Poeti im,
sot do të të shkruaja si çdoherë në 4 gusht.
E mandej do të të telefonoja me ta ndi zanin e ma ta uru datën e lindjes aty në Kasaj ku shkoje çdo verë, mes bjeshkëve ku u linde dhe ku u bëre Hamiti ynë.
Më pate thënë: – gjithmonë në Kasaj do të jem.
Kasaj, adresa jote e parë, adresa jote e fundme, adresa jote e përjetëshme.
Atje je; i bërë lis i bjeshkës, shkrep i malit, këngë e zogjve, fllad i rudinave, re e bardhë, qiell i kaltër.
Hamiti ynë, poetët nuk ikin.
Për ta ka vetëm një urim: TUNGJATJETA!
Unë sot, për me e nda me lexuesit dhe gjithë të dashurit e tu mallin sa deti e dhimbjen sa mali, po e publikoj edhe një herë poezinë që e pata shkruar për ty e ta pata dërguar pesë vjet më parë.
KA DATËLINDJEN POETI
“- E ruaj një fjalë për ty”,
Më pate thënë në një shekull tjetër,
Poeti im,
që bjeshkët i zgjodhe për mbiemër!
Unë,
për atë fjalë kam notuar mbi dallgët e hënës,
Me këngën tënde i munda mbi njëqind vjet të marta,
Për ty e ruajta fjalën e zemrës,
Se në Kasaj më the, gjendet Itaka!
E aty në qiejt e bjeshkëve të tua,
Këngës t’ia marr sa të trandet dhe deti,
Dhe lisat t’ja nisin valles me mua,
Toka të ndalet një çast:
Ka datëlindjen poeti!
- Debati Qosja-Kadare për identitetin europian të shqiptarëve, nga polemika epike prej disa vitesh te fjalimi i fundit i Akademikut në 90 vjetorin e lindjes së gjeniut të letrave shqipe - 23/04/2026
- Nganjëherë Athina nuk është në Greqi - 23/04/2026
- Vdekja e Rexhep Qoses, Kuvendi i Shqipërisë dhe ai i Kosovës mbajnë nga një minutë heshtje - 23/04/2026