Nga Luan Rama
“Kam dëshiruar gjithë jetën,
Zgjuar, në gjumë,
Të jem rrjedhë,
Të jem lumë.”
Edhe pse e botuar në një kohë tjetër, në vitin 1988 të shekullit të shkuar (në libri “Mos më pyet ku kam qenë”, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, 1988), poema “Lumi im” e poetit Ilirian Zhupa është në kohë edhe në këtë kohë.
Duke e lexuar prej të dielës në të dielë në tri të diela me rradhë, një gjetje jo e rastësishme e poetit për të na e shërbyer edhe në këtë mënyrë përmes publikimit në faqen e tij në fb (Facebook), ndjej se lumi i Ilirian Zhupës është po aq edhe lumi im.
Në poemën “Lumi im”, lumi nuk është thjesht një peizazh natyror; ai është një projektim i botës së brendshme të poetit, i cili zgjedh me kast përdorimin e përemrit pronor “im” që në titull, për t’i parathënë lexuesit se lumi është pjesë e “unit” lirik.
Në këtë mënyrë, simboli i lumit merr dimension ontologjik: ai flet për qenien në lëvizje, për njeriun që është gjithmonë “në rrjedhë”.
Në traditën më të mirë poetike botërore, elementet e natyrës si deti, mali, qielli apo lumi, janë përdorur shpesh si simbole të ekzistencës njerëzore. Lumi, në veçanti, është simbol i kohës, i rrjedhës së jetës dhe transformimit të pandërprerë. Ai mishëron idenë e lëvizjes së përhershme dhe të pakthyeshmërisë.
Në këtë kontekst mund të lexohet edhe poema “Lumi im” e Ilirian Zhupës, ku lumi shndërrohet në një simbol kompleks i jetës së poetit.
Në letërsi, simboli është një figurë që kapërcen kuptimin e drejtpërdrejtë dhe merr një dimension të dytë, më të thellë e më të përgjithshëm, më universal. Ndryshe nga metafora, e cila krijon një lidhje të menjëhershme krahasimi, simboli është një strukturë kuptimore më e hapur.
Ai nuk shteron në një interpretim të vetëm, por mbart shtresa domethëniesh që pasurohen nga konteksti kulturor, emocional dhe filozofik.
Një nga shtresat më të thella të simbolikës është lidhja midis lumit dhe kujtesës.
Lumi mbart ujërat e tij, ashtu si njeriu mbart përvojat.
Kjo ide e bën poezinë introspektive, ose për të gjetur një fjalë më të përafërt në shqip, më vetëreflektuese. Poeti e kërkon identitetin e tij në rrjedhën e përvojave. Lumi është vetëdija që lëviz, por edhe arkivi i heshtur i jetës së tij.
Atëherë, pra në kohën tjetër kur unë e kam lexuar për herë të parë poemën “Lumi im”, e kam lexuar atë si një metaforë të bukur dashurie për vendin, natyrën, jetën. E kam menduar një këngë të shpirtit të poetit e lidhur me jetën si lumi me brigjet.
Ndërsa sot, edhe pse teksti poetik është i njejtë, poema e Ilirian Zhupës mund të lexohet jo vetëm si një tekst lirik introspektiv, por edhe si pjesë e një tradite më të gjerë simbolike evropiane, ku elementet e natyrës shndërrohen në figura të thella shpirtërore dhe filozofike. Në këtë kontekst, simboli i lumit merr një dimension që e lidh poezinë e tij, për rrjedhojë vetë poezinë shqipe me rrjedhat e simbolizmit evropian të shekullit XIX.
• Lumi si rrjedhë e jetës:
Ilirian Zhupa dhe koncepti
simbolist i kohës.
Në traditën simboliste, simboli nuk është shpjegim, por sugjerim. Ai krijon një atmosferë ku kuptimi është i hapur dhe i shumëfishtë. Te “Lumi im”, lumi simbolizon rrjedhën e jetës dhe pakthyeshmërinë e kohës.
Një ide të ngjashme e gjejmë edhe në poezinë “Ora (“L’Horloge”) të Bodlerit (Baudelaire-it), ku koha na paraqitet si një forcë e pamëshirshme që “ha jetën” dhe fiton gjithmonë.
Por, ndërsa te Bodleri simboli i orës mishëron kërcënimin dhe ankthin ekzistencial, te Ilirian Zhupa simboli i lumit sugjeron rrjedhën e qetë, por të pandalshme të ekzistencës. Në të dy rastet, simboli nuk është shpjegim racional, por një figurë që krijon atmosferë dhe na jep kuptimin mbi kalimin e kohës dhe fatin njerëzor.
Tek simbolistët francezë, koha shpesh paraqitet si një proces i pashmangshëm që e vendos njeriun në krizë ekzistenciale.
Edhe tek “Lumi im”, rrjedha e lumit është e pandalshme; por ndryshe nga ankthi urban i Bodlerit, Ilirian Zhupa ruan një ton më të qetë, më meditativ. Lumi i tij nuk është kërcënim, por reflektim.
