26.5 C
Tirana
02 / 09 / 2026

Putin përplaset para mediave me kryeministrin armen/ “Anëtarësimi në BE është problem. Pyesni popullin”

Takimi i presidentit rus Vladimir Putin dhe kryeministrit armen Nikol Pashinyan në Kirgistan u shoqërua me një përplasje të paprecedentë publike. Shkak u bë aspirata e Jerevanit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Sipas presidentit rus, kjo bie ndesh me qëndrimin e Armenisë në Bashkimin Ekonomik Euroaziatik, të udhëhequr nga Rusia. Ndaj ai i sugjeroi kryeministrit armen që për këtë çështje t’i drejtohet popullit për referendum.

“Ju jeni të vetëdijshëm për qëndrimin e Rusisë. Edhe pse Armenia nuk ka njoftuar tërheqjen e saj nga EAEU, ajo ka miratuar një ligj mbi procesin e anëtarësimit në një organizatë tjetër ekonomike – i cili, në fakt, përbën një njoftim për tërheqjen e saj nga Bashkimi Ekonomik Euroaziatik, pasi anëtarësimi i njëkohshëm në të dy organizatat është i pamundur. Pajtohem që populli duhet të ketë gjithmonë një zgjedhje. Pra, bëjeni dhe ne do ta mbyllim çështjen. Kaq është. Tani për tani, gjëja më e thjeshtë është t’i drejtohesh popullit dhe ta pyesësh: çfarë dëshiron”, deklaroi Putin.

“Ky proces nuk është kundër Rusisë, jo kundër Bashkimit Ekonomik Euroaziatik, sepse Armenia i vlerëson shumë marrëdhëniet e saj me Rusinë. Ne e kuptojmë se do të vijë koha kur do të na duhet të bëjmë një zgjedhje shumë specifike. Por tani për tani, në thelb nuk kemi alternativë. Kjo alternativë nuk është krijuar në realitet. Kur të krijohet, atëherë, sigurisht, ne do të bëjmë një zgjedhje. Me apo pa një referendum”, pohoi nga ana tjetër kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan.

Tensionet mes Moskës dhe Jerevanit janë rritur, ndërsa Armenia po thellon lidhjet me Perëndimin. Rusia ka vendosur së fundmi edhe kufizime të përkohshme për importet e disa produkteve armene.

Moska ka paralajmëruar se vazhdimi i kursit drejt BE-së mund të vërë në pikëpyetje edhe anëtarësimin e Armenisë në strukturat ekonomike të drejtuara nga Rusia.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x