Sot qeveria do të shqyrtojë projektbuxhetin për vitin 2027, i cili parashikohet të ketë një vlerë prej 10 miliardë eurosh. Më pas, dokumenti do të prezantohet në Konferencën e Kryetarëve të Kuvendit nga ministri i Financave, Petrit Malaj, për të vijuar më tej me diskutimet në komisionet parlamentare.
Gazetarja Rugova Dunisha ka bërë me dije se një nga elementet e veçanta të buxhetit të ri është përfshirja e kompensimit për bizneset që kanë pësuar dëme gjatë protestave të zhvilluara në kryeqytet gjatë 15 ditëve të fundit. Sipas saj, mekanizmi për dëmshpërblimin e bizneseve pritet të përfshihet në buxhetin e vitit 2027, në kuadër të masave të propozuara nga kryeministri Edi Rama.
Rugova sqaroi gjithashtu se pas prezantimit të projektbuxhetit në Konferencën e Kryetarëve do të përcaktohet kalendari i punës së Kuvendit, ndërsa më pas do të nisë shqyrtimi i detajuar i zërave buxhetorë në komisionet parlamentare.
Sa i përket opozitës, gazetarja bëri me dije se Partia Demokratike pritet të vijojë bojkotin e pjesshëm të punimeve parlamentare. Sipas saj, demokratët kanë paralajmëruar se nuk do të bëhen pjesë e normalitetit parlamentar, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie tranzitore dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.
Ndërkohë, mbetet për t’u parë nëse PD-ja do të marrë pjesë në diskutimet për buxhetin e ri në Konferencën e Kryetarëve dhe në çfarë forme do të shprehet për paketën fiskale që shoqëron projektbuxhetin.
- Arsimi që proteston për politikë, por që prodhon analfabetë - 28/10/2026
- Rruga drejt marrëveshjes? Trump: Takimi mes Putin dhe Zelenskyt do të mbahet shumë shpejt - 28/10/2026
- Qeveria shqyrton sot buxhetin 2027, parashikohen 10 miliardë euro, kompensim për bizneset e dëmtuara nga protestat - 28/10/2026