Simbolizmi evropian i dha rëndësi të veçantë muzikalitetit dhe atmosferës. Paul Verlen (Paul Verlaine – 1844 – 1896) thekson se poezia duhet të jetë para së gjithash “muzikë”.
Në “Lumi im”, rrjedha e qetë e vargut dhe përsëritjet krijojnë një ritëm që imiton lëvizjen e ujit. Kjo teknikë i afrohet parimit simbolist të harmonisë midis formës dhe përmbajtjes. Përsëritjet strukturore krijojnë valëzim sintaksor, që imiton rrjedhën e ujit. Vargu i lirë i jep poetit hapësirë të ndërtojë një frymëmarrje të gjerë, me intensitet emocional në rritje.
Personifikimi i lumit si një qenie që “flet”, “kujton”, “mbart”, e vendos simbolin në një plan shpirtëror, tipik për simbolistët, ku natyra bëhet pasqyrë e gjendjes së brendshme.
Simboli i lumit në “Lumi im” lidhet qartë me traditën simboliste evropiane në disa drejtime; përdorimi i natyrës si pasqyrë e shpirtit, theksimi i kohës dhe përkohshmërisë, muzikaliteti dhe atmosfera sugjestive.
Megjithatë, ndryshe nga dramatizmi apo errësira ekzistenciale e simbolistëve francezë, Ilirian Zhupa sjell një ton më të ekuilibruar dhe reflektiv.
Në këtë mënyrë, “Lumi im” mund të shihet si një pikë takimi mes simbolizmit evropian dhe lirizmit modern shqiptar, një poezi që ruan frymën simboliste, por e përthith atë në një kontekst kulturor dhe shpirtëror të veçantë.
Ndryshe nga simbolistët francezë, që shpesh lëviznin në një hapësirë urbane ose abstrakte, Ilirian Zhupa e lidh lumin me një ndjeshmëri konkrete dhe me një përjetim kulturor shqiptar. Lumi nuk është vetëm ide filozofike, por edhe pjesë e një peizazhi emocional kombëtar.
Kjo e bën simbolin më tokësor, më të lidhur me kujtesën dhe përvojën personale. Në këtë aspekt, Ilirian Zhupa e universalizon simbolin përmes përvojës individuale, pa e shkëputur nga realiteti i prekshëm.
Lumi im” është një poezi simbolike me thellësi ekzistenciale. Përmes figurës së lumit, Ilirian Zhupa ndërton një metaforë të fuqishme të jetës së tij dhe të jetës njerëzore në përgjithësi. Lumi simbolizon kohën, kujtesën, identitetin dhe transformimin e pandërprerë.
Në këtë mënyrë, poema tejkalon përshkrimin natyror dhe bëhet një meditim filozofik mbi qenien. Lumi mbetet një figurë universale, ku çdo lexues mund të pasqyrojë rrjedhën e vet të jetës.
Që në vargjet ku poeti identifikohet me lumin, vihet re bashkimi i dy realiteteve:
“Lumi im rrjedh brenda meje…”
Kjo metaforë sugjeron se jeta e poetit është një rrjedhë e vazhdueshme përvojash, emocionesh dhe kujtimesh. Ashtu si lumi që nuk ndalet, edhe jeta ecën përpara pa mundësi kthimi.
Një tjetër dimension i rëndësishëm është lidhja e lumit me kohën. Uji që kalon simbolizon çastet që ikin:
“Ujërat e tij s’kthehen më…”
Ky varg nënkupton pakthyeshmërinë e kohës. Çdo përjetim mbetet pjesë e së shkuarës, ashtu si uji që rrjedh dhe humbet në horizont. Poeti e pranon këtë ligj të jetës me një ton meditativ, pa revoltë të hapur, por me një ndjesi malli dhe reflektimi.
Në poemë hasim edhe personifikimin e lumit, i cili merr tipare njerëzore:
“Ai flet me gurët e brigjeve…”
Kjo figurë letrare e bën lumin një bashkëbisedues të heshtur të poetit. Gurët mund të simbolizojnë pengesat, vështirësitë apo plagët e jetës. Megjithatë, lumi vazhdon të rrjedhë, duke treguar qëndrueshmëri dhe forcë shpirtërore.
Struktura e poezisë ndjek një zhvillim reflektiv: nga përshkrimi i lumit konkret kalon në një kuptim simbolik dhe filozofik. Në fund, lumi mbetet metaforë e identitetit të poetit; ai është kujtesa, rruga dhe vetë ekzistenca e tij.
Në themel të simbolit të lumit qëndron një ide e lashtë filozofike, e formuluar nga Herakliu. “Nuk mund të hysh dy herë në të njëjtin lumë.”
Kjo thënie përmbledh parimin e rrjedhës së përhershme (panta rhei), sipas të cilit gjithçka është në ndryshim të vazhdueshëm.
Në “Lumi im”, kjo ide merr formë poetike. Lumi nuk është statik; ai rrjedh, ndryshon, transformohet, shkumbëzon e gulçet e buçet, qetohet e valëzohet mes brigjesh, ashtu si vetë jeta e poetit. Identiteti nuk paraqitet si diçka e ngrirë, por si proces. “Uni” lirik ndërtohet dhe rindërtohet në kohë, në lëvizje.
