Nga Zeko Gjeraqina
Më ke bërë borxhli, o zoti Bungo, duke u shqetësuar për mua e duke dalë në mbrojtje të të drejtave të mia autoriale!
E ke bërë këtë duke shpallur para botës mbarë që monologu i mirënjohur në estradën e Fierit “A doni më për Belulin” qënka një vepër e imja dhe vetëm e imja! Nuk e di në e ke bërë këtë në të mirë të Fierit, ku ke punuar mjaft gjatë e ia do të mirën dhe nuk do që aty të akuzohet njeri se ka vjedhur Qamil Buxhelin, dmth, mua! Ekziston dhe mundësia që ti mund të jesh i dashuruar me krijimtarinë time dhe më regjistron në pronësi dhe ato që nuk janë të miat.
Duhet të jetë kjo e dyta. Dhe kjo më emocionon pa masë. Se siç e thua vetë prej dyzet e ca vitesh, zemra jote e ndjeshme drithëronte, sa herë e shikoje suksesin e madh të këtij monologu të gjithë pëlqyer, nuk të zinte gjumi dhe je matur kaq herë të tregoje se kush i kishte meritat për këtë. Dhe në të gjallë tim nuk e shpalle në shtyp, gjatë tridhjetë e kusur vjetëve që shfaqej ai!
O Perëndi ç’njerëz të drejtë dhe të pastër ke sjellë mbi tokë! Ja, zotin Leka Bungo, që nuk duron dot padrejtësitë e asaj bote të ndyrë!
Kjo më prek pa masë, or Lekë! Dhe që qëllimi yt, është i mirë, ty të lexohet dukshëm!
Megjithëse ke ca pasaktësira.
Ti thua se kur e ke lexuar në botimin e parë tek libri “ Faraonë dhe Firaunë” ke qeshur shumë-shumë dhe ma ke vlerësuar atë monolog baraz me një vepër shumë vëllimshe. Mua më rezulton se atë libër ti nuk e ke hapur kurrë, aq më tepër që aty ai nuk është. Pas afro 40 vjetësh, tek libri “Nuse nga Evropa” që e ke hapur e ke lexuar përsëri. por nuk ke qeshur. Ke vendosur të ulurish se ka ndodhur një vjedhje. E vjedhja që më është bërë mua, ty, që shkumbëzon kundër vjedhjeve, nuk të ka lënë të qeshësh.
Ah, more Leka i mirë! Atë monologun që kishe kopjuar dhe na e kishe vënë në Tema, në shkrimin tënd avokator, as te “Nusja e Evropës” nuk e kam botuar! Ai nuk figuron në asnjërin nga librat e mij! Ai që solle ti në gazetë, është fjalë për fjalë monologu skenik i estradës të Fierit tënd. Zor ta kesh lexuar përpara se ta shihje në skenë, se për ty atë kohë flitej se lexoje vetëm në gjuhë të huaja dhe nuk na përfillje ne, vëndasit.
Ja si është historia: Shoku dhe kolegu yt Pëllumb Kulla ato kohëra thuri një seri spektaklesh si “antologjira skenike” me humorin e autorëve më në zë. Në skenën e Fierit, ai përshtati “Këngën e Buzëqeshjes” me humorin që përmbanin në librat e Dritëroit, “Çobo Rrapushin me Shokë” me humorin e Shevqet Musarajt dhe “Kënga e Tokës” nga krijimtaria e Jakov Xoxës. Në këtë vrull, Saranda e thirri dhe aty Kulla mori përsipër t’u bëjë atyre të estradës vendase një spektakël të këtij lloji me humorin tim. Në të gjithë këto shfaqje para se t’u bëhej regjisor, ai bëri një punë paraprake si shkrimtar. Përfshiu nga tërësia e veprave të autorëve copëza komedish, dhe artikujsh satirikë, tregime të ndryshme. Pre andej dhe ngjit këtej!.. Ti e ke shok të vjetër që prej 60 vjetësh dhe nuk duron të ta shajnë, por ai Kulla bëri një punë si kasapët dhe disa here, kasap-kasap, por ia doli të formatonte dhe krijonte gjëra mjaft të suksesëshme. I tillë ishte “A doni më për Belulin?” të cilin e nxorri dhe e shtrydhi nga tregimi im i hershëm “Stenograma e një fjalimi.”
Kjo nuk është vjedhje. Kjo nuk bën pjesë në kategorinë e vjedhjeve, që të revoltojnë ty dhe trazojnë shpirtin tënd të drejtë dhe të pastër qelibar. Unë isha vetë në Sarandë ato ditë dhe miku yt, që ishte dhe i imi, libretin e plotë ma dha mua të parit, që t’ia miratoja. Nuk është veprim prej hajduti ky. Aty unë vetë lexova për herë të parë “A doni më për Belulin?”. E lexova më parë nga të gjithë! Edhe para aktorëve të Sarandës edhe atyre të Fierit! Nuk mund të quhet vjedhje kjo, Lekooo! Aq më tepër që Kulla sa herë e ka botuar, apo shfaqur, kurrë nuk ka lënë pa shënuar në çdo libër dhe buletin “Sipas motiveve të Qamil Buxhelit” Se artikulli yt, or Lek, aq sa duket sikur kërkon të evidentojë vlerat e mia, po aq të është nënkuptuar publikisht dhe si denoncimi yt për Pëllumb Kullën! Gjë që ti nuk e kishe kursesi atë qëllim, për një shok të vjetër, me të cilin je rritur tok, jetuar tok, vuajtur tok, gjatë dënimeve të të dyve në Vlorë dhe Fier, me gratë shoqe të ngushta e me pjellat tuaja me mosha të njëjta të lidhur me fëmijërira, me adoleshenca e më tej. Nuk mund ta trajtoje ti një mik të ngushtë që ka 31 libra të publikuar, siç mund të trajtohet një diletant i një vatre kulture! Nuk e ke atë zemër ti, Leka Bungo! Të njohin të gjithë ty!
