Pallatit të Kongreseve, do marrë pjesë gjithshtu edhe komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Oliver Varhei (Varhelyi).

Ky i fundit së bashku me Kryeministrin Edi Rama do të mbajnë fjalën hapëse dhe në prani të tyre do të firmoset marrëveshja mes Ministres së Arsimit, Rektorit të Universitetit të Tiranës dhe Rektores së Kolegjit të Evropës Federika Mogerini (Federica Mogherini).

Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në Facebook ku shkruan: “Mirëmëngjes dhe me veçantinë e një tjetër dite, ku Shqipëria mikpret Samitin e Ballkanit Perëndimor me BE për Planin e Ri të Rritjes, i cili do të mundësojë një mbështetje të re për gjashtë vendet e rajonit tonë, ju uroj të gjithëve një ditë të mbarë”.

Një ditë më parë presidenti ukrainas Zelenski vizitoi Shqipërinë, ku mori pjesë në samitin “Ukraina–Europa juglindore”. Në fokus të këtij samiti ishte ndihma ndaj Ukrainës, vend i cili prej 2 vitesh përballet me agresionin dhe luftën e Rusisë.

Edhe në këtë samit Shqipëria rikonfirmoi mbështetjen për Ukrainën dhe integritetin territorial të saj.

Agjenda 

09:30 MBËRRITJA E LIDERËVE (Pallati i Kongreseve)

09:45 FJALËT HAPËSE KRYEMINISTRI RAMA – KOMISIONERI VARHEI

10:45 FOTO FAMILJARE

12:00 FIRMOSJA E MARRËVESHJES

12:30 KONFERENCË PËR SHTYP

Masat

Sakaq, në kuadër të samitit që do të mbahet këtë të enjte, policia e Shtetit ka marrë një sërë masash, në kuadër të të cilave janë edhe bllokimi i disa prej aksese rrugore në kryeqytet.

Më datë 29, nga ora 12:00 deri në orën 14:00 do të ketë ndalim qarkullimi, në Rrugën e Elbasanit, Unaza e madhe perëndimore – ish-sheshi “Shqiponja” – Qafë Kashar – Rinas-aeroporti “Nënë Tereza”;

Rrugët që përfshihen në perimetrin e sigurisë së aktiviteteve dhe takimeve të pjesëmarrësve në Samit, do të kenë ndalim qarkullimi nga ora 08:00 e datës 28.02.2024 deri në orën 16:00 të datës 29, konkretisht:

Rruga “Dervish Hima” nga Rruga e Elbasanit deri tek Coin;

Rruga “Papa Gjon Pali II”, nga RTSH deri tek Coin;

Rruga “Abdyl Frashëri”, nga kryqëzimi i Librit Universitar deri tek Presidenca;

Rruga “Ukraina e lirë”, nga Gjykata Kushtetuese deri tek Vila 30;

Rruga “Themistokli Gërmenji”, nga Rruga e Elbasanit deri tek rruga “Papa Gjon Pali II”;

Rruga “Faik Konica”, nga degëzimi i Ambasador 3 deri tek rruga “Dervish Hima”;

Rruga “ Gjergj Filipi”, sheshi “Italia”, nga rruga “Faik Konica” deri tek hotel “Mariot”;

Blevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga ura e ish-hotel Dajtit deri tek sheshi “Nënë Tereza”

Për qytetarët që duan të shkojnë në aeroportin “Nënë Tereza”, më datë 28 dhe 29.02.2024, gjatë fashës orare të bllokimit të rrugëve, do të ndjekin përkatësisht drejtimin:

Vorë – Fushë Prezë – Rinas dhe kthim;

Fushë Krujë – Valias – Rinas dhe kthim;

Nga Juglindja dhe Tirana, do të ndjekin Unazën lindore – Farmacia 10 – Stacioni i Trenit – Bulevardi i Ri – Paskuqan – Kamëz – Valias – aeroporti “Nënë Tereza” dhe kthim në të njëjtin itenerar.

Për banorët dhe automjetet që gjenden në rrugët dhe blloqet e banimit, brenda perimetrit të sigurisë dhe rrugëve me bllokime të gjata në kohë, në varësi të agjendës së delegacioneve, me miratimin e drejtuesve të shërbimeve, do të lejohen të hynë dhe dalin, përkatësisht nga:

Blloku i banimit tek “Ambasador 3”, nga rruga “Sheh Ahmet Pazar” ose Faik Konica;

Blloku i banimit në rrugët “Themistokli Gërmenji”, “Jul Variboba”, “Fatmir Haxhiu” dhe “Papa Gjon Pali II”, në drejtim hyrës dhe dalës drejt Rrugës së Elbasanit;

Blloku i banimit tek dy kullat në rrugën “Ismail Qemali” dhe “Ukraina e lirë”, në drejtim hyrës dhe dalës të kufizuar nga shërbimet e sigurisë dhe dalje në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe më pas kthim i detyruar drejt bulevardit “Bajram Curri”;

Rruga “Lek Dugagjini” (para Universitetit) duke vijuar në rrugën “Faik Konica” (pas stadiumit), me dalje në Rrugën e Elbasanit, do të jetë e lirë për kalimin e mjeteve dhe qytetarëve (përjashto rastet kur ka kufizim në Rrugën e Elbasanit).

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x