• Lumi si vetëdije dhe
rrjedhë ekzistenciale.
Në poezinë “Lumi im”, Ilirian Zhupa e shndërron lumin në figurë të vetëdijes dhe identitetit:
“Kam dëshiruar gjithë jetën,
Zgjuar, në gjumë,
Të jem rrjedhë,
Të jem lumë.”
Këtu lumi nuk është vetëm uji që rrjedh, por rrjedhë e shpirtit. Ai simbolizon dëshirën e poetit për të mos ndaluar kurrë dhe për të reflektuar mbi përvojat e tij. Ky varg pasqyron një identifikim ekzistencial me natyrën, ku rrjedha e lumit është metaforë e kohës, kujtesës dhe vetëdijes.
Lumi i Ilirian Zhupës nuk ndalet; ai kërkon burimet, e kërkon origjinën e vetvetes, duke u bërë një metaforë e transformimit të pandërprerë të qenies:
“Jam nisur një vere të t’i gjeja burimet,
Kam kaluar pyje e gërxhe e gurë,
Kam kaluar vise e male e shtigje
E s’kam mbërritur kurrë.”
Kështu pra, “Lumi” i Ilirian Zhupës nuk simbolizon vetëm kohën kronologjike, por përjetimin e saj subjektiv. Rrjedha e ujit është si rrjedha e kujtesës: ajo nuk ndahet në segmente të ftohta, por përjetohet si vazhdimësi shpirtërore. Simboli i lumit merr dimension psikologjik dhe ekzistencial.
Por, “Lumi im” shfaqet gjithashtu edhe si mbartës i përvojës, dhimbjes dhe historisë:
“Turbull – turbull vije, lumi im…
E ti përgjakeshe e skuqeshe nga të mbyturit e tu
Në ca përrenj të këqinj.
Shkuleshin gurët e maleve dhe prishnin një urë dashurie,
Një kasolle të mjerë, një dushk të sapo ngritur në këmbë…”
Këtu lumi është tragjik dhe energjik; ai bart mbi shtratin e tij të gjitha humbjet, dhimbjet dhe mallkimet. Lumi nuk është pasiv; ai reagon ndaj historisë, duke u bërë simbol i jetës që sfidohet, por gjithmonë vazhdon rrjedhën.
• Tonet poetike dhe
dimensioni estetik.
Gjuha poetike e Ilirian Zhupës është meditative dhe introspektive. Përdorimi i përsëritjeve, i kontrasteve mes zhurmës dhe heshtjes, dhe personifikimi i lumit krijojnë një atmosferë ku lexuesi ndien rrjedhën e ujit dhe të kohës.
“Ç’më thua ashtu me zhurmë, lumi im, ç’më thua ashtu me heshtje,
Me zhurmën tënde tronditëse e të mirë e të ndershme,
Me heshtjen tënde prej loti e prej dhimbjeje e prej vdekjeje?!”
Kjo apostrofë krijon një marrëdhënie dialogu midis poetit dhe natyrës. Toni është i butë, meditativ, por edhe kërkues, poeti kërkon kuptim.
Në pjesën e parë të këngës së tretë përshembull mbizotëron një ton pranveror, ripërtëritës:
“Behari vjen ngadalë…”
“bora tretet si ëndrra”.
Ritmi është i qetë, me përsëritje anaforike (“Nëpër…”, “Atje tej…”),
që krijojnë ndjesinë e vazhdimësisë dhe rrjedhës, një paralelizëm i drejtpërdrejtë me lumin.
Ndërsa në pjesën e dytë të së njejtës këngë, shfaqet përmasa dramatike.
Përsëritja “Atje tej…” krijon një hapësirë të largët, pothuaj mitike, ku shfaqet thatësira, djegia, etja:
“Të etura për pikën e ujit.”
“E vdes pak nga pak pa arritur
në det”.
Lumi është figurë polisemike; jetë dhe energji, kohë dhe rrjedhë, ndërgjegje, dashuri, identitet personal.
Ai është njëkohësisht natyrë konkrete dhe simbol universal.
Poema ndërtohet mbi anafora (“Atje tej…”, “E unë…”), mbi krahasime të brishta (“si ëndrra”, “si dëshira e foshnjës”), personifikime (lumi flet, troket, urdhëron), metafora kozmike (ciklon, ylber, rrufe).
I gjithi ky figuracion, krijon një tekst me dendësi të lartë imagjinative.
Një veçanti tjetër është edhe estetika e kontrastit.
Poema lëviz midis dimrit dhe pranverës, thatësirës dhe ujit, heshtjes dhe zhurmës, ftohjes dhe mugullimit. Këto kontraste nuk janë vetëm natyrore, por edhe shpirtërore.
•••
“Lumi im” është jeta e Ilirian Zhupës që rrjedh si lumi i vet, është jeta e poetit që shkon e ndjen, që gjen e prek çdo kthesë dhe çdo gur, duke u përpjekur të arrijë detin e vet, ku rrjedhja dhe ndalimi bëhen një me ekzistencën.