Nga Roland Lami
Partitë politike në Shqipëri kanë kohë që iu ka vdekur demokracia e brendshme, madje për të qenë korrekt nuk ka lindur asnjëhere nëse i referohemi tre dekadave të fundit kur ndërtuam sistemi partiak në Shqipëri.
Tentativat në publik për ti shitur partitë si demokratike duke huazuar praktika të mira nga partitë simotra në perëndim, më së shumti kanë qenë show sesa vullnet për të ndryshuar situatat brenda partive respektive. Sot me gojën plot mund të themi që strukturat janë më shumë zgjatime të kryetarit sesa kufizim autoriteti dhe pushteti të këtij të fundit.
Në këtë kontekst, ideja e mbajtjes së primareve si detyrim statutor por edhe tentativë për të bërë dallimin nga kundërshtari në prag fushate zgjedhore nga ana e PD në vend që të shërbejë për të përmirësuar demokracinë e brendshme në parti dhe të mobilizojë anëtarësinë në funksion të kandidatëve apo të vlejë si një marketing që bën diferencën me kundershtarin, ka gjasa të kthehet në të kundërtën. Kjo për disa arsye.
Së pari, nuk mund të përdorësh një mekanizëm demokratik i cili i jep peshë antarësisë dhe ç’aktivizon peshën e drejtuesve të strukturave kur në 34 vjet ka qenë e kundërta. Pra, nuk ndërton një proces nga poshtë- lart me një të renë të lapasit kur për 34 vjet ka ndodhur e kundërta. Testimi i primareve në 2022 e faktoi këtë gjë. Aq më shumë që jemi disa muaj para zgjedhjesh dhe antarësia dhe strukturat nuk janë të relaksuara, por të tensionuara.
Së dyti, koncepti i garës funksionon kur antarësia e pranon fraksionin, ndarjen në grupe, diversitetin në mendime si normalitet politik jo si formë përjashtimi ose me mua ose kundra meje. Lufta brenda PD për godinën, logon dhe drejtimin e PD mbas ”non grata” e Berishës dhe eksperienca e zgjedhjeve të 2023 më shumë të ndarë se sëbashku nuk kapërcehen lehtë nga antarësia apo strukturat poshtë. Votimi i primareve nuk i shuan apo zbut inatet e vjetra përkundrazi i nxjerr më shumë në pah si gjatë fushatës që zhvillojnë kandidatët dhe në ditën e votimit. Negocimi për arsye pragmatiste lart me kundërshtarët e Berishës nuk funksionon kaq lehtë, poshtë në bazë.
Së treti, primaret mundësojnë përzgjedhjen e personave më të pëlqyer dhe të votuar në PD por në krahun tjetër drejtuesit politik të qarqeve janë të emëruar dhe jo detyrimisht mund të perceptohen si më të preferuar dhe votuar në njësi apo antarësi. Pra, pëlqimi i liderit ndaj drejtuesve politik, tashmë të emruar, jo detyrimisht korrespondon me pëlqimin e bazës në qarqe të ndryshme, pasi kanë votuar në shumicë për individë të tjerë si më të preferuar.
Së katërti, sistemi proporcional me 30% lista të mbyllura bie ndesh me primaren ku sistemi evidenton më të votuarit brenda strukturave. Si harmonizohen rezultati i primareve me preferencat e liderit në ndërtimin e listave të mbyllura. Insistimi i dy liderve PD dhe PS për listat e mbyllura ishte pikërisht për të pasur dorë të lirë për të paracaktuar si fitues në vende të sigurta rreth 43 deputet me listat e mbyllura?