Presidenti rus Vladimir Putin akuzoi të martën vendet perëndimore për gjithçka në lidhje me luftën Ukrainë, gjatë fjalimit vjetor në Moskë, një ditë pas vizitës së paparalajmëruar të presidentit amerikan, Joe Biden në Kiev.
“Përgjegjësia për nxitjen e konfliktit ukrainas, për përshkallëzimin e tij dhe për numrin në rritje të viktimave i takon tërësisht elitave perëndimore. Sigurisht edhe regjimi aktual në Kiev, për të cilin populli ukrainas është në thelb një grup i të huajve”, tha udhëheqësi rus gjatë fjalimit të tij.
Presidenti Putin shtoi se ishte Rusia, jo Ukraina, që luftonte për ekzistencën e saj.
“Elitat perëndimore nuk i fshehin qëllimet e tyre për t’i sjellë Rusisë një humbje strategjike. Kjo nënkupton fundin tonë, një herë e përgjithmonë. Ne e kuptojmë pikërisht kështu. Ne do të reagojmë ndaj tij në përputhje me rrethanat pasi në këtë rast bëhet fjalë për vetë ekzistencën e vendit tonë”, tha më tej zoti Putin.
Udhëheqësi rus po ashtu njoftoi se Rusia po pezullon pjesëmarrjen e saj në traktatin e armëve bërthamore, START.
“Ata duan të na shkaktojnë disfatë strategjike ndërsa futen fshehurazi në objektet tona strategjike bërthamore. Lidhur me këtë, më duhet të them se Rusia pezullon pjesëmarrjen e saj në traktatin e ri START. Më lejoni të përsëris: Rusia nuk e braktis traktatin, por pezullon pjesëmarrjen e saj”, tha udhëheqësi rus.