Nga Frrok Çupi
Nuk i thanë as sot as dje. Përveçse ndonjë media periferike dha lajmin se ‘vdiq Xhelil Gjoni’. Edhe pse ka qenë kryeredaktor i medias qendrore dhe më të madhe të vendit për dyzet vjet.
Asnjë nga gazetarët e ‘Zerit të Popullit’, të paktën, nuk thanë një fjalë. Gazetari për gazetarin flet, me patjetër. Le të ketë qenë ky gazetari tjetër vetë ndihmësi i Neronit. Po flet katunari për katunarin, bujku për bujkun, mjeku për mjekun, fashisti për fashistin, patrioti për ish- patriotin…
Më pak se askush po flet komunisti për komunistin. Ja që edhe komunistët paskan frikë si dikur fashistët.
Xhelil Gjoni ishte një gazetar. Kush kaloi në Zërin e Popullit e konsiderojnë kryeredaktorin më të mirë të të gjitha epokave. Kishte studiuar për gazetari në Moskë. Ishte racional dhe ‘i ftohtë’ në shkrimet e tij, por shumë dinamik, i dobishëm, snajper për të kapur talentin e gazetarëve të rinj që larg. I mëshirshëm dhe i drejtë te zoti.
Unë nuk e kam pasur kryeredaktor, që të jemi të lirë të flasim të drejtën për Xhelil Gjonin. Por dëgjoja nga kolegët tregimet për Xhelilin dhe…, bëja edhe unë si të ishte edhe ‘kryeredaktori im’. Por ata që e kishin nuk thanë asnjë fjalë dje, as sot.
Me pamje të zymtë si atë ditë e kam parë vetëm një herë. I zymtë, nervoz, që gati fliste me vete. Ec e eja për gjashtë orë në bulevardin Stalin, që nga kafe Tirana ku rrinte Dhimitër Shuteriqi, deri te Stacioni i Trenit ku zbrisnin të ardhurit nga Veriu.
Nga ora njëmbëdhjetë deri në në pesë pasdite. Në ora pesë e priste vetë Enver Hoxha. Në Zërin e Popullit kishte dalë një ‘gabim ideologjik’ atë ditë. Diktatori kishte telefonuar në redaksi dhe u kishte thënë ‘Enver Hoxha jam… Është shkelur vija e Partisë. Thuaji Xhelilit e pres në ora pesë, me propozimet e tij!’.
Edhe Enveri më i stuhishëm se kurrë.
… Kjo ishte ora pesë dhe ecejaket në bulevard.
Sigurisht që gabimi ideologjik nuk falej. As shkelja e vijës së Partisë, aq më tepër. Ndodheshim nën regjim komunist, nuk bëheshin lojëra. O bëj kështu si thotë Partia, o lëre fare… Të tjerat janë broçkulla. Gazetari që shkelte vijën e Partisë merrte kalvar të tmerrshëm. Ishte komunizëm!, po them edhe një herë.
Xhelil Gjoni u paraqit në zyrën e Udhëheqësit, fiks në pesë.
“Dy gazetarët që shkruan shkrimin i ndëshkuam me një qortim”, i tha Enverit’.
-Ndërsa për kryeredaktorin Xhelil Gjoni ju propozoj shkarkimin nga detyra!’, tha Xhelil Gjoni.
Që atë ditë, dy gazetarët vazhduan karrierën e tyre pa pengesa. Asgjë nuk ndodhi. I mbuloi Xhelili, para Zeusit komunist.
Po të kishte qenë Fashist, do të kishte ndodhur ndryshe.
Po pse kaq zor për të thënë dy fjalë për komunistin? Nuk besoj të kenë frikë…, se nga kush të kenë? Por nuk është këtu psikika. Është te dobësia njerëzore dhe te boshllëku kulturor. Sa për ‘komunist e nazist’, Xhelil Gjoni nuk vrau kurrë njeri; as dhunoi, as bëri keq. Pasardhësit demokratë, kanë vrarë një dynja të tërë, brenda një viti vranë aq sa u vranë në Kullat Binjake. Dhe janë të lavdëruar në gazetë.
Por nuk është edhe ky argumenti. Argumenti është pse ‘nuk je i drejtë’, e të thuash dy fjalë edhe sikur të gjithë ‘fashistët’ të të sulmojnë. Të thuash, për shembull, se Xhelil Gjoni shau njerëzit që lanë atdheun dhe ‘ranë në prehrin e borgjezisë’, 1990?!. Është e vërtetë; edhe pse jo e bukur. Thuaj edhe se u bë ‘’fjalëmiri’ i Kupolës së Partisë për të zgjedhur kryetarin e PD, Berisha. Nuk është gjë e mirë, as kjo; Xhelili me Ramizin e hoqën nga vetja dhe na e varën mbi shpatulla 30 vjet Saliun.
Më tmerron hipokrizia. Unë nuk do të kisha radhë të thoja dy fjalë për Xhelil Gjonin, sikur ai të kishte qenë nazist. Ç’ne unë, tekefundit Partia tjetër e nazistëve edhe tani vë radhë hipokritësh.
Tani ka më shumë frikë se atëherë.
Se atëherë nga Zëri i Popullit dolën si dishepujt edhe njerëzit e ferrit. Të dy nga një portë. Porta e Zërit të Popullit ishte kurora e elitës kulturore në vend. Andej dolën Dritëro Agolli, aty botoi Ismail Kadare, aty doli Petro Marko, Niko Tanini, Spiro Dede, Vangjush Gambeta, Sejfulla malëshova, Shefqet Musarai a Odise Paskali…, ‘tanët dhe të atyre’. Porta ku shfaqeshin adhuruesit e Zërit, si Sali Berisha, Ylli Popa dhe Hysni Milloshi; kjo ishte ku këta botonin ndonjë gjë.
Është thjesht deformim që gazetarët e Zërit të Popullit, të paktën, e patën zor dy fjalë për Xhelil Gjonin, komunist. Me një sy nga fashistët. Nëse kthejnë fytyrën një herë këndej e herën tjetër andej, s’do të ketë çfarë t’u zërë syri më.