Nga Edison Ypi
Kufijë i kemi mbrojtur me heroizëm ndër shekuj, dhe na i kanë pikturuar të ngushtuar të huajt për 5 minuta.
Do donim të paktën emrat e vendeve, toponimet, t’i caktonim vetë, me Shqipen tonë të bukur, por edhe ato, prej pushtuesave, kryesisht sllavë, i kemi peshqesh.
Megjithatë, panorama nuk është fort e trishtë.
Ka një kufi te thana, ka një llogore të fundit, një kala, një bunker që s’dorzohet, të cilën populli ynë heroik s’ka lejuar t’ja përdhosin.
Janë emërtimet lokale, mikrotoponimet, që i kemi bërë vet.
Ara Shtërpë, Kurrizi i Krushkut. Llokma e Qenit. Kocka e Zagarit. Kërthiza e Katunarit. Livadhi i Dembelit. Kthesa e Hajdutit. Pylli pa Kokrra. Shtegu Qorr. Çesma e Priftit, Varri i Hoxhës. Pusi i Pasqyrave. Peshku i Tiganit. Grepi i Pellgut, Ura e të Vjellave, Gryka e Gromësimave, Gurrmazi i Llumrave, Sofra e Vjehrrit, Beli i Çupës, Sisët e Çikës, Këpuca e Hanxhiut, Varri i Qyqarit, të tjera e të tjera, s’mjafton jeta t’i numurosh të tëra.
O Zot sa të shijshme janë. Sa bukur tingëllijnë. Me sa fantazi janë zgjedhur. Me sa zgjuarsi janë shprehur. Me sa shkathtësi janë fshehur. Sa lotë janë derdhur. Sa thellë të fusin në mendime, imagjinata, nostalgjira.
Por ka një problem.
Kurrë, askund, afër ose larg, nuk gjen dot asnjë banor ta lidhi një toponim me një fakt real. Fjala vjen, foka andej nga Suedia apo Norvegjia, edhe ka. Por fokë në Krujë s’bën vaki. Pse diku mes Krujës dhe Fushë Krujës vendi quhet Kroi i Fokës ? Mos u lodh kot. Nuk e di askush.
Pasi ke udhëtuar me vite dhe ke pyetur ethshëm për kuptimin e çuditshëm të mikrotoponimeve, por s’ke marrë asnjë përgjigje, vetvetiu del në përfundimin se mikrotoponimet tona nuk kanë lidhje me evente, fakte, vakira. Janë thjeshtë ikje, syrgjynosje, arratisje. Nga mjerimi material, në një botë të kollajshme dhe të këndëshme, me trillime, thurje, sajesa, ëndërra, kllapira, që e kanë kthyer katundin, nga njëra anë, në një skenë teatri me përmasa kolosale, dhe, nga ana tjetër, pak banorë-spektatorë që kqyrin holograma nga platea pakrahasimisht më e vogël se skena prejnga urtësia popullore vizionare parathotë, paralajmëron, kërcënon, për rreziqe hipotetike, armatosje për një luftë të ardhëshme misterioze, bën predikime, parashikime, lëshon thirrje, kumte, kushtrime. Të gjitha me forcën dhe sigurinë e frikëshme që garanton rrugëtimi i mesazhit gojë më gojë e tru më tru, ëndërra, boshi, hiçi, asgjëja.
Konkretisht, toponimi Sikter Mysafir, s’ka të bëjë me asnjë vend, pyll, përrua, lëndinë, fushë, mal, madje as shtëpi, kullë, konak, gosti, besëprerje, refuzim, ikje. Është thjesht një kumt i vjetër i koduar, i enkryptuar, që po vodhe përfundon i papranuesjëm, i padëshirueshëm, Non Grata, si Sali Kulla.
Tjetër shembull është vendi i quajtur Tri Dhelprat. I cili, në origjinë, duket ashiqare, që nuk është toponim. Është kërcënim serioz që vjen nga urtësia popullore për kotësinë e boshësinë kriminale të sorollatjeve dinake nëpër trigonometrinë, këndet, katetet, hipotenuzën, e trekëndëshit revolucionar: Vjedhje, Foltore, Mitingje.
Ka dhe më të forta.
Sofra e Vjehrrit, për shembull. Që duket si gosti katundi me mish e raki e dollira. Por është krejt tjetër gjë. I referohet diçkaje krejt tjetër: Televizionit Zyri TV. Që edhe 1 minutë ta shohësh të bën të vjellësh një Adriatik me marrinat gastronomike që ke kullufitur vitin e fundit. Kafazi i budallallëkut masturbativ ku mblidhen kokë më kokë delirantët e të gjitha kallëpeve, nga sorollopët e Diktaturës, te zagarët e nomenklaturës, pinjollët e Sigurimit, lë pa ment edhe ata që ment nuk kanë, kokboshët. Çirren e bërtasin shakaxhinjtë e konservatorizmit brenda atij kafazi e rrotull atij mangalli, për demokraci, pluralizëm, transparencë, drejtësi, moral, por mendjen e kanë non-stop te kulisat, gjirizat, kombinimet e interesit, xhvatjet, vjedhjet, dhe të gjitha dreqnitë e tjera. Shyqyr shuaj, që tollumbacen tyre fryrë me tym hashashi e çfryn në çast maja e një gjilpëre, fakti se paguhen me pare të vjedhura.
O ç’vete atje ore. Mes çorapeve të leshit që thur Meçua me shtiza, furka, shtëllunga, krrokamave nomenklaturiste të Neshos, gërrvimave halucinative të gagaçit nga Parisi, realitetin distopik më të rrëmujshëm dhe të gërrditshëm që ka parë bota, s’ka mendje që e rrok, as Hollivud që e kinematografon.
Diku në Mallakastër është edhe toponimi Luga e Dhëndërrit, të vjehrrit. Pa merak. Së së shpejti do merret vesh se s’ishte lugë, as garuzhde, as gavetë. Ishte eskavator, buldozer, ruspë. Që Dhëndërrin e rre menia se do i ketë përgjithmonë. Por së afërmi do ja nxjerrin nga hunda, goja, dhe të gjitha vërrat e tjera.