Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, mbërrin në Xhedah të Arabisë Saudite, të hënën për bisedimet SHBA-Ukrainë, ndërsa Presidenti Donald Trump po bën përpjekje për të ndërmjetësuar një fund të shpejtë të luftës Rusi-Ukrainë.
Në Xhedah, zoti Rubio do të takohet gjithashtu me princin saudit të kurorës Mohammed bin Salman Al Saud për të diskutuar mbi rrugët mënyrat për të avancuar interesat e përbashkëta në rajon dhe për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe, tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce.
Sipas Departamentit të Shtetit, Sekretari Rubio “nënvizoi vendosmërinë e Presidentit Trump për t’i dhënë fund luftës sa më shpejt të jetë e mundur dhe theksoi se të gjitha palët duhet të ndërmarrin hapa për të siguruar një paqe të qëndrueshme” në një telefonatë të premten me ministrin e Jashtëm ukrainas Andrii Sybiha.
Të hënën, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy do të vizitojë Arabinë Saudite për një takim me Princin e Kurorës, Mohammed bin Salman.
Më pas, një delegacion diplomatik dhe ushtarak ukrainas i kryesuar nga shefi i shtabit të zotit Zelenskyy, Andriy Yermak, do të qëndrojë në Arabinë Saudite për bisedime me zyrtarët amerikanë.
Në delegacionin amerikan që shkon në Xhedah për bisedime me zyrtarët ukrainas, përveç zotit Rubio do të jenë edhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Mike Waltz dhe i dërguari i posaçëm i Presidentit Trump, Steve Witkoff.
Zoti Witkoff u ka thënë gazetarëve se “ideja është të arrihet një kornizë për një marrëveshje paqeje si edhe për një armëpushim fillestar.”
Bisedimet SHBA-Ukrainë do të zhvillohen tre javë pasi zyrtarë të lartë amerikanë mbajtën bisedime me zyrtarë rusë në Riad.
Ukraina tha se është “plotësisht e përkushtuar” ndaj dialogut konstruktiv me SHBA-në dhe shpreson të “diskutojë dhe të bjerë dakord mbi vendimet dhe hapat e nevojshëm”.
“Ukraina ka dashur paqen që në sekondën e parë të kësaj lufte. Propozimet realiste janë në tryezë. Çelësi është të lëvizim shpejt dhe me efektivitet,” tha zoti Zelenskiy në rrjetin e mediave sociale X të shtunën.
Takimi i Ministrave të Jashtëm të G7
Pas vizitës së tij në Arabinë Saudite, zoti Rubio do të udhëtojë për në Charlevoix të Kanadasë, për takimin e ministrave të jashtëm të Grupit të Shtatëshes (G7) nga 12 deri më 14 mars.
Në një deklaratë të përbashkët pas bisedimeve në Mynih gjatë Konferencës së Sigurisë në shkurt, ministrat e jashtëm të G7-ës theksuan angazhimin e tyre për të ndihmuar në “arritjen e një paqeje të qëndrueshme” dhe “riafirmuan nevojën për të zhvilluar garanci të fuqishme të sigurisë” për Ukrainën.
“Çdo sanksion i ri pas shkurtit duhet të lidhet me faktin nëse Federata Ruse hyn në përpjekje reale dhe me mirëbesim për t’i dhënë një fund të qëndrueshëm luftës kundër Ukrainës”, shtohet në deklaratën e përbashkët. (VOA)
- Takimi me Dumanin, Çelën dhe Metanin, reagon Marta Kos: Mbështetje e fuqishme nga BE, mundësojnë një Shqipëri të sigurt - 13/03/2025
- Putin reagon për herë të parë pas marrëveshjes SHBA-Ukrainë: Jemi dakord me propozimet, por… - 13/03/2025
- Dita e Verës, policia plan masash për aktivitetet/ Ja rrugët që do të bllokohen në Tiranë dhe Elbasan - 13/03/2025