Nga Ledio Alite
Në bibliotekën time, në qoshen shpresëdhënëse të saj, qendron libri i guvernatorit të dyzet e gjashtë të Floridas, “Guximi për të qenë i lirë”, me nënshkrimin e tij. Ron DeSantis është ndoshta një nga figurat më interesante bashkëkohore të politikës amerikane. Pasi u arsimua në Yale me bursën e bejsbollit dhe Harvard Law School, DeSantis shërbeu më pas në Irak dhe në sallën e Kongresit Amerikan. Qysh kur u zgjodh guvernator i Floridas, ai ka luftuar dhe fituar beteja duke ndjekur një strategji ndryshe. Me politikat e tij gjatë pandemisë COVID-19, bazuar në prova shkencore dhe të fokusuara në liritë e individëve, ekonomia e Floridas lulëzoi, sistemi arsimor u rendit në krye të vendit, dhe vdekshmëria për të rriturit në këtë shtet ishte më e ulët se në tridhjetë e tetë shtete të tjera të Amerikës. Pavarësisht të gjithë sulmeve mediatike, njerëzit në Florida e duan çdo zgjedhje dhe më shumë Ron DeSantisin, gjatë qeverisjes së të cilit për herë të parë në histori u regjistruan më shumë republikanë se demokratë në këtë shtet. Me shumë gjasë, nga migrimi masiv që po drejtohet në Florida ditëve të sotme për shkak të renditjes në krye për biznes dhe arsim. Një provë, se njerëzit nuk janë të pafuqishëm përballë elitave politike dhe mediatike. Ron DeSantis, ky personazh që njeh mirë pushtetin e rendit post-kushtetues dhe që premton me sloganin: “Make America Florida”.
Sot, në moshën dyzet e pesë vjeçare, kjo figurë e politikës amerikane i është servirur publikut amerikan si kandidaturë për t’u zgjedhur President i Shteteve të Bashkuara. Në fushatën e tij të primareve brenda Partisë Republikane duket se ka një përballje midis të shkuarës dhe së ardhmes. Një nga momentet më interesante ishte Town Hall-i (takim me publikun) në shtetin e Iowa (Ajoua), transmetuar në kanalin televiziv CNN, ku DeSantis u pyet nga një zonjë me emrin Mary Lou Nosco, veterane ushtarake dhe arsimtare. Kjo zonjë e falenderoi DeSantisin për shërbimin dhe i bëri një pyetje. Djali im 33-vjeçar, i tha ajo, është i diplomuar dhe profesionit, por megjithatë ai mendon se nuk do të jetë kurrë në gjendje të blejë një shtëpi. Pronësia mbi një shtëpi ka qenë gjithmonë një pjesë e madhe e ëndrrës amerikane. Çfarë keni në plan të bëni si President për ta bërë më të lehtë për shtresën e mesme blerjen e një shtëpie? – e mbylli pyetjen zonja. Përgjigjja e DeSantis thënë shkurtimisht ishte kjo:
“E para, ne do të ulim interesat e kredive. Rritja e interesave, ka sjellë dhe rritjen e çmimeve të shtëpive. Kjo ulje do të bëhet duke ulur borxhin publik dhe duke implementuar instrumentat e tjera të politikave financiare. E dyta, ne duhet të inkurajojmë projektet e ndërtimit të shtëpive, sidomos për oficerët e policisë, infermierët dhe arsimtarët, në mënyrë që të kenë mundësi të jetojnë pranë komuniteteve ku ato punojnë. Këto janë dy çështjet kryesore, por gjithashtu dua të theksoj një çështje madhore. Të rinjtë që po punojnë fort dhe po bëjnë çdo gjë siç duhet dhe me drejtësi, po mbeten pas. Është bërë pothuajse e papërballueshme kostoja e rritjes së fëmijëve në këtë ekonomi. Kjo po na largon nga ëndrra amerikane. Ne duhet ta rivendosim në vend ëndrrën amerikane, dhe fillon me rregullimin tonë fiskal. Në Florida, ne aktualisht e kemi paguar 25% të borxhit që shteti kishte. Ekonomia jonë renditet e para në SHBA. Udhëheqim në popullimin e ardhur nga shtetet e tjera. Numri një në arsim. Pra, ne kemi treguar si bëhet, dhe duhet të arrijmë të njëjtin nivel suksesi për të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”.
Me çfarë konfirmohet nga banorët e Floridas, por edhe nga ne turistët e thjeshtë, ai shtet po funksionon. Pra, po flasim për një njeri që punën e premton përmes shembullit dhe jo demagogjisë. Zakonisht, shembuj të tillë fitojnë. Dhe duhet të fitojnë, për të mirën e të gjithëve. Të presim e të shohim se çfarë premton 2024 për Shtetet e Bashkuara dhe botën mbarë, megjithëse më duket e vështirë të mendoj se Ron DeSantis nuk do të zgjidhet President.
Siç thashë, libri me nënshkrimin e tij qëndron në qoshen shpresëdhënse të bibliotekës time, për modelin njerëzor, realist, dhe mbi të gjitha, për dedikimin e veçantë në faqen e tij të parë: “Për Madison, Mason, dhe Mamie – Mbani mend se gjithmonë duhet të dëgjoni nënën tuaj.”.
- Shqipëria nuk është e hajdutit Sali Kulla dhe e dhëndrit budalla! - 17/05/2026
- Analiza: Kush e ka pushtetin e vërtetë në Iran? - 17/05/2026
- Kuotat e Trumpit bien, aksionet në bursë ngrihen… - 17/05/2026