Nga Mero Baze
Shqiptarët u vendosën dje para një sfide të panevojshme nga një grup delirantësh që kanë marrë nën kontroll protestën, duke vënë bast se do ta përdornin atë kundër koncertit të Kanye West në Tiranë dhe do ta shkatërronin atë, pasi shqiptarët do të zgjidhnin ata. Ishte rasti tipik kur një grup këshilltarësh të protestës, që masturbohen me video me IA dhe mendojnë se tani mund t’i urdhërojnë shqiptarët se çfarë duhet të bëjnë, çfarë duhet të hanë, çfarë muzike duhet të dëgjojnë, kë udhëheqës duhet të duan, kë biznes duhet të shkatërrojnë, kë gazetarë duhet të pushkatojnë, etj., marrëzira që burojnë nga frustrimet e njerëzve të dështuar, i vunë shqiptarët të zgjedhin ose Kanye West, ose Gjergj Erebarnë dhe Andi Bushatin.
Rezultati u pa qartë. Delirantët mblodhën 1 mijë vetë në bulevard, ndërsa koncerti 60 mijë vetë. Shumica e heshtur e shqiptarëve, e provokuar deri në palcë nga një grup njerëzish që, pasi provuan t’u tregojnë cilën shpend duhet të duan, pastaj cilat kafshë politike duhet të adhurojnë, cilat biznese duhet të shkatërrojnë, cilët gazetarë duhet të lexojnë, cilat blogere duhet të ndjekin, cilat rrjete sociale duhet të komentojnë, cilat vila duhet të preferojnë, cilat TV duhet të ndjekin, më në fund morën urdhër dhe cilët këngëtarë duhet të dëgjojnë.
As në kohët e komunizmit nuk ka pasur një axhendë publike censure dhe kufizimi lirie të tillë, edhe pse e kishin pushtetin pa kufi dhe mund të bënin çfarë të donin. Madje Shqipëria, si vend komunist, nuk kishte një sistem censure të certifikuar, por e kishte informal sistemin e censurës, pra ti duhet ta kuptoje vetë kë nuk donte partia. Këta enveristët e rinj ta tregojnë çfarë duhet të hash, si duhet të vishesh, çfarë duhet të lexosh, çfarë duhet të dëgjosh e çfarë muzike duhet të pëlqesh.
Ky është koncerti më i mallkuar në historinë e Shqipërisë, më i anatemuari nga njerëzit e zhurmshëm të këtij vendi, përfshi dhe ata që janë shumë herë më antisemitë se këngëtari.
Por shumica e heshtur doli nga shtëpia dhe shkoi në koncert, ndërsa një pakicë me 1 mijë vetë, që kishin premtuar madje që do prishnin dhe koncertin, mbetën në bulevard.
Ky dështim spektakolar nuk do të kishte ndodhur sikur protesta të merrej me hallet e protestës dhe jo me hallet e Kanye West. Këshilltarët që tentuan të matin forcat e protestës me Kanye West thjesht varrosën protestën dhe çuan njerëzit aty ku ndoshta dhe nuk do të kishin shkuar sikur të mos i bezdisnin vemjet që drejtojnë protestën duke i anatemuar.
Fenomeni i dytë kanë qenë sulmet ndaj bizneseve të turizmit shqiptar, të dirigjuara nga drejtuesit e protestës bazuar te Manuali Erebara. Pas publikimit të fakteve se si e nxitën këtë fushatë, si e stimuluan përmes llogarive të njerëzve të protestës dhe depozitimit të kallëzimit ndaj tyre në polici, reagimi në rrjet ka qenë më agresiv se kurrë kundër protestës. Mbrojtësit e sulmeve përmes review-ve negative u kufizuan vetëm te drejtuesit e protestës dhe frymëzuesit e tyre. Mospranimi ishte aq masiv dhe agresiv, sa ata ngjanin si kriminelë në kërkim të kapur në flagrancë.
Ky është rasti tjetër kur shumica e heshtur reagon ndaj manipuluesve të protestës, të cilët, pasi e shkatërruan atë, e kanë kthyer në një repart terrori përmes vrasësve me pagesë të Arlind Qorrit dhe disa bufonëve mediokër të OJF-ve që shfaqen aty, pa llogaritur njeriun më qesharak të protestës, Agron Shehajn.
Tani protestës i kanë ikur ujërat e tepërta dhe ka mbetur bërthama e saj organizatore, një grup gazetarësh mediokër që, meqenëse nuk u bënë dot të njohur duke shkruar, duan të bëhen të njohur duke kërcënuar, një guidë turizmi me qeleshe në kokë nga Luma, që të humbet turistët në mal dhe përpiqet të orientojë Shqipërinë në qendër të Tiranës, dhe një grup partish të vogla që arritën ta bëjnë protestën e madhe si partitë e tyre të vogla.
E vetmja gjë e mirë që arritën të bëjnë ata është se zgjuan shumicën e heshtur të shqiptarëve kundër tyre, me përpjekjen për të përdhunuar shoqërinë, për t’u treguar kufijtë e lirisë politike, ekonomike, kulturore dhe, mbi të gjitha, që zgjuan kujtesën e një sistemi që e kemi përmbysur më 1990 me fushatën e tyre linçuese ndaj çdokujt që nuk i mbështet ata. Mos i pengoni në këtë rrugë.
Koha ka provuar se çdo opozitë që ka dëgjuar sugjerimet për braktisje parlamenti, si me djegie mandatesh në shkurt 2019, bojkot zgjedhjesh si në qershor 2019, protesta të dhunshme dhe fushata linçuese në vazhdimësi, është vetëshkatërruar dhe të vetmit që kanë fituar, duke u paguar për këto këshilla, janë këta që po këshillojnë protestën të ecë në këtë rrugë, si grup terrorist i organizuar. PD më vonë e shpalli këtë gabim të jetës së saj, por ishte vonë për t’u korrigjuar, pasi Edi Rama i kishte mbaruar gjithë punët që i duheshin me shumicën e re kushtetuese që i ofruan. Tani të njëjtët po e çojnë protestën në rrugën e duhur për ta shkatërruar. Mos e pengoni!
- Shumica e heshtur që u zgjua nga “këshilltarët” e protestës - 12/07/2026
- Te Zvicra akuzojnë për favorizim të Argjentinës, tifozët anglezë në ankth: Do të jetë një gjysmëfinale e shitur - 12/07/2026
- Sinner nuk bie nga “froni”, italiani dominon Zverev në finalen e Wimbledon dhe mbron titullin - 12/07/2026