26.5 C
Tirana
02 / 09 / 2026

Rama mbledh sot Qeverinë te “Vila e Kuqe”, në takim do jenë edhe zv/ministrat! Ja çfarë pritet të diskutohet

Kryeministri Edi Rama do të mbledhë përsëri sot (2 shtator), në orën 13:00, ministrat dhe zëvendësministrat në ‘Vilën e Kuqe’.

Takimi zhvillohet një ditë përpara mbledhjes me Grupin Parlamentar të zgjeruar të Partisë Socialiste.

Takimi i sotëm pritet të shërbejë si pikënisje për zbatimin e detyrave të përcaktuara nga Rama në mbledhjen e zhvilluar javën e kaluar. Në atë takim, drejtuesit e qeverisë u udhëzuan për konkretizimin e programit të periudhës së ardhshme dhe mënyrën se si ai do të zbatohet në terren.

Në fokus do të jetë edhe qasja e re ndaj problematikave të qytetarëve, përmes platformës PasqyrAlbania. Nisma, e prezantuar gjatë takimeve të zhvilluara në Pogradec, synon të krijojë një mekanizëm më të strukturuar për evidentimin dhe ndjekjen e shqetësimeve të qytetarëve.

Pjesë e këtij mekanizmi do të jenë “Flamingo Albania” dhe “Radar”. Përmes tyre synohet që problematikat e evidentuara në territore të mos mbeten vetëm në nivel raportimi, por të ndiqen deri në trajtimin e tyre nga institucionet përgjegjëse.

Në të njëjtën linjë janë edhe ndryshimet ligjore që pritet të përgatiten për funksionimin e PasqyrAlbania, ndërsa një tjetër detyrë e lënë për qeverinë lidhet me organizimin e Pranisë Besnike në territor.

Mbledhja e kabinetit do të pasohet nga një tjetër takim politik. Të enjten, në orën 10:00, Rama do të mbledhë Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste në Pallatin e Brigadave.

Brenda dy ditësh, kryeministri pritet të zhvillojë kështu dy takime me peshë, fillimisht me strukturën ekzekutive dhe më pas me deputetët socialistë, me synimin për të përcaktuar prioritetet e fazës së ardhshme të qeverisjes.

Platforma PasqyrAlbania u prezantua gjatë takimeve dyditore me dyer të mbyllura në Pogradec, ku Rama kërkoi që problematikat dhe shqetësimet e qytetarëve të vendosen në qendër të axhendës së qeverisë.

Sipas konceptit të prezantuar, platforma do të funksionojë përmes dy mekanizmave, “Flamingo Albania” dhe “Radar”. I pari do të shërbejë për grumbullimin e problematikave dhe ankesave të qytetarëve, ndërsa i dyti për ndjekjen dhe monitorimin e tyre.

Pas mbledhjes me ministrat dhe zëvendësministrat, Rama do të zhvillojë të enjten, në orën 10:00, mbledhjen me Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste në Pallatin e Brigadave.

Të dy takimet pritet të shërbejnë për përcaktimin e prioriteteve dhe detyrave të qeverisë dhe mazhorancës për periudhën e ardhshme.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x