Unë pastaj, në botimin e vitit 2006, në përmbledhjen “Nusja nga Evropa” për ribotimin e “Stenogramës” që përmend Kulla, ia hoqa emrin e vjetër tregimit dhe më pëlqeu ta titulloja “A doni më për…” Mora ca fraza dhe ca efekte nga monologu i tij, dhe nuk më rrihej pa futur aty fraza dinamike dhe vetë emrin Belul, që nuk e kisha shqiptuar kurrë më parë. Por, ama, – jo-jo! -nuk do kthehesha dhe unë të shkruaja “sipas monologut të P. Kullës, shkruar sipas tregimit të Q. Buxhelit”!… Kjo bëhej komike pastaj!
Ai artikulli yt dashamirës ndaj meje, më zgjoi dëshirën dhe më bëri që në këtë bibliotekën tonë të madhe të Parajsës, të shoh libra, botime, videokaseta lidhur me emrin tënd, jetëshkrimin dhe veprat e tua. Se në fakt nuk të kisha njohur më parë. Por edhe ata vdekurit e tjerë, të moshës time, nuk të njihnin hiç. Aty mësova se pas shkollimit të kishin emëruar regjisor në Vlorë… Pastaj ishe ngritur dhe paskëshe kaluar Vjosën e paskëshe themeluar teatrin e Fierit!… Kështu “themelim” e quaje në ca intervista të tuat në videot e Youtubes. E m’u bë zemra mal për ty, o dashamirësi im! Se kemi qenë të varfër me teatro e me regjisorë saç ishin nevojat. Piro Mani emëruar në Tiranë, Mihal Luarasi emëruar në Korçë, Serafin Fanku emëruar në Shkodër… Emëruar, por asnjëri nuk pat themeluar gjë, si teatrin që themelove ti në Fier…
Pastaj mësova për dënimin që të dhanë si element armiqësor, duke të degdisur në Patos. Një persekutim mizor. Të braktisën aktorët, shokët… Nuk të vinte njeri në shtëpi. Prisnin me shpresë se do binte shi, që të mbuloheshin me çadra për të mos i njohur njeri, kur të vinin tek ty… Tmerr o tmerr! Pa shiu në Fier nuk ishte aq i shpeshtë, dhe thuhej se më shumë ishte i etur e kish nevojë për shi Bungua, se sa fushat e gjëra të Myzeqesë! Aty në Bibliotekën e Parajsës lexoja, se si nuk të afrohej njeri dhe ti, kafe më kafe, vërtiteshe vetëm në shoqëri me Spahivoglin, që ato vite ishte i dënuar dhe ai si ty. Pastaj meqënëse Kujtimi nuk bleu dot një çadër, i shove marrëdhëniet dhe me të.
Kërkoja lart e poshtë edhe sukseset e tua me jehonë në publik, dhe më trishtonte fakti që akoma asnjëri nuk të njeh. Asnjë popullaritet, asnjë vepër që të tronditë, se mua si dashamirësi yt reciprok do të më gëzonin sukseset e tua. Por asgjë, asgje, asgjë?!… Trishtim! Ja, mua më gëzon, jo vetëm komedia ime “I pazvendësueshmi” por edhe një frazë fillikate: “A doni më për Belulin? A doni më???!” Frazë që, falë ndërhyrjes tënde, çpronësove shokun tënd dhe tani ajo është vetëm e imja! Një batutë është, por është bërë popullore dhe kjo e shpërblen autorin, sa herë në përditshmëritë njerëzit e thjeshtë, veteranët, deputetët, ministrat e përdorin shpesh! Edhe një batutë i kënaq artistët dhe krijuesit, kur ajo ze vend në të folurën e përditëshme siç është ajo “Edhe unë, Qazim Mulletja, po të kisha qenë 6 muj në burg, do isha ba kamunist, jo ma ti!“ Apo ajo e Pallatit 176: “Pu-pu-pu! Se mos ka ndodhur gjë nga ndërmarrja, mor aman?” Apo ajo e Durrësit “Sheqer, sheqer! Bë-bë-bë!” Pastaj ato të estradës tuaj fierake “Po ai që e vodhi lopën nuk ka faj?!””Demek, partizani ishte veshur si partizan! Që ne ta merrnim për ballist!“ Dhe: “Telefonin e kanë lënë, të na e venë javën tjetër, por na kanë dhënë shpresa të na e anullojnë.” Apo “Patatete nuk ishin patate, po bomba. Aty vetëm gomari ishte gomar!”
Ty nuk të atribuojnë asnjë nga këto fiqfiqet simpatike dhe mua më therr në shpirt. Po ne presim këta të vdekurit e rinj, që na vijnë, mbase na sjellin ndonjë lajm të mirë për ty. Vërtet i kalove të tetëdhjetat, por kohë ke, ambicje gjithashtu ke sa të duash dhe me me atë ambicie me siguri do triumfosh!
Gërmo Tare, gërmo!