Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi skemën sovrane “Dyfisho sipërmarrjen tënde”, një program që synon të mbështesë bizneset shqiptare përmes lehtësimit të aksesit në financim, me qëllim rritjen e investimeve, produktivitetit dhe konkurrueshmërisë në tregjet europiane.
Ibrahimaj u shpreh se iniciativa është ndërtuar mbi nevojat reale të sipërmarrjeve shqiptare dhe synon të krijojë kushtet për një ekonomi më të fortë dhe më konkurruese. Ministrja tha se treguesit ekonomikë dëshmojnë një rritje të besimit të biznesit, duke theksuar se ekonomia shqiptare ka vijuar të zgjerohet dhe se numri i sipërmarrjeve të reja ka shënuar rritje.
“Kemi parë një ekonomi që rritet në mënyrë dinamike, me një rritje prej rreth 4% nga viti në vit. Kemi rreth 25 mijë sipërmarrje të reja vetëm gjatë vitit të kaluar. Normat e rritjes së sipërmarrjes tregojnë se ka besim që ekonomia do të vazhdojë të rritet, se ka potencial për të rritur punësimin, të ardhurat dhe për të depërtuar në tregje të reja”, u shpreh ajo.
Ministrja theksoi se qeveria synon të jetë partnere e biznesit në procesin e investimeve dhe se programi është hartuar në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë dhe sektorin bankar për të adresuar vështirësitë që hasin sipërmarrjet në sigurimin e financimit.
“Duam të jemi partner i rritjes së investimeve në çdo biznes. Ky program është bazuar në nevojat që tregu kishte. Aksesi në financa është një instrument thelbësor për rritjen e investimeve. Problematikat kryesore kanë qenë normat e larta të interesit, kolaterali dhe madhësia e biznesit. Për këtë kemi ndërtuar një program në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë dhe sektorin bankar. Ne duam t’i japim mundësi sipërmarrjes shqiptare të zgjerojë aktivitetin dhe të rrisë standardet sipas kërkesave të tregjeve europiane”, tha Ibrahimaj.
Sipas saj, forcimi i eksporteve mbetet një nga objektivat kryesorë të programit, pasi do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e vlerës së shtuar dhe të ardhurave në ekonomi.
“Besojmë fort se duke fuqizuar eksportet do të kemi një vlerë të shtuar më të lartë në vend dhe një rritje të qëndrueshme ekonomike. Kjo përkthehet në të ardhura më të larta për qytetarët dhe bizneset”, deklaroi ministrja.
Ibrahimaj nënvizoi gjithashtu se kreditimi i biznesit është rritur me ritme pozitive vitet e fundit, por shtoi se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme vijojnë të kenë akses të kufizuar në financim.
“Përmes rritjes së financimit dhe kreditimit do të arrijmë objektivat tona afatmesme. Kredia për sipërmarrjen është rritur me rreth 15% vitet e fundit, çka tregon se ka më shumë financime në dispozicion. Megjithatë, vetëm 26% e kredisë për biznesin shkon për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ndërkohë që ato përbëjnë 99% të ndërmarrjeve aktive në Shqipëri, mbi 80% të punësimit dhe më shumë se 70% të vlerës së shtuar në ekonomi. Pikërisht për këtë arsye ato duhet të fuqizohen më tej, veçanërisht në drejtim të automatizimit dhe inovacionit”, theksoi Ibrahimaj.
- Pretendimet e Trump për ndërhyrjen e Kinës në zgjedhjet e vitit 2020, reagon Pekini: Trillime të pastra dhe shpifje dashakeqe të pabaza - 17/07/2026
- Konflikti SHBA-Iran është në kulmin e tij/ Nata e gjashtë e bombardimeve amerikane, Teherani kërcënon të gjithë Gjirin Persik - 17/07/2026
- Programi i ri për biznesin, Ibrahimaj: Qeveria do të jetë partnere e investimeve dhe rritjes së sipërmarrjes - 17/07/2026