19.2 C
Tirana
18 / 10 / 2026

“Protestat të jenë paqësore”, Brukseli dënon dhunën: Vendi po shënon përparim të rëndësishëm drejt BE

Komisioni Europian ka reaguar lidhur me protestat e dhunshme në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë, duke dënuar ashpër aktet e dhunës, zjarrvëniet, sulmet ndaj institucioneve shtetërore dhe shkatërrimin e pronës publike e private.

Në deklaratën e tij, Komisioni Europian thekson se dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike, ndërsa kërkon që personat përgjegjës të përballen me drejtësinë, duke respektuar procesin e rregullt ligjor.

“Dënojmë përdorimin e dhunës në Tiranë dhe në qytete të tjera të Shqipërisë, përfshirë zjarrvënien, sulmet ndaj institucioneve shtetërore dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private. Dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike dhe reagimi ndaj saj duhet të mbetet brenda kuadrit ligjor dhe të jetë proporcional”, thuhet në deklaratë.

Brukseli nënvizon njëkohësisht se liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera europiane, por që duhet të ushtrohen në mënyrë paqësore.

Një vëmendje të veçantë në deklaratë merr edhe procesi i integrimit europian të Shqipërisë. Komisioni Europian vlerëson përparimin e rëndësishëm të vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke bërë thirrje që pakënaqësitë të zgjidhen përmes dialogut dhe jo dhunës.

“Mirëpresim angazhimin e autoriteteve shqiptare për të mbrojtur të drejtën për të protestuar. Në një vend kandidat, të angazhuar vendosmërisht në procesin e anëtarësimit në BE dhe që po shënon përparim të rëndësishëm në rrugën e tij drejt BE-së, pakënaqësitë duhet të trajtohen përmes dialogut konstruktiv dhe në mënyrë paqësore”, thekson Komisioni Europian.

Reagimi i Brukselit vjen në një kohë kur protestat në kryeqytet janë shoqëruar me episode dhune dhe përplasje me forcat e rendit. Mesazhi i Komisionit Europian është i qartë: respektimi i të drejtës për të protestuar duhet të shkojë paralelisht me respektimin e ligjit dhe shmangien e çdo forme dhune.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x