23.5 C
Tirana
27 / 07 / 2024

Rasim Gjoka, gazetari që u largua si filozof

Nga Frrok Çupi

Ditën e fundit, që ndodhi pardje, Rasim Gjoka u ndodh para dy shtrëngesave, si në morseta njerëzore:

E para, pse nuk u shpërnda asnjë lajm në media ku të paktën të njoftohej se ‘kolegu ynë shkoi…”?

E dyta, u ndodh para dilemës së shoqërisë se si një gazetar mund të kthehet në një filozof, e pastaj edhe në një aktivist të shoqërisë- siç ndodhi me kolegun tonë.

Të dyja shtrëngesat ndërhyjnë në njëra tjetrën dhe shpesh bëjnë vetëm një.

Po të ishte se gazetari gjatë kohës kur punonte si reporter, nuk do të kishte ndërtuar mbi të gjitha mendimin, as që do t’i shkonte mendja për filozofi. Rasimi i përket atij grupimi ‘lajmëtarësh’ në media, që edhe për të lajmëruar një gjë, më parë i bënte shumë pyetje vetes. Pyetjet: Sa e vërtetë?, sa e dobishme?, lajmi që po transmetoj është ajo që ndodhi apo ajo që dikush tha se ka ndodhur?, etj.

Në kohën kur e emëruan në Fakultetin e Shkencave Juridike e Filozofike si profesor filozofie, Rasimi i kishte kapërcyer shkallët e diturive teorike dhe të provës praktike të produktit për shoqërinë. Atëherë kishte kaluar disa vite dhe eksperienca plot vështirësi si reporter i Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH).

Pardje, kur Rasim Gjoka, pas një aksidenti humbi jetën, la në mes misionin e tij të tretë, pas gazetarisë dhe filozofisë. Ai ishte themelues dhe drejtor ekzekutiv i Fondacionit për Zgjidhjen e Konflikteve dhe Pajtimin e Mosmarrëveshjeve. Ka një vepër të tërë, të shtrirë në gjithë shoqërinë, ku sot duket dora dhe mendimi i Rasimit në fushën e zgjidhjes së konflikteve: Nga zgjidha e konflikteve, pa dëme, në ekonomi; në pronësi; në shoqëri; mes të miturve dhe prindërve dhe mes të miturve e institucioneve të edukimit e të vuajtjes së dënimit.

Po pse duket si ‘strange’ kur thua se sipas modelit të Rasimit, një gazetar sa ç’rëndit fakte, aq thellon mendimin…, dhe një ditë vë në punë filozofinë? Ose përditë, gazetari e vë në punë mendimin. Ndihem shumë i trishtuar kur dëgjoj mes gazetarëve tanë që u duket çudi si mund të jenë edhe mendimtarë, përveçse informues të thjeshtë. ‘Jo, vetëm për lajmin merrem unë, s’më duhen të tjerat’, i dëgjoj që thonë. Lajmi në shumicën e rasteve është i stisur, i pa vërtetë, i ndërtuar si një gjilpërë për t’ia ngulur dikujt. Kjo është më e keqja.

Keqinformimi është kthyer në një ‘filozofi’ të së keqes. KA humbur slogani i përbotshëm se ‘gazetari është mësues i popullit’.

Atëherë, si vallë mund të shpërndahej lajmi se kolegu Rasim Gjoka ‘shkoi’? Pyetje pa kuptim. Të paktën kaq të ishte shkruar: ‘Ishte, prandaj shkoi!’

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x