Policia e Tiranës ka dalë në një njoftim zyrtar në lidhje me protestën e djeshme të zhvilluar nga opozita. Uniformat blu njoftuan se kanë arrestuar në total 18 protestues dhe kanë proceduar penalisht 46 të tjerë. Sipas njoftimi të bluve të kryeqytetit ata hodhën lëndë piroteknike, molotovë, sende të forta si dhe kundërshtuan punonjësit e policisë. Mes të arrestuarve janë edhe tre të mitur
“Strukturat e Policisë Tiranë në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera në lidhje me veprimet e kundraligjshme të kryera nga një grup protestuesish gjatë tubimit të zhvilluar mbrëmjen e djeshme nga subjekti politik Partia Demokratike, të cilët kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë së Shtetit që kishin marrë masa për ruajtjen e institucioneve shtetërore, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike dhe për lëvizjen e lirë të qytetarëve përreth territorit ku po kryhej tubimi, si dhe kanë hedhur drejt punonjësve të polciisë dhe institucioneve lëndë djegëse (molotovë) dhe sende të forta drejt tyre, arrestuan në flagrancë shtetasit: A. K., 19 vjeç, D. G., 32 vjeç, A. I., 42 vjeç, V. I., 22 vjeç, E. Xh., 18 vjeç, K. N., 23 vjeç, R. I., 20 vjeç, E. C., 46 vjeç, R. P., 26 vjeç, M. K., 31 vjeç, A. D., 31 vjeç, K. K., 45 vjeç, F. D., 23 vjeç B. B., 23 vjeç, A. D., 53 vjeç dhe 3 shtetas të mitur; Si dhe proceduan penalisht 27 shtetas të tjerë”, njoftoi policia.
I proceduar penalisht në gjendje të lirë është edhe deputeti Klevis Balliu, për organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme.
Policia njoftoi ndër të tjera se ka sekuestruar edhe 25 molotovë të pashpërthyer. Në një video, duket se si molotovët ishin krijuar në mënyrë artizanale me shishe benzine dhe kapsolla. Po ashtu, mësohet se janë sekuestruar edhe sende të tjera të kundraligjshme.
“Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund te kenë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të zhvilluar dje”, njoftoi policia.
Kujtojmë se edhe ky tubim i PD-së u shënua me incidente. Protestuesit hodhën bomba molotov ndërsa nga ana tjetër policia u kundërpërgjigj me ujë me presion dhe gaz lotsjellës.
Protesta e katërt kombëtare zgjati pak më shumë se 3 orë. Ndryshe nga herët e shkuara, edhe kryedemokrati Sali Berisha iu bashkua turmës, me maskë anti-gaz e syze mbrojtëse.
Ai dënoi “sulmin ndaj selisë blu dhe veprimet e Policisë”.
- Vendimi kundër tarifave të Trump, Wall Street “merr frymë” lirisht dhe shënon rritje - 21/02/2026
- Berisha kërcënon Ramën: Do t’i djegim selitë e PS në çdo qytet! - 21/02/2026
- Protesta e opozitës, Policia: U arrestuan 18 persona, sekuestruam 25 molotovë të pashpërthyer! Procedohet Balliu - 21/02/2026