17.2 C
Tirana
08 / 11 / 2026

“Kurthi i dashurisë” për shefin e Nvidia-s, dyshohet se Kina përdori spiunen për të depërtuar te ‘mbreti i mikroçipave’

Jensen Huang, themeluesi dhe drejtuesi i Nvidia-s, gjigantit amerikan që prodhon mikroçipat më të avancuar për inteligjencën artificiale, dyshohet se është bërë objekt i një operacioni spiunazhi të organizuar nga Kina.

Në qendër të çështjes është Alice Huang, një sipërmarrëse kineze dhe drejtuese e një kompanie me seli në Singapor, e cila kishte krijuar marrëdhënie biznesi me Nvidia-n. Sipas informacioneve të publikuara në mediat amerikane, mes saj dhe miliarderit amerikan me origjinë tajvaneze ishte krijuar edhe një marrëdhënie romantike, ndërsa dyshimet janë se kjo lidhje mund të jetë shfrytëzuar nga shërbimet sekrete kineze për të siguruar informacione konfidenciale nga një prej figurave më të rëndësishme të industrisë teknologjike botërore.

Sipas hetimeve, Alice Huang, emri i vërtetë kinez i së cilës është Huang Le, ishte rekrutuar dhe përgatitur për mision nga Ministria e Sigurisë Shtetërore e Kinës, institucioni përgjegjës për operacionet e inteligjencës së Pekinit. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse marrëdhënia me Huang ishte pjesë e planit fillestar të spiunazhit apo nëse shërbimet kineze e shfrytëzuan atë pasi kishte nisur marrëdhënia. Dyshimet për një operacion të mundshëm kundër drejtuesit të Nvidia-s kishin mbërritur në Uashington që në pranverë.

Një memorandum me të dhëna dhe prova të mbledhura nga inteligjenca amerikane iu përcoll një grupi të kufizuar zyrtarësh të administratës Trump, ndërsa në dijeni ishte vënë edhe presidenti amerikan. CIA, sipas raportimeve, kishte vendosur të mos e informonte menjëherë Huang-un, nga frika se paralajmërimi i tij mund të vinte në dijeni edhe gruan që dyshohej se po e spiunonte.

Në dosjen e inteligjencës përfshiheshin fotografi dhe video të Jensen Huang dhe Alice-s së bashku në vende të ndryshme në Taipei, përfshirë ambiente publike dhe pranë një restoranti. Pamjet, të realizuara gjatë viteve 2024 dhe 2025, kishin qarkulluar edhe në rrjetet sociale, ndërsa Nvidia kishte mohuar çdo domethënie të veçantë të takimeve, duke argumentuar se drejtuesi i saj takohet çdo vit me mijëra përfaqësues të kompanive kliente.

Megjithatë, vëmendja e autoriteteve amerikane ishte përqendruar edhe te kompania Megaspeed, me seli në Singapor, ku Alice Huang mbante një pozicion drejtues. Në vitin 2024, kjo kompani ishte akuzuar nga autoritetet amerikane për transferimin e paligjshëm të mikroçipave të prodhuar në SHBA drejt Kinës, në shkelje të kufizimeve të vendosura për arsye të sigurisë kombëtare. Sipas memorandumit, në të njëjtën periudhë Megaspeed kishte blerë mikroçipa të avancuar të Nvidia-s me vlerë disa miliardë dollarë, kishte nisur ndërtimin e qendrave të të dhënave në Azinë Juglindore dhe kishte dhënë me qira kapacitetet e saj për Alibaba-n, gjigantin teknologjik të themeluar nga Jack Ma.

Një tjetër element që ka ngritur dyshime është lidhja e Megaspeed me një kompani kineze të videolojërave, nga e cila ishte shkëputur në vitin 2023, përpara se të hynte me shpejtësi në tregun e qendrave të të dhënave për inteligjencën artificiale. Megjithatë, hetimi i brendshëm i Nvidia-s kishte arritur në përfundimin se nuk kishte prova për përfshirjen e strukturave vendimmarrëse të kompanisë në transferimin e mikroçipave. Çështja merr rëndësi të veçantë për shkak të përplasjes mes Uashingtonit dhe Pekinit për kontrollin e teknologjisë së avancuar.

Përpara vendosjes së kufizimeve amerikane ndaj shitjes së mikroçipave në Kinë, ky treg përbënte rreth një të pestën e të ardhurave të Nvidia-s. Jensen Huang ka kundërshtuar publikisht kufizimet, duke argumentuar se SHBA-të po heqin dorë nga një treg me rëndësi strategjike, ku ndodhet një pjesë e madhe e zhvilluesve më të mirë të inteligjencës artificiale në botë.

Sipas rindërtimit të ngjarjeve të publikuara në shtypin amerikan, Donald Trump ishte informuar për dyshimet në prill, por kishte vendosur ta mbante çështjen të fshehtë, pasi po përgatitej për takimin e tij të parë me presidentin kinez Xi Jinping dhe nuk dëshironte të dëmtonte përpjekjet për uljen e tensioneve mes dy vendeve.

Ndërkohë, një grup ligjvënësish republikanë në Kongresin amerikan i kanë kërkuar Jensen Huang të paraqitet në një seancë dëgjimore private përpara Komisionit për Kinën, ku pritet të japë shpjegime mbi rastin dhe protokollet e sigurisë së kompanisë. Ambasada kineze në Uashington i ka mohuar akuzat, duke i cilësuar raportimet si pjesë të narrativës së zakonshme amerikane për spiunazhin kinez.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x