30.6 C
Tirana
28 / 06 / 2026

Shtresa e mesme jetime. Kur nuk di më kë të jesh

Nga Rafaela Marteta

Polarizimi shoqëror, dhe jo ai politik është i vetmi tregues më i nxehtë se temperaturat e ditëve.

Jeta ndodh edhe aty KU ndjen se njerëzit nuk dinë me kë të bëhen; edhe KUR njerëzit nuk dinë me kë të bëhen.

Klima e sotpërsotshme në Shqipëri ka nxjerrë në dukje një HAPËSIRË (Ku) dhe një KOHË (Kur) të banuar prej atyre pakdisa vetëve që nuk dinë me kë të bëhen, po edhe nuk duan të bëhen (po si i bëhet?!)

Zakonisht janë shtresë e mesme, heterogjene për moshë, gjini, gjeografi. I përbashkon ndjenja e qytetarisë, aftësia për dialog, përgjegjësia ndaj së mirës së përbashkët publike, një kompetencë kritike për çështje të shoqërisë (kulturore, politike, ekonomike). Mbi të gjitha i përbashkon një autonomi e mendimit: bekim dhe mallkim në të njëjtën kohë.

Këta janë ata që s’dinë me kë të bëhen, e prandaj nuk i duhen askujt. Janë pakicë dhe mendimet e tyre nuk janë as popullore, as populiste: nuk i hyjnë në punë as Pushtetit e as Popullit.

Shkurt janë e padukshmja klasë e mesme-e-lartë për përkufizim…

E transferuar në aktualitetin e kontekstit shqiptar, i bie të jenë ata që kanë arsye për të protestuar, por prapë nuk e shohin veten të përfaqësuar nga protestues që thërrasin për gjak, hakmarrje, tradhtarë, hajdutë, armë, ndarje, sekuestrim, politikanë legena. Aq më pak nga ata që orientojnë punën e Spakut nga sheshi.

Megjithatë, arsyet për të protestuar mbeten, dhe jo kundër qeverisë, por kundër mbetjeve moçalore të çdo qeverie; mbetje që kanë krijuar një kulturë që çliron gazra të këqia, që na mbështjellin si atmsoferë: një klimë emotive, psikologjike, sociale mbytëse.

Pavarësisht se më duket e natyrshme dhe e arsyeshme të jetoj në një zonë të ndërmjetme mes “protestës” (për konvencion) dhe “pushtetit”, kupton se kush jeton kështu është i padukshëm dhe i pazëshëm. Je i papërfaqësuar nga ekstremet që sot përbëjnë thelbin e shoqërisë sonë. Ti dëshiron të të shohin, po nuk i hyn në punë as dreqit. Qeverinë, nuk e lavdëron dot për gjithçka, ashtu siç nuk lavdëron dot tët atë dhe tët ëmë për çdo gjë; po as edhe veten kur del para pasqyrës ose para ndërgjegjes sate në darkë. Nuk e shan dot se dukesh antiqeveri dhe proprotestë; ndërsa ti, megjithëse nuk shqetësohesh që dukesh antiqeveri ke një mendim dhe qëndrim të ndërmjetëm, të integruar, të arsyetuar… Dhe mbi të gjitha nuk je KUNDËR askujt.

Por edhe nuk çohem nga kafja se e lips puna e protestës, edhe pse shumë herë kafen e pi në këmbë…

Nuk jam nga ata ekstremistët që marrin vëmendjen e Kryeministrit. Respektoj hierarkinë dhe çdo funksion shtetëror të shkuar dhe të tashëm.

Zemra do të ma donte të rroja si shtresë e mesme me frutet e kontributit tim, por specialistë të ekonomisë thonë nëpër tv-ra se rroga ime aktuale është prej të varfërish. Po s’ka nevojë ta thonë specialistët…!

Nuk i zhbëj dot problemet që ende ekzistojnë në nënsisteme si shëndetësia, arsimi. Dhe më shkaktojnë shqetësim njerëzit e votuar për të na përfaqësuar, që nuk e dinë nga bien me shpi hallet e shumicës.

Dëshiroj një vend, ku të rrohet mirë, me DINJITET, falë kontributeve të mia, ku shpërblimi të jetë në përpjestim me kontributin, mirënjohja sociale po ashtu. Dëshiroj një vend ku të mund të rroj sipas ndërgjegjes; dhe në vend ku mund të ushtroj qytetarinë aktive dhe politike pa iu ngjitur pushtetit e pa qenë domosdoshmërisht kundër.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x