Me një karrierë të gjatë akademike, në sistemin e drejtësisë por edhe në diplomaci, Bekim Sejdiu rezultoi emri që bëri bashkë dy kahet e politikës në Kosovë në përpjekjet për t’i dhënë fund krizës së zgjedhjes së presidentit.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, ranë dakord që ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, të jetë kandidat për president. Elemenbti që veçoi profilin e tij ishte pikërisht fakti që Sejdiu nuk vjen nga politika aktive partiake. Po kështu, ndërthurja e eksperiencës së tij të gjatë institucionale me atë juridike konsiderohet si një arsyet e mundshme përse Vetëvendosja dhe LDK-ja e panë që në fillim si një figurë të mundshme konsensuale.
Angazhimi institucional i Bekim Sejdiut në diplomacinë kosovare lidhet me fillimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Ai ka qenë pjesë e grupit të parë që u angazhua në ngritjen e strukturave të diplomacisë së shtetit të ri dhe shërbeu si këshilltar i lartë në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ka qenë ambasador i Kosovës në Turqi nga viti 2008 deri më 2012, e ka shërbyer si Konsull i Përgjithshëm i Kosovës në Nju-Jork nga viti 2012 deri më 2014. Nga prilli 2015 shërbeu si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës deri në 2021, kur dha dorëheqje nga kjo pozitë.
Gjatë mandatit në Gjykatën Kushtetuese, Sejdiu ka qenë gjyqtar raportues në disa raste me rëndësi politike, përfshirë edhe vendimin e vitit 2020 që çoi në rrëzimin e Qeverisë së Avdullah Hotit.
Çështja e zgjedhjes së kreut të shtetit të Kosovës mbeti e hapur që nga prilli i këtij viti kur përfundoi mandati i ish-presidentes Vjosa Osmani, dhe përgjatë kësaj kohe, këtë detyrë e ka mbajtur përkohësisht Albulena Haxhiu.
- Profil/ Kush është Bekim Sejdiu, njeriu që “pajtoi” LVV dhe LDK për emrin e presidentit - 31/08/2026
- Gazetarja Denada Shkodrani zbulon datat që janë në diskutim, ja çfarë pritet të vendoset për qeverinë e Ramës Asambleja e PS në shtator - 31/08/2026
- Unë Bos, ti Bos, po lopën kush do e kullosë?! - 31/08/2026