Nga Avni Selmani
Në Kosovë janë ndërruar qeveri, ministra, koalicione dhe premtime, por modeli ekonomik ka mbetur pothuajse i pandryshuar: konsum, import, remitanca dhe varësi nga jashtë. Ndryshojnë emrat në pushtet, por jo mënyra se si funksionon ekonomia.
Pavarësisht se Kosova njihet për pasuritë e saj nëntokësore, si linjiti, plumbi, zinku dhe minerale të tjera, si dhe për tokën bujqësore, fuqinë punëtore dhe diasporën e madhe, këto potenciale nuk janë vënë në funksion të zhvillimit. Problemi është se asnjë qeveri nuk ka ditur, ose nuk ka dashur, t’i kthejë këto resurse në prodhim, vende pune dhe eksport.
Trepça përmendet si pasuri kombëtare vetëm në fushata. Energjia mbetet problem, edhe pse vendi ka rezerva të mëdha të linjitit. Bujqësia subvencionohet, në vend që të ndërtohen politika ekonomike që e mbrojnë prodhimin vendor dhe krijojnë një sistem të qëndrueshëm prodhimi dhe tregu. Industria pothuajse nuk ekziston. Pasuritë janë aty, por shteti nuk di çfarë të bëjë me to.
Në vend të zhvillimit, kemi ndërtuar një ekonomi konsumuese. Importojmë rreth 85 për qind dhe eksportojmë vetëm rreth 15 për qind. Ky raport mbetet pothuajse i njëjtë, pavarësisht se kush qeveris. Blejmë prodhimin e vendeve të tjera dhe më pas mburremi me rritjen e qarkullimit tregtar.
Kjo nuk është ekonomi prodhuese. Është ekonomi që mbijeton nga paratë e diasporës, nga importi dhe nga tatimet që shteti mbledh mbi mallrat e huaja.
Nga një qeveri te tjetra, vazhdojmë të mbetemi ndër vendet më të varfra, me të njëjtat dobësi ekonomike, varësi nga importi dhe mungesë perspektive.
Qeveritë flasin vazhdimisht për rritje ekonomike, por pothuajse asnjëherë nuk e përmendin inflacionin me të njëjtën forcë. Nëse ekonomia rritet me 4 për qind, ndërsa çmimet rriten me 6 për qind, qytetari nuk është bërë më i pasur. Ai është bërë më i varfër.
Kjo është rritje në numra, jo në jetën reale. Është rritje në vakum: buxheti rritet, të hyrat tatimore rriten, çmimet rriten, ndërsa fuqia blerëse bie.
Edhe më shqetësuese është se as ekspertët e ekonomisë nuk e trajtojnë si alarm gjendjen reale të vendit. Kosova mbijeton nga një buxhet në tjetrin, nga remitancat dhe nga tatimet mbi importin, pa krijuar rezerva serioze për kriza ekonomike, energjetike apo ushqimore. Një shtet që nuk prodhon, nuk eksporton dhe nuk i shfrytëzon resurset e veta, nuk po zhvillohet. Ai vetëm po e shtyn krizën nga një vit në tjetrin dhe po e paraqet mbijetesën si sukses.
Problemi është edhe mungesa e përgjegjësisë për rezultatet. Qeveritë publikojnë programe dhe premtojnë investime, por në fund të mandatit askush nuk jep llogari se sa është rritur prodhimi, eksporti dhe punësimi i qëndrueshëm. Dështimi mbulohet me statistika të përgjithshme, ndërsa përgjegjësia kalon nga një qeveri te tjetra. Në një shtet normal, politika ekonomike matet me rezultate; te ne, ajo matet me deklarata, përqindje dhe konferenca për shtyp.
Asnjë qeveri nuk i ka dhënë vendit një drejtim të mirëfilltë ekonomik. Secila ka ardhur me projekte të reja, të menduara kryesisht për t’i joshur votuesit, me slogane të reja dhe justifikime të vjetra. Nuk ka pasur strategji që vazhdon përtej mandatit dhe as përgjegjësi për dështimin.
Pasojën e shohim te emigrimi. Njerëzit nuk largohen sepse nuk e duan vendin. Largohen sepse nuk mund të jetojnë me dinjitet nga puna e tyre. Kur shteti nuk krijon perspektivë, qytetari kërkon një shtet tjetër.
Kosovës nuk i mungojnë resurset. I mungojnë vizioni, aftësia dhe përgjegjësia.
Qeveritë janë ndërruar. Dështimi ekonomik ka mbetur.