Nga Kreshnik Spahiu
Lufta mes Greqisë dhe Shqipërisë s’është për 5 mijë lekëshin e Fredi Belerit.
Lufta e BE kundër vetos Athinës s’është kundër 5 mijë lekëshit të votave që bleu Beleri.
Kancelari Scholz, presidenti Macron nuk po deklarohen çdo ditë kundër Greqisë sepse janë të shqetësuar për 5 mijë lekëshin në xhepin e Belerit.
E gjithë kjo përplasje nuk ndodh për Belerin por për Himarën.
Problemi i Athinës apo pengesa e Greqisë nuk është Edi Rama por Perëndimi.
25 vite më parë Greqia për të njëjtën arsye e izoloi Shqipërinë në fazat e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asocim në BE për të njëjtën arsye.
4 minoritar grek u arrestuan nga drejtësia shqiptare, por në ato vite Greqia kishte në krah SHBA dhe BE.
Vitet 1995-1997 ishin një betejë e ashpër e cila u kurorëzua me hapjen e depove me armë dhe përmbysjen me dhunë të qeverisë Berisha e cila refuzoi kërkesat e Washingtonit për lirimin e 4 minoritarëve grek që akuzoheshin për vrasjen e masakrës së Peshkëpisë.
Pyetja shtrohet: Pse sot Washingtoni dhe Brukseli nuk janë në krahun e Greqisë por janë hapur pro Shqipërisë?
Thelbi i konfliktit nuk është kërkesa e Greqisë për çlirimin e Belerit por për helenizimin e Himarës.
Shërbimet inteligjente kanë njoftuar qeverinë shqiptare dhe partnerët euroatlantik që Athina ka projekt helenizimin nëpërmjet marrjes së bashkisë Himarë dhe kërkesave për një asociacion të bashkive greke duke u bashkuar me Dropullin dhe Finiqin.
Amerika dhe Europa nuk mund të lejojnë Zajednica 2 në Ballkan.
Perëndimi ka treguar jo vetëm shenja lodhjeje por dhe nervozizmi me veriun e Kosovës një konflikt i krijuar nga nacionalistët serb prej të cilit po shpenzohet shumë kohë, energji, financa, burime njerëzore dhe ushtarake prej vitesh.
Një Himarë e kontrolluar nga Athina do ishte një minë me sahat për stabilitetin në rajon.
Fredi Beleri ra në rrjetën e drejtësisë por konflikti nuk është 5 mijë lekëshi por 5 mijë problemet dhe 5 mijë pretendimet nacionaliste etnike helene që Athina do krijonte në jugun e Shqipërisë.
Edi Rama nuk është armiku i Greqisë sepse edhe ai ka mandatuar një grek në krye të Bashkisë.
Edi Rama nuk është pengesa e Athinës sepse ai e ka favorizuar shumë Fredi Belerin.
A e dini që Rama po e trajton Belerin më mirë se kryetarët shqiptarë të bashkive qe ka shkarkuar?
Pse nuk mbledh qeverinë dhe ta shkarkojë Belerin:
– njësoj si shkarkoi Shukri Xhelilin në Dibër?
– njësoj si shkarkoi Valdrin Pjetrin në Shkodër?
– Njësoj si Lefter Allën në Bulqizë?
– njësoj si Safet Gjicin në Shkodër?
Dhe në fund: Pse kryeministri Rama dhe presidenti Begaj nuk shpallin zgjedhjet e parakohshme në Himarë por presin vendimin e formës së prerë nga gjykata?
Pse kryetarët shqiptarë të bashkive nuk u prezumuan të pafajshëm deri sa ti dënonte gjykata?
Për të gjitha këto arsye Greqia duhet kuptojë se Edi Rama nuk është prokurori i Belerit por avokati i tij. Rama po e përkëdhel pak si shumë rastin Beleri duke mos shpallur zgjedhjet e parakohshme.
Athina është e nervozuar jo sepse Rama ka burgosur Belerin, por sepse SHBA dhe BE janë bërë avokate të Shqipërisë në këtë debat.
Përgjigja është e thjeshtë: Amerika dhe Europa duan paqe dhe stabilitet.
Perëndimi nuk mund lejojë që shërbimet ruse dhe kineze të penetrojnë në rivierën shqiptare me investime në industrinë e turizmit njësoj siç ndodhi vite më parë në Greqi, Mal të Zi, Serbi apo Maqedoni.
Ato e kanë të qartë se Beleri nuk fitoi me 10 vota plus nga votat e minoritetit grek por nga votat që Berisha-Meta bashkuan me Athinën.
Për këto arsye, Washingtoni dhe Brukseli duan një Himarë që kontrollohet nga qeveria dhe Shqipëria por jo një Himarë të “pushtuar” nga Berisha dhe Greqia.