Nga Avni Selmani
Që nga përfundimi i luftës e deri sot, Kosova nuk ka pasur asnjëherë politika ekonomike serioze dhe as projekte strategjike shtetërore. Nuk ka pasur plan, nuk ka pasur vizion dhe nuk ka pasur ide të qartë se çfarë ekonomie duhet të ndërtohet. Vendimet janë marrë nga politikanë dhe jo nga njerëz me dije profesionale, dhe për këtë arsye ekonomia ka mbetur pa drejtim.
Resurset natyrore janë trajtuar keq ose janë lënë jashtë funksionit. Në vend që të shihen si bazë për zhvillim, janë kthyer në çështje politike ose janë shtyrë pa afat. Asnjë strategji serioze nuk është ndërtuar për t’i kthyer këto pasuri në vlerë ekonomike për shtetin dhe qytetarët.
Mungesa e industrisë është pasojë e drejtpërdrejtë e kësaj qasjeje. Pas luftës, kapacitetet prodhuese nuk u rindërtuan dhe nuk u krijua asnjë industri e re që do ta zëvendësonte atë që u shkatërrua. Nuk pati plan se çfarë strukture ekonomike po ndërtohej. Në vend të prodhimit u zgjodh rruga më e lehtë, importi, konsumi dhe remitencat. Ky nuk është zhvillim, por mbijetesë.
Dikur Kosova kishte kombinate dhe fabrika prodhuese me mijëra punëtorë. Kishte industri ndërtimi, përpunim metalesh, energjetikë dhe ndërmarrje shoqërore që mbanin gjallë ekonominë dhe punësimin. Këto struktura krijonin prodhim, siguronin vende pune dhe përbënin bazë ekonomike. Sot pothuajse asnjëra prej tyre nuk funksionon. Nuk u modernizuan, nuk u rindërtuan dhe nuk u zëvendësuan me industri të reja. U lanë të shkatërohen, duke e lënë vendin pa bazë prodhuese dhe pa ekonomi reale.
Privatizimi u trajtua në mënyrën më të gabuar të mundshme. U realizua pa kritere zhvillimore, pa obligime të qarta dhe pa kontroll institucional. Ndërmarrjet u shitën jo për t’u zhvilluar, por për përfitime afatshkurtra. Si pasojë u humb baza prodhuese dhe mijëra vende pune, pa ndonjë përfitim real për ekonominë.
Dështimi vazhdoi edhe në shfrytëzimin e resurseve njerëzore. Asnjëherë nuk u ndërtua një trup serioz ekspertësh që do të udhëhiqte politikat ekonomike. Ekonomia u drejtua nga politikanë që nuk e kuptojnë se si ndërtohet zhvillimi afatgjatë. Vendimet u morën pa analiza, pa dije dhe pa përgjegjësi.
Në shtetet që funksionojnë, politikat ekonomike hartohen nga ekspertët dhe zbatohen nga politika. Në Kosovë ndodh e kundërta. Politikanët vendosin, ndërsa ekspertët anashkalohen. Për këtë arsye nuk ka vazhdimësi, nuk ka rezultate dhe nuk ka zhvillim.
Sot ekonomia e Kosovës është e varur nga importi. Pa industri nuk ka punësim të qëndrueshëm dhe pa punësim nuk ka zhvillim. Kjo nuk është mungesë mundësish, por pasojë e drejtpërdrejtë e vendimeve të gabuara.
Zhvillimi ekonomik nuk vjen nga fjalimet dhe as nga ciklet zgjedhore. Ai kërkon dije, plan dhe vazhdimësi. Kosova nuk ka dështuar sepse është e vogël apo e varfër, por sepse ekonominë e ka trajtuar si mjet pushteti dhe jo si projekt shteti. Përderisa ekonomia vazhdon të trajtohet si çështje politike dhe jo profesionale, vendi do të mbetet konsumues, i varur dhe pa perspektivë zhvillimi.