20.5 C
Tirana
14 / 05 / 2026

“Prapaskenat” e paktit PS-PD për rezolutën e anëtarësimit në BE, Cilët janë emrat që formuluan draftin

Në momentin kur dukej një diferencë e thellë qëndrimesh mes maxhorancës dhe opozitës për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, në Parlament doli tym i bardhë papritmas.

Janë të pakta rastet kur në Parlamentin e Shqipërisë arrihet konsensus mes PS dhe PD për dokumente të përbashkëta, siç ndodhi paraditen e kësaj të enjteje me rezolutën për integrimin.

Rezoluta parashikon bashkëpunim gjithëpërfshirës dhe angazhim për avancimin e integrimit.

“Të nxisë dialog politik dhe shoqëror gjithëpërfshirës për të siguruar konsensus kombëtar mbi prioritetet europiane. Mazhoranca angazhohet të sigurojë kushtet për pjesëmarrjen e plotë të opozitës në veprimtarinë parlamentare, të respektojë kërkesat e saj në përputhje me standardet demokratike, me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit”, u shpreh Igli Hasani.

Ndërsa Albana Vokshi u shpreh: “Ky variant, kjo rezolutë është mbi 90% kontribut i opozitës, ja ç’do të thotë kur opozita nuk përjashtohet, kur opozita nuk refuzohet, kur opozita lejohet që të marrë pjesë në procese”.

Por si u arrit kjo dakordësi në kulmin e debateve, kur opozita në javët e fundit ka folur për bllokim të integrimit dhe moskalimin e provimit IBAR, ndërsa maxhoranca ka deklaruar se është vazhdim normal i negociatave me BE?

Gjatë 48 orëve të fundit, Top Channel mëson se dy protagonistët e dakordësisë janë Taulant Balla dhe Gazment Bardhi.

Mes tyre ka pasur një telefonatë, nga ku Balla është shprehur i gatshëm për të parë propozimet e opozitës, duke ngritur një grup pune në Komisionin e Punëve të Jashtme me Ilda Zhulalin, këshilltare e grupit të PD-së, dhe Edmond Haxhinaston nga opozita, si edhe Erion Malajn me Romina Kukon nga maxhoranca.

Mësohet se propozimet e opozitës kanë pësuar ndryshime në formulim, duke arritur në një produkt final që i ka shkuar për votim Parlamentit dhe pritet të miratohet në orët e mëvonshme.

Draft-rezoluta ka marrë edhe bekimin e Edi Ramës dhe Sali Berishës, një zë kritik konstant për mënyrën se si qeveria po vepron me integrimin europian.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x