Nga Ylli Manjani
Sali Berisha, në përpjekje për të krijuar një narrativë që të bindë demokratët të dalin në protestë, thotë ndër të tjera se:
“… Edi Rama ka më shumë pushtete se Enver Hoxha…”
Pavarësisht ndonjë hiperbole që doktori i përdor rregullisht në të folurën e tij, në thelb bie dakord me konstatimin se Kryeministri i sotëm ka akumuluar shumë pushtet politik. Pasja e një shumice të cilësuar parlamentare e bën atë realisht të fuqishëm politikisht. Të blinduar në çdo aspekt dhe nga çdo atak kushtetues.
Mirëpo përgjigja e pyetjes pse Rama u bë kaq i fortë është e hidhur.
Pilulë e pagëlltitshme.
Aryet duhen kërkuar tek mefshtësia politike; disorientimi ideologjik; shkëputja totale nga Shqipëria dhe shqiptarët e sotëm e Partisë Demokratike.
Narrativa se “Rama na vjedh votat”, që do të thotë se PD bëri çdo gjë korrekt po ishte vjedhja ajo që i ndëshkoi, NUK HAHET me asgjë.
PD është rrudhur elektoralisht keq dhe shumë keq, për faj të vet. Askush nuk i ka asnjë borxh për vendimet e gabuara që ka marrë nga 2013-a e këtej. Keq e më keq dhe nga gabimi në gabim ka shkuar, nga viti të vit. Nga zgjedhjet në zgjedhje.
Asnjë narrativë në komunikimin publik nuk ka ngjitur.
Shumë e vështirë sot të gjesh një shtresë sociale që të gjejë veten tek PD. Asnjë ide politike vetëm narrativa boshe në emër të një morali të dyshimtë.
PD ka vite që është kundër pronës private, kundër biznesit e kapitalit, kundër nismës së lirë ekonomike, kundër garës demokratike, kundër projekteve të zhvillimit urban.
PD godet cilido që jeton në vilë apo në kullë. Godet cilindo që ndërton kulla e vila. Dmth godet masën më të madhe të njerëzve që jetojnë në këto hapësira, duke harruar se në po të njëjtat vende jetojnë edhe demokratët fanatikë të mbetur në atë parti.
Kulmin e kakofonisë reaguese PD e ka kur sulmon veten në debatet e brendshme (Gaz kallëzuesi bashkjeton me të kallëzuarit) dhe kur brenda ditës drejtësia i del demon dhe engjell…
Katastrofë që nuk mbulohet dot me narrativën e lodhur e të pabazuar në fakte të vjedhjes së zgjedhjeve. Meqë ra fjala votat u rinumëruan dhe vjedhjet dolën brenda llojit, apo jo?!
Fakt është që votat në kuti kanë prodhuar këtë rezultat. PD ka dështuar të ketë më shumë vota në kuti sesa Edi Rama dhe PS. Ky është fakti. Opinionet nuk e mbulojnë dot këtë fakt.
Kështu pra Edi Rama u bë i fortë, nga zgjedhja në zgjedhje. U bë sepse PD ka treguar më shumë interes të përfitojë nga pushteti i Edi Ramës sesa ti marrë pushtetin atij.
Njerëzit nuk janë budallenj. Kur shohin të shitet opozita, do ta shesin edhe ata votën. Aq kanë në dorë.
Nuk po them, në asnjë rrethanë se kjo është një gjë e mirë, por ky është fakt.
Edi Ramës super pushtetin ia ka dhënë vota të cilën PD e ka humbur. Pra super pushtetin ja ka dhënë PD-ja vetë.
- Delegacioni ukrainas drejt SHBA-së për bisedime mbi paqen, Zelensky: Shpresojmë të nënshkruajmë garancitë e sigurisë - 16/01/2026
- Humbi Topin e Artë dhe FIFA The Best, Raphinha shpallet lojtari më i mirë i vitit 2025 nga… fansat - 16/01/2026
- Paralajmëron spastrime masive në PD, Berisha: S’kanë vend ata që bashkëpunojnë me PS - 16/01/2026