19.5 C
Tirana
12 / 07 / 2025

Prokurorja u denoncua publikisht nga Rama për ndërtimet në Theth/ Gjeli letër KLP-së: Jam e gatshme të përgjigjem para çdo institucioni

Prokurorja e Shkodrës, Elsa Gjeli, e cila u denoncua publikisht nga kryeministri Edi Rama për ndërtimet pa leje në Theth i është drejtuar me një letër KLP-së.

Gjeli kërkon nga KLP reagim publik “ndaj presionit publik, fyerjes dhe diskreditimit  të figurës së Magjistratit dhe mbrojtjes së pavarësisë së Magjistratëve nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama”.

Ajo shprehet se është e gatshme të përgjigjet para çdo institucioni në lidhje me akuzat ndaj saj. “Në përputhje me kompetencat tuaja, lutem nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që: Të analizojë sjelljen e Kryeministrit në kontekstin e cenimit të pavarësisë së Prokurorisë dhe respektimit të ndarjes së pushteteve; Të shqyrtojë mundësinë e një deklarate zyrtare në mbrojtje të trupës së Prokurorëve nga sulme të papranueshme politike, duke theksuar se në lidhje me rastin tim individual jam e gatshme të hetohem para të gjithë organeve të drejtësisë;

Të ndërmarrë hapa institucionalë për të garantuar sigurinë dhe integritetin profesional të Magjistratëve që ndihen të persekutuar për shkak të vendimeve të tyre të pavarura. Deklaroj se jam e gatshme të paraqes çdo dokument shtesë dhe të dëshmoj personalisht për ndikimin që këto deklarata kanë pasur në mjedisin tim profesional dhe emocional”, shkruan Gjeli në letrën drejtuar KLP sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha.

“Nuk dua të ndalem në shumë ngjarje që kam hetuar apo aktualisht jam duke hetuar, pasi nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë objektiv i punës sime lancimi i ngjarjeve, por qëllimi është lufta kundër kriminalitetit dhe mbrojtja ndaj interesit publik në çdo moment, sipas betimit të bërë para Kushtetutës dhe që jam betuar që do t’a mbroj solemnisht në çdo moment.

Nëse një Prokuror, i cili është duke hetuar aktualisht dhe duke konkluduar se do të merren në përgjegjësi penale disa punonjës të IMT Malësi e Madhe për ndërtim të paligjshëm, në të kundërt ka kryer shkelje në drejtim të vendimmarrjes së tij të atakuar nga opinioni publik për rastin në fjalë, do të ju lutesha dhe do ju kërkoja që të ndërmerrnin masat përkatëse ato institucione që ligjërisht kanë detyrimin të verifikojnë vendimmarrjen time, duke theksuar se jam e gatshme të përballem me çdo pasojë të mundshme, pasi kam bindjen e plotë që vendimmarrja ime mund dhe duhet të vlerësohet vetëm nga organet e përcaktuara nga Kushtetuta dhe ligji, por jo nga institucione jashtë pushtetit gjyqësor. Lejimi i faktit të kundërt do të cenonte rëndë parime themelore kushtetuese”, shprehet në letër Gjeli.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x