Deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila, ka hedhur akuza ndaj kryedemokratit Sali Berisha, të cilin e akuzoi se përmes protestave të dhunshme po djeg Shqipërinë.
Në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, Mila tha se nuk ndodh askund në botë, që një parti politike, nën siglën e saj, të organizojë protesta të dhunshme, duke djegur institucionet dhe duke sulmuar efektivët.
Mila deklaroi gjithashtu se sulmet me molotovë të militantëve të Berishës në protesta, lënë një shije të keqe te të huajtë që kërkojnë të vizitojnë vendin tonë për pushime verore.
“Ne jemi një parti e cila nuk fle. Më shumë fle opozita, e cila duhet të jetë më zgjuar se kurrë në këtë pikë. Ndërkohë që ne përkrah punëve të Parlamentit dhe të qeverisë, çdo pasdite dhe çdo fundjavë na gjen atje në zonat tona, te njerëzit që përfaqësojmë.
Jam gjithë sy e vesh për të parë se çfarë do kenë përgatitur për të bërë atë lajmin kryesor në mediat ndërkombëtare dhe për t’i bërë dëm Shqipërisë, sidomos tani në prag të sezonit veror, që është momenti më i mirë për t’i bërë thirrje të huajve që të vijnë e ta vizitojnë vendin tonë, ne ndërkohë i çojmë këto kartolinat me molotov dhe me atë që kjo parti di të bëjë më së miri, tymin.
Zgjidhja e problemeve nuk bëhet duke bërë performanca me molotovë, as duke goditur efektivë policie dhe as duke përdorur fëmijë të mitur në protesta për të bërë rreziqe në rrugë. Nuk ndodh në botë që nën siglën e një partie politike të mund të djegë vendin. Prej vitesh tashmë, sepse kjo nuk është një habi, por vazhdimësia e asaj që PD di të bëjë më mirë. Por nuk ndodh që nën emrin apo siglën e një partie ti të djegësh vendin”, tha mes të tjerash Mila.
Gjatë protestave të fundit të organizuara nga kryedemokrati Sali Berisha, ka pasur sulme me molotovë ndaj institucioneve, ndaj efektivëve të Policisë, shkatërrim të pronës private.
Protesta e sotme e PD-së do të nisë në orën 19:00, ku do pas disa tubimeve radhazi ku bëheshin shëtitje në bulevard, do të rikthehen fjalimet politike.
- Opozita kthen podiumin në protestën e së premtes, Belind Këlliçi tregon arsyen - 17/04/2026
- Protesta e PD/ Sara Mila ‘sulmon’ Berishën: Kërkon të djegë Shqipërinë! Përdor të miturit për qëllimet e veta dhe ‘nxin’ vendin në sytë e botës - 17/04/2026
- DIA amerikane: Irani ka mijëra raketa dhe dronë “kamikazë” në arsenalin e tij - 17/04/2026